Poezi nga Sahit F. Osmani

Poezi nga Sahit F. Osmani

 

Hienat

Hienat janë shndërruar në statuja të ngrira
Me maskë e kanë mbuluar leshin e fytyrës
E nuhasin kërmën të etura për tē pirë gjak
E presin çastin për ta prerë gjahun në fyt

S’lëvizin, druhen se u zbulohet mashtrimi
Heshtje e plotë me shpërthim të dëgjuesve
Shprehje e kalimthit për sytë e të verbërve
Atyre që nuk shohin më larg se hunda e vet

Tërbohen kur dhëmbët i ngulitin në trup
Kënaqësi ndiejnë në torturim të shpirtit
Janë ngjizur keqësisht me kthetra dhunimi
Shpëtimin e shohin në katandisjen e tjetrit.

 

JETËS I KULLON DRITË

Të kërkoj mes rrezeve të të prek
Thyhesh e nuk lakohesh
Gjithmonë e njëjta ke mbet
E larë me diell, –
jetës i kullon dritë

Me dorën e zemrës nis të vizatoj
Portretin tënd diellor…
Fshehtësi shpirti shpërthejnë
Shndërrohen në burime që mrekullojnë.

 

KËRKON ÇELËSIN E SHPËTIMIT

Ka ndryshuar horizonti
Tjetër kahje ka mendimi
Orë e ndryshkur e kohës
Troket me tinguj shurdhimi

Në qetësinë e mendimeve
Shikoj me sy ëndërrimtarë
Në oqeanin e dallgëzuar
Vetmia më bëhet shpetimtare

Kundroj natyrën gjithësinë
Fantazoj atë shpirt njeriu
Që fsheh brenda dashurinë
E jetës nëpër dallgëzime

Koha furishëm ec
Tik-tak-et e orës ndryshohen
Në vorbullën e mendimeve
Pa busullë orientohen

Ka ndryshuar horizonti
Tjetër kahje kanë marr udhët
Orës i troket ndryshk i kohës
Kërkon çelësin e shpëtimit.

 

DASHURITË ME BESË I NGRITE

Themel dashurie ti u thure
Në arkitekturën e zemrës
Me urtësinē fli të Rozafës
Në brumimin e legjendës

Zingjirë helmatisjesh pate
T’i ngulnin dhëmbët trupit
Ti u lartësove gjatë shekujve
Legjendë mbi legjenda u ngrite

Të gjitha ikën e u tretën
Ti mbijetove e paprishur
Ne përkulemi me krenari
Mbi dashurinë e dhimbshme

Orvatjet e armiqëve s’u ndalën
Botë e ashpër donte shembje
Ti mëkoje me qumësht hyjnor
Dhe dashuritë me besë i ngrite!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s