Edgar Allan Poe (1809-1849) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Posted on January 20, 2020

0


Edgar Allan Poe (1809-1849)

Sot, më 19 janar, kalendari poetik shënon datën e lindjes së Edgar Allan Poe-s, shkrimtar, poet, kritik letrar, gazetar dhe botues amerikan. Mbahet si një nga shkrimtarët me ndikim më të madh në letërsinë amerikane, si pararendësi i letërsisë policore, asaj me tmerre dhe letërsisë së verdhë-psikologjike. Autor i poezisë ‘Korbi’, sjellë mrekullisht në shqip nga përkthyesi i madh Fan Noli. Gjithë jetën luftoi me vështirësitë ekonomike, teprimet me alkolin, drogat e ndryshme dhe me moskuptimin e lexuesve dhe kritikës letrare të kohës. Sjell sot, në përvjetorin e 211 të Poe-s, këtë shqipërim prej Tij:

ËNDËRR BRENDA ËNDRRËS

Po shkoj, ja t’të puth në ballë!
Por lërmë të ta them një fjalë
Shkoqur fare, siç di vetë,
Mir’e ke, ësht’e vërtetë,
Ëndërr na qënkësh kjo jetë;

Por nëse shpresa u venit
Për një natë a për një ditë,
Në një vegim, a në një hiç,
Përse, për kaq pak gjë u prish?
Ç’jemi, ç’dukemi, na qënkësh
Veç një ëndërr brenda ëndrrës.

Dëgjoj si oshëtin ky det,
Valët përplas këtu në breg
Dhe brenda grushtit ngritur lart
Shtërngoj kokrriza rëre të artë.

Janë pak e rrëshqasin shpejt,
Nga grushti im, drejt e në det,
Ndërsa unë qaj, qaj me lot!
O Zot! Pse s’i shtërngoj më fort?
Të paktën vetëm një, o Zot!
Asnjë prej valësh nuk shpëtoj dot?
Gjithë kjo jetë na qënkësh
Veç një ëndërr brenda ëndrrës?

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Posted in: AUTORE, POEZI