Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

 

***

Në zgrip të frymës, nyje bërë
thonjtë më çjerrin fytin.
Mezi kapërdihem në atë fijen e ajrit,
që mundet të depërtoj.

Një prefëse më jepni,
a ndonjë limë të hap pak udhë,
se po mekem pafrymë.
Alivanosja nga cimbat e thonjëve fytit
po më mpak shpirtin,
më mavijos mbytja dhe bishat më gllabërojnë.

Ah! Si nuk e bëra një kafaz,
e brenda gjoksit të mbyllja gjithë egërsirat,
që më shyejnë pak mish, pak frymë,
pak shpirt…çdo ditë pak nga pak.
Si nuk e dija vallë, që bishat zgjohen një ditë!?
Ma gjeni një mprehëse, për hir të zotit ma gjeni!

***

Ku është shtëpia e shpirtrave,
të shkoj të gjej shpirtin tim të shkuar,
atë të dikurshmin, të kohëve të largëta,
që i jam mishërim…

Brenda meje gëlojnë e gjallojnë,
shumë jetë, shumë gëzime e brenga,
që i mbart mbi shpinë nga jeta në jetë!

Ndaj qava kur linda,
se duhej të shtroja edhe njëherë kurrizin,
të mbartja jetët e mia në shpirtin e vjetëruar.

Vetëm kur të lind duke qeshur,
do e dish se jam çliruar…
Dhe bota do bëhet më e mirë,
do ketë rifilluar…

 

***

Që në lindje e dija, se kordoni kërthizëprerës,
ishte një copë nga litari i duarve të tua,
që lidhur do më kish.

Koha më mësoi,
se kryqin tënd do ta mbartja gjatë,
rëndesës së tij do i përulesha si manar.

E jeta ma tha në sy…açik ma tha,
se kryqosja do vazhdojë edhe pas meje,
që prej ditës që u lirua Baraba.

Tani, sa herë dal në rrugë
Dëgjoj zërin e trumave gurmazçjerrë tek bërtasin;
Në kryq… në kryq…të falet Baraba.

Unë hiqem osh dhe laj me gjak plagën,
ul kurrizin dhe mbart deri në dhimbje kryqin tënd,
se nuk mund ta fal Barabën!

 

***

Je sfinksi i shpirtit tim,
që kur malli nuk mban më,
të shkrumboj, të bëj hi.
Por, ti nga hiri më ringjallesh,
e më sjell një mall të ri!
Ja, nisi të djeg përsëri..

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s