Lindi në vitin 1954 në qytetin e Larisës. Studjoi për mjekësi në Romë dhe psikiatri. Ka botuar 16 vëllime poetike, ka shkruar libra me tregime, esse, kritikë, pjesë teatrale, ka përkthyer poezi italiane në gjuhën greke, etj. Ka themeluar e drejtuar revista të ndryshme letrare. Aktualisht drejton revistën Eksitirion.
Poezia e tij është përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhë si dhe është prezantuar në veprimtari të rëndësishme poetike ndërkombëtare.
PORTRET POETI AFËR TË DYZETAVE
Afër të dyzetave i rastisën bashkë
një martesë e parë e një libër i dytë.
Akt i thjeshtë depozite, ose pjekurie,
Kush e tha? Shpërdoroi gjithçka që kishte
dhe tashmë nga papafingoja e tij e re,
në këmbë, mes miqve të tij, me kostumin
e bardhë linoje, borsalinën e bardhë të dal mode
me kordelën e zezë, ngrë gotën e tij
tek të ftuarit. Fshehtas le ta dëgjojmë:
“Poezia, më të vërtetë them, nuk na shpëton
nga gabimet e së tashmes. Ngushëllim
dhe kompromis na ofron, që të
përsëritim, miq të mi të vegjël të artit,
vazhdimisht të përmirësuar: në një libër të tretë
një martesë të dytë.”
MËSOHESH
Mësohesh të jesh e bukur. Të të paguajnë
drekat. Të kombinosh takat me çantën.
Mësohesh të puthësh e pastaj të hypësh
pa puthje në gojë. Mëson të shikosh TV,
të flasësh njëkohësisht në celular e të
shtypësh në fb. Mëson PIN, IBAN, ID, PASËORD,
NIPT, AMKA. Mësohesh të flësh e përqafuar
dhe vazhdimisht të mendosh dikë tjetër.
NJË JETË
Gabimet e mia ndërtuan
një qytet të tërë
si Athina.
Nga kjo lartësi- ngushëllim i hidhur
të shikoj një Qytet
që gabim u ndërtua:
për shumë dhjetvjeçarë
një jetë gabim e ndërtuar.
Përzgjodhi dhe përktheu: Vangjel Zafirati