Poezi nga Nehat JAHIU

Poezi nga Nehat JAHIU
 
 
SI NJË DIMËR…
 
Si një dimër me acar qenka kurbeti
Si një kafshatë që në grykë mbeti
Sa herë mendja i shkon për ta kujtuar
Mërgimtari kurrë nuk ishte larguar.
 
Si një ujk që të kafshon me dhëmbë
Plagët e pashëruara në trup t’i ka lënë
Shpirtin o mërgimtar, kurbeti ta ka lënduar
E kurrë në jetë ty nuk të është shëruar.
 
Diellin këtu ti kurrë me sy nuk e ke parë
Qysh atë ditë kur nga atdheu je ndarë
Në shpirtin tënd pate dimër çdoherë
Kurrë me sy nuk e ke parë një ditë pranverë.
 
Ngado që ike e shtegtove ti o mërgimtar
Shpirtin tënd e pate mbushur me largësi
Shpirti yt u dogj si flaka e qiririt
Edhe i vdekur atdheun do ta shohësh me sy
 
 
 
 
KUR TË PASHË…
 
Kur të pashë pas shumë rrugëtimeve të gjata
Më erdhi aq shumë keq, gati sa nuk plasa
Të kishte lodhur o vëlla aq shumë udha
Ballë e fytyrë të ishte mbushur me rrudha.
 
Të kishin rrahur sa e sa shtrëngata e stuhi
Edhe eshtrat t’i kishte ngrënë kurbeti i zi
Aq shumë era e furtuna të kishin rrahur
Sa shumë ore vëlla ishe thinjur e plakur.
 
Sa shumë, ore vëlla më dukeshe se ishe dergjur
Malli dhe dashuria shpirtin ta kishin djegur
E di ore vëlla, sa ke rënkuar me tëndin mallkim
Kush na e dhuroi neve këtë mërgim?…
 
 
 
NJË GRUSHT DHE…
 
Me mall dashurie një grusht dhe shtrëngove
Atë ditë kur nga vendlindja u largove
Në një rrugë të gjatë u nise dhe shkove
Me mall e dashuri atdheun seç e shikove.
 
Me zemër të thyer e shpirt të plagosur
Me pranga në duar si një i burgosur
Të përcolli, nëna e përlotur deri tek dera
E humbi hijeshinë e bukura jonë pranvera.
 
 
 
LETRA E MOTRËS
 
Këtu, në dhe te huaj në një vend tjetër
Dikur në kurbet mora një letër
Që ma kish dërguar e dashura motra ime
Prej të shtrenjtës vendlindjes sime.
 
Letra, vinte prej së largu nga mëmëdheu
Ku shumë i shenjtë është guri e dheu
Motrën e kishte marrë malli aq shumë për mua
Dashurinë e vëllait nuk e kishte harruar.
 
Në letër shkruante e dashura motra ime
Mbushur me plot mall e kujtime
Me nostalgji e mall këtë letër unë lexova
Dhe kurrë atë letër nuk e harrova.
 
Më shkruante se si kurbeti na kishte nda
Me shpirt përvëluar motër e vëlla
Këtu ku ishe të kujtoj në të largëtin mërgim
Po qaj ditë e natë, i dashur vëllai im
 
Kjo letër motër kurrë nga shpirti nuk tretet
Kujtim vëllait kurbetqar do të më mbetet
Do ta ruaj atë letër thellë në shpirtin tim
Do e ruaj e dashur motër gjithnjë si kujtim.
 
 
 
KU BILBILAT KËNDOJNË SHQIP
 
E lashë një ditë unë vendin tim
Larg tij ika, larg diku në mërgim
Gjithnjë po kaloj udhë e trishtime
Duke mos i harruar të miat kujtime.
 
Shoqërinë time aty unë e kam lënë
Ku më pret i shtrenjti im mëmëdhe
Bukën e misrit e kujtoj në magje
Më djeg malli për fusha e male.
 
Dua që unë një ditë në vendlindje të vij
Atje në tokën e të parëve unë do të arrij
Ku bilbilat këngën shqip e këndojnë
Ku trojet e veta kurrë nuk i harrojnë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s