Nju Xhers: U PËRKUJTUA 110 VJETORI I ABETARES SË PARASHQEVI QIRIAZIT (1909 – 2019) / Shkroi: Dr. Bexhet Asani

Nju Xhers:
U PËRKUJTUA 110 VJETORI I ABETARES SË PARASHQEVI QIRIAZIT (1909 – 2019)

Më 22 nëntor 2019, në lokalet e bibliotekës së re, të Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane, në Riverdell të Nju Xherzit, në prani të anëtarëve dhe mysafirëve nga Nju Jorku dhe Kenerika, u përkujtua viti jubilar i 110 vjetorit të Abetares së parë të Parashqevi Qiriazit, pas Kongresit të Manastirit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, morën pjesë anëtarë e mësuese të shkollës së Qendrës. Këtë takim e nderuan mysafirët: kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë poeti Mëhill Velaj, njëherit edhe moderator i kësaj ngjarjeje kulturore. Këtë takim e përshëndetën: themeluesi i Qendrës Nazmi Demishau, prof. i Filozofisë Prend Çetta dhe biznesmeni Zef (Zekë) Kalaj.
Këtë manifestim e nderoi “Grupi X3” dhe me pjesëmarrjen e tyre shkëlqyen: këngëtari Faton Krasniqi, instrumentistët Fadil Sahatçiu e Afrim Dobërdoli.
Fjalën e rastit të këtij takimi e mbajti kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane Burim Zhuta, i cili ndër të tjera theksoi: “Të nderuar anëtarë, të nderuar mysafirë, të nderuar pjesëmarrës, mirë se keni ardhur në lokalet e bibliotekës së re ne Qendrën Kulturore Shqiptaro – Amerikane. Jemi tuabuar këtu, për të kujtuar vitin jubilar të 110 vjetorit të Abetares së parë, pas Kongresit të Manastirit, të cilën e shkroi Parashqevi Qiriazi. Dikush mund të thotë: 110 vjet janë shumë pak për një popull, aq më keq për popullin tonë të lashtë. Do të duhej ta kishim Abetaren edhe shumë më të vjetër se kjo që sot kemi në duar.
Do të duhej dhe jo vetëm se do të duhej por ne kemi pasur me të vërtetë Abetare edhe më të hershme se Abetaren e Parashqevi Qiriazit. Abetaret e shumëta para vitit 1908, kanë qenë të shkruara me alfabete të ndryshme: me alfabetin arabo – turk, me alfabetin latin, me alfabetin grek, me alfabetin sllav, me alfabtetin e kombinuar, pra nuk kishim një alfabet të unifikuar siç e kemi sot. Ishim një popull me shumë alfabete. Po të thellohemi pak në historikun e disave prej këtyre alfabeteve që i përmenda do të na dalin alfabete pellazgo – ilire. Popujt tjerë morën alfabetet pellazgo – ilire, i përpunuan ato dhe i bënë të vetat. Që nga viti 1908, më saktësisht që nga viti 1909, me botimin e Abetares, ne kemi alfabetin e njësuar dhe duhet të ndjehemi krenarë për këtë të arritur të popullit tonë të lavdishëm.
Gjatë sundimeve shekullore mësuesit shqiptarë janë ndjekur, janë burgosur, janë helmuar, janë vrarë, vetëm e vetëm se donin të përhapnin ABC-në, të përhapnin Alfabetin, të përhapnin dritën e diturisë, për popullin shqiptar.
Kongresi i Manastirit ishte një kthesë e madhe në historinë e popullit shqiptar. Ai Kongres vuri themelet e përparimit e të diturisë për popullin tonë.
Kjo Qendër që nga themelimi i saj, këtu e 42 vjet më parë, ka pasur për synim që në këtë shkollë, fëmijëve t’ u mësohej alfabeti i gjuhës shqipe, fëmijët të ruajnë veshjen, të ruajnë adetet e zakonet e bukura shqiptare.

Prandaj ju si prindër do të insistoni që fëmijët tuaj të jenë sa më të rregullt, sepse sa më të rregullt të jenë nxënësit aq më mirë do të jetë për ta, po aq më mirë do të jetë edhe për ju, vetëm në këtë mënyrë do të mund t’ i ruajmë fëmijët tanë nga asimilimi.
Do ta përfundoj me thënien e famshme të Naim Frashërit: “Vetëm dritë e diturisë, përpara do të na shpjerë!”
Të pranishmit i përshëndeti udhëheqësja e arsimit Gonxhe Meta e cila: “Të nderuar mysafirë! Ju përshëndes në emrin tim dhe në emër të stafit arsimor të Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Riverdell tl Nju Xherzit. Juve dhe mbarë kombit shqiptar ju uroj Gëzuar Festën e 22 Nëntorit dhe 110 vjetorin e Abetares së parë të gjuhës shqipe pas Kongresit të Manastirit! Sot kemi nderin të kujtojmë kontributin e patriotëve shqiptarë dhe kontributin e madh të mësueses Parashqevi Qiriazi, që kanë sakrifikuar mjaft për të mbrojtur gjuhën tonë të bukur shqipe. Me këtë rast dua të theksoj se ashtu si mbrojtën të parët tanë gjuhën duhet ta mbrojmë edhe neve. Në qoftë se nuk ia përcjellim gjuhën shqipe fëmijëve tanë, mbesave e nipërve tanë, kombi nuk mund të quhet komb. Duhet të çmojmë gjuhën më shumë se diamanti e të mos e humbim kurrë, sidomos ne shqiptarët në Amerikë e kudo në diasporë. Do ta përfundoj me një thënie të Mid’hat Frashërit “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe!”
Më pas moderatori Mëhill Velaj ia dha fjalën imamit të Qendrës Arun Pollozhanit, i cili kishte përgatitur një material interesant nga “Camridge Univesity press 1999”. Shqipëria ka qenë e sunduar nga perandoria osmane nga viti 1415 deri në vitin 1912. Turqit fillimisht erdhën në Shqipëri në vitin 1385. Kur në vitin 1479 ra edhe Shkodra në duart e turqve, atëherë e gjithë Shqipëria ishte nën sundimin e tyre. Mirëpo, edhe pse osmanllinjtë ishin në Shqipëri shumë principata të saj edhe më tej vazhduan të sundoheshin nga princërit shqiptarë. Kjo bëri që alfabeti i gjuhës shqipe, në këto vende të ruhet sepse i gjithë dokumentacioni i asaj kohe në këto principata bëhej me alfabetin dhe shkrimin shqip! Vështirësitë edhe pse ishin të mëdha, alfabeti shqip u ruajt me xhelozi. Në këto kushte të vështira kemi pasur gazeta dhe revista të botuara në gjuhën shqipe qoftë në Shqipëri apo jashtë saj, siç qe rasti me gazetat “I foni tis Alvanias” (Zëri i Shqipërisë), “Albania”, “Dielli”etj.
I madhi Sami Frashëri në vitin 1879 përpiloi alfabetin e gjuhës shqipe apo siç është i njohur me emrin Alfabeti i Stambollit. Gati për mbi tridhjetë vjetky alfabet u përqafua si brenda Shqipërisë po ashtu dhe jashtë Shqipërisë në diasporë. Me këtë alfabet në Bukuresht, në Sofje etj., u botuan shumë libra qofshin laike apo fetare.
Me përpilimin e këtij alfabeti Sami Frashëri donte t’ i tregonte botës se ata nuk ishin as sllavë, as turq, as grekë por ishin pasardhës të ilirëve. Ishte i njohur edhe Alfabeti i Elbasanit, i cili nuk pati jehonë në popull!
Në fund ai përmendi disa alfabete në botë dhe vuri në pah sesa shkronja kanë ato, dhe paraqiti një tabelë të alfabeteve.

Parashqevi Qiriazi

Për biografinë e Parashqevi Qiriazit foli mësuesja e shkollës sonë Lindita Shahinaj: “

Prof. dr. Bexhet Asani vuri në dukje se 22 Nëntorin, ditën e përfundimit të punimeve Kongresit të Manastirit, shqiptarët në Maqedoni e kanë shpallur festë shtetërore, këtë rrugë duhet ta ndjekin edhe dy shtetet shqiptare Kosova dhe Shqipëria..! Në vazhdim ai lexoi studimin për abetaret e Parashqevi Qiriazit: “ Kur femra shqiptare vuante nën thundrën e obskurantizmit, ndërsa mësueset numëroheshin nëpër gishta, Parashqevi Qiriazi mori pjesë në Kongresin historik të Manastirit, por pa të drejtë vote.
Meqë punimet e Kongresit zhvilloheshin në shtëpinë e të vëllait Gjergj Qiriazit asaj iu dha mundësia që t’i ndiqte nga afër pothuaj të gjitha seancat dhe komisionet e Kongresit. Kështu, ajo u shërbeu atyre burrave të kombit me nikoqirllëk, së bashku me gruan e Gjergj Qiriazit ishin mjaft të shqetësuara, për faktin se shtëpia e Qiriazit në ato ditë gumëzhinte nga delegatët të cilët priteshin dhe përcilleshin sipas zakoneve dhe traditës shqiptare (Dishnica,1997:74)
Komisioni që u zgjodh nga Kongresi për të paraqitur një projekt mbi çështjen e alfabetit, nuk mundi të caktonte një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe. Por Kongresi e pranoi vendimin e komisionit që “të merret Abeceja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece thjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mes të shqiptarëve. Të dy alfabetet do të mësoheshin detyrimisht në shkollë. Ky vendim, siç e pranoj vetë Kongresi, nuk i shërbente sa duhej përparimit të gjuhës shqipe dhe ishte një hap prapa në krahasim me qëllimin e Kongresit, por u muar, me sa duket, për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve.
Më vonë jeta e bëri të nevojshme mbajtjen e një alfabeti, të alfabetit të mbështetur krejtësisht në karakteret latine. (H.P.SH. 1979:286).
Edhe pse nuk mori pjesë gjatë diskutimeve, mësuesja Parashqevi Qiriazi pati nderin që të materializojë dhe t’i jetësojë vendimet e këtij kuvendi të madh gjithëkombëtar. Kështu, ajo do t’i përvishet punës për të shkruar Abetaren e parë disa muaj më vonë pasi kishte përfunduar punimet me sukses Kongresi i Manastirit.
Shoqëritë e shumta të kohës që ishin themeluar dhe që u themeluan anë e kënd vendit nëpër qytete të ndryshme i drejtoheshin shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit me qëllim që kjo shoqëri t’i furnizonte me libra të botuara para dhe pas Kongresit.
Qerim Gunbardhi nga Vlora kërkon nga shoqëria “Bashkimi” t’i dërgojë libra të botuara pas Kongresit për t’i përhapur këto nëpërmes librarisë. (Dërmaku, 1983:350).
Nga 14 titujt e librave të kërkuar si: Lulet e Verës, Iliada e Homerit, Erveheja, Istori e përgjithshme, Shqipëria ç’ka qënë…, Bagëti e bujqësia etj. (Dërmaku, 1983:350), nuk përmendet Abetarja e Parashqevisë. Atëherë shtrohet pyetja: kur u botua Abetarja e Parashqevi Qiriazit?
Pedagoges së shquar iu desh një motmot për ta përgatitur Abetaren sepse nuk e ka pasur të lehtë, mbase mund të ishte teksti i parë që përgatitej me dy alfabete! Pra siç mund të shihet vështirësitë për përpilimin e tekstit kanë qenë të natyrave të ndryshme.
Sihariqin për daljen e Abetares nga shtypi një vit pas Kongresit e ka dhënë gazeta “ Bashkimi i Kombit”, më 5 nëntor 1909. Kjo gazetë midis tjerash shkruan: ”Kjo libër e vogël me 32 faqe dhe 18 fytyra (skica) është radhitur bukur e pas metodës së re me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit ( Dishnica,1997:74-75) Si mund të shohim edhe nga lajmi i më sipërm i gazetës ” Bashkimi i Kombit “, këto vepra didaktike u shkruan sipas metodave më të reja dhe u botuan sipas të gjitha standardeve të kohës qoftë nga ana teknike qoftë nga ana përmbajtësore e profesionale.
Në bazë të njësive mësimore që janë përfshirë në këto tekste shkollore, nuk është vështirë të konstatohet se Parashqevia ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga autorë të njohur perëndimorë.
Jo vetëm kaq. Ajo nuk ka qenë vetëm e ndikuar nga metodat e të huajve, por Parashqevia ka pasur edhe kërkesa të tjera të saja. Një nga kërkesat më thelbësore që shtronte Parashqevia, ishte krijimi i arsimit të barabartë për të gjithë shtresat shoqërore, sipas të cilit djemtë dhe vajzat do të përfitonin një edukatë komplekse intelektuale, fizike e morale. Ajo, veç kësaj, propozonte edhe rrugët që duheshin ndjekur për realizimin e tij në një kohë sa më të shkurtër. Në të njëjtën kohë shtronte si një kërkesë të domosdoshme krijimin e një sistemi administrativ të centralizuar, sipas modelit të vendeve më të përparuara të kohës siç ishte Gjermania. (Dishnica, 1997:88) Libri didaktik Abetare për shkollat e para, u botua në përkujdesjen e shoqërisë “Botonjëse Literare” në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” më 1909 në Manastir. Në faqen e dytë ka emblemën e shoqërisë “Botonjëse Literare” dhe shënimin mbi të: Ç’do vivllë do të sjellë vulën e shoqërisë edhe të përshtypurit është ndaluarë.
Po, kjo Abetare do ta ketë edhe një botim të dytë më 1911 në Manastir, këtë vit teksti do të shtypet në shtypshkronjën “Tregëtare ndërkombëtare”. Botimi i dytë i vitit 1911 do të ketë disa ndryshime sa i përketë përmbajtjes së tekstit, hiqen disa njësi mësimore, shtohen njësi të reja, hiqet dhe vjersha e vetme nga libri etj. Kështu, botimi i dytë del më i plotë qoftë nga ana përmbajtësore qoftë nga ana teknike.
Në të dy tekstet didaktike, alfabetit të Stambollit i ka dhënë hapësirë më të madhe, kurse alfabetit të shoqërisë së Shkodrës apo siç e quan Parashqevia Abeceja me shkronjat e bashkuara, i ka dhënë një hapësirë më të kufizuar. Hapësira më e madhe që i është lënë alfabetit të Stambollit mbase është e natyrshme dhe e arsyeshme sepse alfabeti i Stambollit ishte më i përhapur ndër shqiptarët dhe njëherit ishte bërë traditë në shkrimin e shqipes.
Si duket përdorimi i dy alfabeteve paralelisht, jo vetëm për nxënësit , por edhe për vetë Parashqevinë dhe mësuesit e tjerë paraqiste vështirësi në shkrimin e shqipes, nga aspekti praktik. Në të dy tekstet e abetareve, ka ndonjë fjali, ku gërshetohen të dy alfabetet. Fjali të tilla ka te faqja 30 botimi i 1909 -ës dhe te faqja 25 botimi i 1911-ës, te njësia mësimore “Letrë babajt nga biri”.
Mësuesja Parashqevi Qiriazi te abetaret, ndjek traditën e rilindësve dhe vëllait të saj Gjerasim Qiriazit për krijimin e neologjizmave. Neologjizmat që ka përdorur Parashqevia në shkrimet e saj janë: avullore, te botimi i dytë avullanija, për anija me avull, udhë e hekurt për hekurudhë, bashkë folje për bashkëbisedim, gjishte për gishtëz, zgjasur për matur – peshuar, ziq për peshore – kandar (zigj) etj.
Njësitë mësimore janë zgjedhur me kujdes nga pedagogia Parashqevi Qiriazi, ato janë njësi të shkurtra,duke pasur gjithmonë parasysh moshën dhe intelektin e fëmijëve. Përveç asaj që njësitë mësimore kanë karakter arsimor ato kanë edhe karakter edukativo – atdhetar. Mësimi i katërt te faqja 22 e botimit të 1909-ës ka këtë përmbajtje: “Shqipëria është mëmëdheu im, sa e dua atë! Ay që do mëmëdhenë është njeri i nderuarë. Duhet më parë të duam kombin t’ onë, pa pastaj të tjerët. Ata që që zduanë kombin e tyre, janë njerës të pabesë”.
Kështu kanë menduar po thuaj të gjithë rilindësit, kurse sot në ditët tona neve shqiptarëve na është ngulitur në kokë ksenomania dhe s’ na hiqet dot. Prandaj, nga mësimi i pestë po në faqen 25 veçojmë këto fjali: Epni gjithë besa besën edhe lithni dashuri. Sa të muntni të përpiqi për të mjerën Shqipëri.
Siç vumë re edhe nga shembujt e më sipërm, pothuaj të gjitha njësitë mësimore, pastaj anekdotat siç i quan ajo disa njësi dhe njësitë e tjera mësimore fund e krye kanë thjesht karakter edukativ dhe arsimor.
Te faqja 32 e Abetares së 1909 – ës është botuar një vjershë patriotike të cilën e ka shkruar Gjerasim Qiriazi, që në Krestomacinë e tij mban titullin “Detyrat e mëmëdhetarit të vërtetë”.
Parashqevia, kësaj poezie nuk ia ndrron vetëm titullin dhe shënon titull tjetër “Vjershë”, por ia heq edhe strofën refren:

O vëllezër shqiptarë,
Merrni sot udhën e mbarë,
Punën tuaj mos e harroni,
Koha shkon edhe prapë s’vjen.

Dhe e ndryshon vargun e parë të strofës së fundit të poezisë, sepse aty nga prilli i vitit 1909 sulltan Hamiti u rrëzua nga froni.Vendin e tij e zuri sulltan Mehmet Reshati V, i cili ishte vetëm një kukull në duart e xhonturqve. (H.P.SH.,1979:290). Në vend të vargut:”Rroftë mbret sulltan Hamiti”(Qiriazi,1991:113) ajo shënon:

Rroftë mbret Mehmet Reshati,
Që na ep këtë liri,
E të mësojmë gjuhën t’onë,
Si çdo komp ndë hije të ti’.

Më 1911 kur botohet Abetarja për herë të dytë,kjo poezi hiqet nga teksti, nuk do t’i këndohej më mbretërve e sulltanëve sepse pushkët e kryengritësve shqiptarë paralajmëronin lirinë kaq shumë të pritur në shekuj.
Alfabetin e shoqërisë së Shkodrës, Parashqevia e quan Abeceja me shkronjat e bashkuara, për shkak të dy germave të bashkuara që përbënin një tingull. Shkronja të tilla si: dh,gj,ll,nj,rr,sh,th,xh,zh. Po, vitet kaloni gjuhës shqipe i duhej një alfabet. Dhe ajo ditë arriti që shqiptarët të përdorinin në shkrimet e tyre një alfabet të vetëm. Kjo barrë sa e rëndë por aq fisnike e sublime i ra “Komisisë Letrare të Shkodrës”.
Breza të tërë lëvruesish e studiuesish të gjuhës, arsimtarësh e atdhetarësh kanë punuar e janë përpjekur pareshtur për një gjuhë letrare e për një drejtshkrim të njësuar, duke përkrahur vijën konvergjente të procesit gjuhësor, duke kundërshtuar e kapërcyer qëndrimet e ngushta, lokaliste e reaksionare. Vendosja e një alfabeti të vetëm pas kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në këtë rrugë dhe një bazë e domosdoshme që i dha mundësi “Komisisë Letrare të Shkodrës” (1916-1917) të kodifikonte përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare, duke ruajtur sa më shumë të përbashkëtën, atë që i ofronte variantet letrare të shqipes, e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare të miratuara dhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) u bënë baza e drejtshkrimit të shqipes deri ne vitet e para për Çlirimit. (D.Gj.Sh.1974. f. 4)
Parashqevia nuk ishte vetëm një pedagoge e shquar, por ajo ishte edhe një intelektuale e madhe e kohës. Atë e karakterizonte guximi, durimi, zgjuarsia, intelegjenca, urtësia. Ajo ishte një mësuese e cila njihte mirë metodikën e përpilimit të teksteve didaktike shkollore. I dha vetes një detyrë të vështirë dhe të rëndë dhe të gjitha këto vështërsi i sfidoi. I jetësoi vendimet e Kongresit, edukoi dhe arsimoi brezin e ri, e kreu me nder detyrën që i dha vetes kjo pishtare e shquar e arsimit shqiptar.
Të pranishmit gjer në orët e vona të mbrëmjes i argëtoi “Grupi X3”. Mirënjohje për të gjithë të pranishmit! Mirë u takofshim në ngjarje të tjera kulturore dhe historike të popullit shqiptar!

 

Shkroi: Dr. Bexhet Asani
Nga Kryesia e Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane

Kryetar
Burim Zhuta

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s