Poezi nga Sokrat Habilaj 

Poezi nga Sokrat Habilaj 

 

S’TË ZGJODHA VETËM PËR VETE

Mund dhe të ndodhte të mos ishe ti,
E të kisha pranë imazhin e një tjetre.
Mund të të zgjidhja pa pyetur njeri,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund të ishe ti, më e prerë ndoshta,
A edhe më delikate,si një pikëz vese.
Mund të më thoshe:-Jam vetëm jotja,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund ta mbaje fustanin lart, mbi gju,
Dhe unë mos të të bëja asnjë vërejtje.
A mund t’i prisje ndryshe flokët e tu,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Mund të kërkoje një ishull të largët,
Dhe pas të vija i bindur,nëpër dete.
Brenda teje të më përpije nga flakët,
Po ty nuk të zgjodha vetëm për vete.

Kisha bërë një pakt, pa më ardhur ti,
Që sytë e tu, pa pikë dhe pa presje.
Tu ngjanin syve të dy djemve të mi,
Prandaj s’të zgjodha vetëm për vete.

 

Ndoshta ke harruar

Mund të thosha:-Vazhdo më goditë!
Nëse të pëlqen ta bësh këtë gjë.
Të thosha të më vrisje në pritë,
A mund të kafshoja buzën pa zë.

Mund të thosha:-Derdhë edhe vrer!
Po deshe shpirtin mbushma në gjak!
Ikë pastaj, mburru me të tjerë,
Se gjete dikë që nuk merr hak!

Mund të thosha:-Kur të jem i shtrirë,
E të kem pranë shpirtin e copëtuar.
Shpresoj të paktën të ndihesh mirë,
Por këto fjalë, s’ke për t’i dëgjuar!

Madje në bishë më kthehet zemra,
Se mbroj një tjetër, jo veten time.
Ndoshta ke harruar që të kam brenda,
Por kur më godet si nuk ndjen dhimbje!?

 

…tani

…tani që malli për ty, nuk është mall,
po liqen i thellë që shtrihet i pafund,
e vetja më duket si një shelg përball,
që në vend të fjalëve gjethet i tundë,

…tani që unë duhet të të ruaj si pellg,
e sa më jepet rasti pa lidhje nis e qaj,
jo se dua të bëj ritin si bën çdo shelg,
po nëse shteron, s’di ç’të bëj pastaj,

…tani që e kam bindjen se është loti,
që s’më lë të bëhem kërcu, si eshkë,
dhe ty të mburrem se jam kaq i zoti,
të të ngre dallgët, kreshtë më kreshtë,

…tani për ty, si çarçaf i shtroj gjethet,
e lotët e mi, në grua i ktheva për pak,
mallkoj liqenet, mallkoj dhe shelgjet,
shfaqu mall si ti, të mos flas përçart!

 

BISEDË JO E ZAKONSHME

Nuk të jam betuar se s’kam bërë mëkat,
Ashtu si përbetohen plotë burra të tjerë.
Po edhe ti, ndryshe nga të gjitha gratë,
S’më lëndove të më pyesje, asnjëherë.

Ti thjesht më lexon, pa lënë asnjë presje,
Por nuk ndodhë që gratë, të lexojnë kot.
Mbase dilemat, i zgjidhë vetë në heshtje,
Tani që shpirtin, ma sheh portë më portë.

Dyshon ti në vargje, për një pëshpërimë!?
Dyshon një parfum që ndoshta se njeh!?
Bëji grimca dheu, çdo germë e çdo rimë,
Hidhmi mbi trup mua, sa t’i bësh kube.

Nëse një ditë, do ndjesh peng në zemër,
Dhe kur këmba jote, të më shkelë barin.
Gjethet do të flasin, vetëm ty në emër,
Vargjet s’m’i besove!? Ma beso ti varrin!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s