Poezi nga Behare Daja Kasi

Posted on January 19, 2020

0


Poezi nga Behare Daja Kasi

 

BESUESHMËRI

Kam vendosur të mos u tregoj të tjerëve për ty,
të mos u tregoj që të desha aq fort.
Nuk do të më besojnë,sado…

Kam vendosur të mos u tregoj,
se si ti, u bëre gjahtar i zemrës sime,
e me shigjeta drite më gjuaje pareshtur
derisa cipa e qelqtë e saj u kris.
Nuk do t’u tregoj,
se ata prapë nuk do të më besojnë,
e di.

Kam vendosur të mos u tregoj,
kur për herë të parë më zhveshe mantelin e hollë të shpirtit e ai butësisht
ra mbi dyshemenë e ftohtë,
e ne, ethshëm u endëm mes zjarrmisë,
e nën dritën e hënës pazgjidhshmërisht kryqëzuam gishtat,duart, shpirtin.
Nuk do t’u tregoj,
sepse e di
që nuk do të më besojnë.

Nuk do të më besojnë
as kur qerpikëve të gjatë u fshija lotët
që pareshtur rridhnin nga të bukurit sy blu,
e që ngadalë binin mbi buzët shkretëtirë,
dhe unë t’i njomja me ujin e jetës.

Nuk do të më besojnë, e di,
s’ka gjë, le të mos më besojnë,
sepse unë jam besimi yt,
dhe kjo na mjafton gjer në besueshmëri.

 

NË SHPIRTIN TIM

Në shpirtin tim të kaltër,
Një kopsht me manushaqe ka mbirë,
Një lulishte e tërë është aty.
Janë lule të gjalla,
Mbi to çiken flutura të bardha.

Në shpirtin tim të kaltër,
mungojnë rrezet UV,
Shtresa e ozonit është e fuqishme,
Nuk e depërton rrezatimin.
Kostum rrezesh i kam veshur shpirtit.

Në shpirtin tim të kaltër,
Buzëqeshjet kanë ngritur çadrat
Dhe fluturojnë me fluturat e bardha,
Lule më lule i puthin manushaqet.
Qesh me to vesa e mëngjesit.

 

MËNGJES

një filxhan kafeje,
dhe aroma
më ngroh
duart,
buzët,
zemrën.

më dridhet
ngrohtësia
mes gishtave.

avujt e mjegullt
më rrëshqasin
e thyhen
në dyshemenë
e akullt.

sytë e kafexhijve
më ngjasojnë
me filxhanin
gojëshqyer.

sy krokodili,
lëngëzojnë
në rrufitje të nxira.

çohem e iki…

 

SILUETË

Nëse një ditë mërzitesh nga unë,
Largohu ca kohë e gjej qetësinë,
Në një tjetër flok a në tjetër rrahje,
Në të tjera çaste që veç ti i di.

Të të them ik,e di,e kam të vështirë,
Më mirë se peng,më mirë do ish -ik,
Merrmë inat,ndoshta edhe urremë,
Por ja që ndryshe nuk mund të jem kurrsesi…

E harroma fytyrën time të druajtur,
Harromi dhe sytë që i deshe aq shumë,
“Ke sy të bukur”,- aq shpesh me thoshe,
Sy të trishtë, të bukurit sy gri”!

Harroji dhe flokët që me mall sodisje
E drithshëm mes gishtash shpupurisje,
Harroji të lutem,harroje dhe mallin,
Harroji dhe çastet kur ethshëm më prisje!

E nëse një ditë më shfaqesh papritur,
Dhe prapë ti i kthehesh së vjetrës strehëz,
Një gjë do të lutem me mall të ma kthesh,
Kthema gjithë qenien tënde të vjetër!

Dhe të lutem, mos m’u shfaq me tjetër fytyrë,
Se malli gjithsesi njeh çdo grimcë,
E unë që jam ndryshe,po ndryshe do të jem,
S’të shfaqem me tjetër fytyrë,
Ta dish!

Posted in: POEZI