Dita ime –Një cigare: Intervistë me poetin Vaid Hyzoti / Intervistoi: Teuta Sadiku

Dita ime –Një cigare

 

                  Vaid Hyzoti

 

Intervistë me poetin Vaid Hyzoti

1- Çdo vëllim poetik të lë përshtypjen e një rikthimi fantastik në vendlindje. Por shija që të mbetet ,ndjesia e kthimit në vendlindje kuptohet që nuk është real dhe i vërtetë, pse edhe ndjenja përshkrimi janë fantastike, janë përmes ëndrrës dhe vegullimeve. Sa e lehtë apo e vështirë është të bësh një udhëtim , një kthim fantastik në vendlindje, qoftë edhe në ëndërr dhe kjo të bëhet temë e një poezie?

Vdeksha po nuk erdha
tek ty vendi im
Këto vite të shumta ,
I harruar jam.
Por beben e syrit
S`mbylla asnjë natë,
Pa të futur brenda..
Se të kam aq larg
Dhe të rruaj me ëndrra.
Vdeksha, po nuk erdha.. ..

Më vjen mirë që hyre drejtpërdrejt në temë, pa përdorur klishetëe si , na thuaj diçka nga fëmijëria, shkollimi e të tjera. Për një emigrant si unë, që ka 22 vite pa u kthyer në vendlindje, në mungesë të një dokumentacioni të plotë lëvizës, kjo do përbënte dhe përbën shqetësimin e dhimbshëm në çdo fjalë. Vërtet nuk kam mundur të vij fizikisht, por asnjë sekond të vetme nuk ndihem larg vendlindjes. Ndoshta për faktin se kam ardhur në Amerikë në moshë pak a shumë të rritur (38 vjeç), kur formimin, shoqërinë e gjithçka e kisha të formuar ose kishte marrë një drejtim. Kjo me “urdhëron” të rikthehem gjithnjë e më shumë dhe më me ngulm atje. Një tjetër shtysë që e them me dhimbje) është një grusht dheu i munguar në varret e prindërve që nuk mund ta hedh. Më ka mbetur në dorë dhe ende e di që ata, të mirët e mi, e presin. Më ka çmendur çdo ditë ideja se në shtëpinë time në Tiranë kam lënë hijen time për një kohë kaq të gjatë dhe hija frymon kujtimeve. Pa folur më gjatë për mjediset shoqërore dhe letrare që këtu më mungojnë.
Atëherë, pse nuk kthehesh, do thuash ti dhe kushdo në mënyrë të vetvetishme. I kam këmbët me gurë të rëndë. Nuk po mundem t’i tërheq dot. Prisja rritjen e fëmijëve dhe shkollimin e tyre. I solla këtu të vegjël. Për të dy gjuhë e parë është anglishtja.Sado që u flasim shqip dhe kuptojnë, përsëri nuk mund ta ndërrojnë. Se shkolla dhe në tërësi Amerika ka një peshë më të madhe se zëri ynë. Kështu ata në këto kushte nuk mund të përshtaten lehtë për shkollim dhe jetë në Shqipëri.
Tashmë fëmijët u shkolluan dhe të dy kanë filluar punë, pas master-it. Ndërkohë një “gur” i rëndë, madje më shumë se sa e prisja është mbesa ime që ende nuk ka mbushur dy vjeç. Këto dhe probleme të tjera e bëjnë gati të pamundur ardhjen e shpejtë në Shqipëri…Eh, është një kohë biblike pa ardhur, por legjendat po përsëriten dhe në kohë moderne për ne shqiptarët…

2- Ju i shkruani në gjuhën shqipe vëllimet me poezi, në një kohë që përreth jush flitet anglisht apo edhe gjuhë të tjera.
Si është të shkruash poezi në shqip edhe përreth të flitet anglisht?A kini provuar të shkruani në anglisht poezi?

…Jam pacient i ri nga një vend i largët
Dhe më japin të plotësoj një formular spitali
Nëna dhe babai nga çfarë sëmundje vuanin
Marr një pikëlot tek syri
Shkruaj nga malli…

Po, në shqip shkruaj sepse ndihem më komod. Jo vetëm për gjuhën, por poezia nuk shkruhet nga unë. Shkruhet vetvetiu. Dhe më vjen vetëm në shqip. Edhe në komunikimin e përditshëm në punë (në një front desk) hera -herës harroj dhe u them mes të tjerave ndonjë fjalë shqip. Në fillim ishte e vështirë, se erdha këtu pa ditur asnjë fjalë anglisht. Punoja me italianë dhe në bisneset e tyre meqë njihja gjuhën. Por eshte domosdoshmeri dhe e perditshme anglishtja. Në New York fliten 180 gjuhë. Mbase 80% flasin keq dhe me akcent anglishten. Por kjo nuk përbën humor tek askush. Amerika është komb emigrantësh. Kur provoj të shkruaj anglisht shkruaj unë dhe mbase imazhet vijnë më mirë, por ndjenja mungon. E përsëris:Në shqip poezia më shkruan mua. Dhe mbase e keni parë dhe vërejtur që poezia ime rreh nga ndjenja.

3- Tema e emigrimit, e emigrantit është një temë shumë rrahur nga ju në poezi.Një temë e cila e bën çdo lexues të adhurojë poezinë tuaj, jo vetëm se ka elementë autobiografikë, por është një vërtetësi e dhënë aq bukur artistikisht. Është pikërisht fakti i dhimbjes personale frymëzimi juaj , apo është përsosmëria, aftësia juaj, e një poeti të afirmuar tashmë të trajtoni këtë temë kaq delikate dhe ta ngrini në art dhimbjen.

….Në çdo derë që trokas
Më kërkojnë biografinë
Nga vij , ku shkoj ,a kam një gram shkollë…
Plotësoj me zë çfarë harroj me shkrim,
Të gjej një punë,të përsos një strehë
Të kem një zë dhe unë tek të gjallët
Bota biografinë vetëm në letër e sheh
Brenda meje bota nuk mi sheh varret .

Besoj se e kam provuar hidhësinë e emigrimit me tërë peshën e saj shtypëse.Ia kam ndjerë dhe vazhdoj t’ia ndjej dhimbjen akoma. Mbase vitet duhen shumëzuar për dy me trishtimet që më dhanë.Unë nuk e di a jam i afirmuar apo jo. Madje do të thosha se pas vitit 1986, kur përfundoi maratona e botimit të vëllimit të pare “Zërat e ditës së re” e vendosa të mos botoja më (jo të mos shkruaja dhe të grisja),se shkruaja dhe grisja gjithnjë, pa u nxitur të botoj qoftë dhe një cikël të vetëm. Poezitë e vëllimit të dytë “Qyteti i të marrëve” në New York 2006 erdhën si nxitje nga Petraq Risto që e takova këtu dhe më tha që ka nje shtepi botuese “Globus R” dhe më premtoi botim të lehtë, pa fitim. Ia nisa i dyzuar me veten se po shkelja një vendim. E përgatita brenda javës. Shumë poezi i mbaja mend, se isha mirë me kujtesën, ndonëse pas të hedhurit në letër i kisha grisur. Është një vëllim që dhe sot e mbaj të ngrohtë për dhimbjen, lirizmin dhe emigrimin e trishtë…Petraq Risto, Ilirjana Sulkuqi, Albana Melyshi, Roland Gjoza ( me të cilin banonim në të njëjtën lagje për 10 vite rresht e kam patur ndër miqtë më të afërt, në saj të njohjes së hershme) e mjaf të tjerë më grishën të shkruaj dhe të botoj.
Nxitje u bë dhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia që e drejtonte miku im i rrallë Llazar Vero. Atje kam parë ndër grupimet e rralla të shqiptarëve intelektualë ose jo, ku festa e promovimeve ua kalonte shumë të tillave që bëheshin herët në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve. Madje llogari pse nuk punoja më kërkonte gjithnjë miku i jetës sime, i paharruari Betim Muço që jetonte në Maryland.

4- Poet lind apo bëhesh .Në poezinë tuaj ndjehet dhimbja e përshkruar në gjithë thellësinë e saj ,po aq sa ndjehet edhe e qeshura e çuditshme deri në tallje me veten, me poetin. Kush është mendimi juaj.

….. Parkuar pranë pallatit tim kjo taksi e zezë
Unë pas xhamit bëhem më i sterrtë
Babai im nuk është më
Unë smund ta përcjell
Taksia pret dikë
ta çojë në aeroport
S`e di a duhet të përgatitem për në morg….

“Poet lind apo bëhesh”-pyetje e dëgjuar shpesh. Unë nuk e di a jam poet akoma. Do besoja se jam lexues “i talentuar” i poezive të bukura. Shqipëria dhe bota ka shumë poetë të mrekullueshëm .Nuk dua të përmend emra se nuk do mjaftonte e gjithë gazeta Nacional t’i mbante. Padyshim unë kam ata të veçuarit e mi. Neruda është në krye të listës.Vërtet kam shkruar herët, por nuk kam dashur t’i përkushtohem letërsisë. Në shkollën e mesme pëlqeja më shumë stereometrinë për nxitje të përfytyrimeve. Mbase pse kisha profesor I.Gashin ndër të rrallët metodiste shqiptare dhe tepër i ditur.Por botoi i ndjeri Vath Koreshi në “Drita ” një cikël timin me poezi dhe i kishte pëlqyer dhe Dritëro Agollit, i cili në shkrimin e tij për ditën e poezisë me titull ‘Nga vjen poezia” më përmendte dhe mua dhe kjo ishte “mbleseria” nga komiteti egzekutiv të më çonin për letërsi në fakultetin Filologjik.
Më konkretisht në lidhje me pyetjen në se bëhesh poet apo lind. Unë që 16 vjeç kam dalë nga shtëpia e prindërve me shkollë apo me punë,pra jam rritur me shokë. Poezia është një impuls i brendshëm shpirtëror dhe njerëzor. Mund të krijojmë metafora e të flasim me gjuhë idiomatike, por të pambrujtur me shpirt, nuk mund as ta cikim poezinë. Mbase duhet thënë se poeti është qenie e ndjeshme dhe e formuar (“e bërë”) nga jeta dhe formimi. Mbase kjo është arsyeja se në gjykimin e sotëm habitem pse libraritë rrudhin buzët të pranojnë vëllime poetike. Se poezinë po e shkruajnë të gjithë dhe grami po mbyt dhe ato që kanë vlera; ndërkohë dhe as në Turqi nuk shihen e ndiqen me aq pasion telenovelat turke. Kujtoj se në vitin e parë të gjimnazit kur lexova “fshehtazi” “Ura e psherëtimave” e quaja librin më të madh të botës dhe isha krenar.Sot përqesh veten.Në se jeton në kuptimin e vërtetë të fjalës , në se ndjen dashuri e dhimbje të thellë, poezinë e ndjen edhe pa qenë poet .

5- Çfarë është ajo që ju shtyn të shkruani nga takimi dhe njohja me tipa e karaktere të ndryshëm,që nga bosa, biznesmenë, lypsarë, surrogate ,emigrantë.Dëshira për t`u bërë zëri i tyre, apo gjendja ,egzistenca e poetit brenda jush ?

..fëmijët e tu në rrugë ecin zbathur
Pangopësi e tyre në shpirt të dhemb
dhe pranove të bëhesh surrogate
ti falësh një vezë të mitrës tënde
që fëmijët të ngopur të flejnë në mbrëmje…

Ta dija se çfarë më shtyn të shkruaj, cilat tipa, cilat shtresa shoqërore, cilat lule , do i ndiqja. Sa më shumë të lexosh dhe sa më aktiv të jesh në jetë me njohje dhe lëvizje e di që fiton ngacmimet e fillon të shkruash. Dhe unë nuk e kërkoj por mjaft ngjarje i përjetoj. Dikur në adoleshencë vuanim për një përkëdhelje dashurie t` ia falnim ” asaj”, ndërsa sot vuaj më shumë të ndihem i vlefshëm për familjen, fëmijët e mi, të përjetoj dhe vuaj për një jetë që më duket se ka shkuar fare kot, të shmall mallin e malltë për njerëzit e mi që i kam larg, të vuaj për vendet dhe ditët që kam lënë pas. Ja që vjen një kohë e gjithçka rend marramendshëm. Dhe pengjet e dashurisë (jo vetëm dashurore), njerezore po vargohen pambarimisht.

6- Në se do ju jepej mundësia të ndryshonit diçka në sallonet poetiko-letrare ,apo çmimet në konkurse e festivale në faqet elektronike, rrjetet sociale shqiptare, çfarë do ndryshonit?

….Se poezitë nuk shkruhen veç me letër e me penë
Apo në tastierën e internetit
Ato ndihen në fërshëllimën e erës
Shkruhen në ajër
Me mollza gishtash
Me ngashërim të zemrës….

Kuptohet se do mbetemi vetëm tek “Nëse`’, se jam i pafuqishëm.Çfarë do ndryshoja.Të parin falsitetin.Lavdinë false. Siç thotë në një poezi Petraq Risto, gradat e kësaj lavdie janë të akullta dhe shpejt shkrijnë. Por duhet ngrohtësia njerëzore ta mbështjellë njeriun të shohë vetveten më te vërtetë. Është dhimbje dhe turp i pafalshëm për të gjithë se vetëm kur iku në amëshim e qamë dhe njohëm meritat poetike të Frederik Reshpjes, bie fjala.Sa pak flitet në ditët e sotme për poetët e vërtetë e me vlera të cilët janë akoma gjallë. Nuk është se nuk i lexojnë apo nuk ua kuptojnë vlerat , por kanë frikë t `i përmendin se mos u humb madhështia e tyre. Një tjetër që do bëja “nëse…” do ta nxirrja nga moda të vargëzuarit, gjithashtu do ringjallja e do i jepja emër kritikës letrare. Ajo është pothuajse e mbaruar. Dhe hithrat rrëzë mureve i shet për tulipan hollandes. Në një shkrim të dikurshëm të Klara Kodrës viheshin pikat mbi “i” përse nuk mund të ecë kritika. Dhe e di që nuk do të ecë për një kohë të gjatë. Kemi një shtet që kulturën, artin e ka lëndë plotësuese në shkollë. Asgjë nuk bëhet.Konkurset dhe çmimet vjetore janë gjithnjë të përfolura.Shpejt do vijë koha të jepen çmime për vepra të pashkruara mjafton autori t`i ketë thënë një njeriu “me peshë” kur ka qene i dehur se ëndërron të shkruajë aksh vepër. Shumica e shkrimtarëve dhe poetëve mendojne se shkruajnë kryevepra dhe vetëm kryevepra.Këto do t’i zhdukja “nëse…”
Në do të kisha fuqi nuk do lejoja asnjë botim me pagesë. Shkrimtarët shtrydhen për t`u majmur botuesit. Ndërkohë kush ka mundësi ekonomike dhe dëshirë për lavdi të madhe boton 10 libra në vit! Vetë nuk jam nxitur të botoj. Vërtet nuk kam harxhuar asgjë nga botimet e mia të pakta (8 libra gjithsej në tërë këto vite), se i jam mirënjohës botuesve të mi Ristos dhe Rexhep Shahut te “ Klubi I poezisë “, por e di që kanë gjetur sponsor dhe libri me ato pak kopje dhe shumë njohje të mia ka ecur..
.
7- Proza apo poezia,cila nga këto është më e preferuara për ju.

…Erdha në Nju Jork për rritjen e tim biri.
Erdha ,
ndonëse e kisha lexuar disa here porosinë e Markesit
latinit të çmendur pas të vërtetave e magjive
se në ktë qytet vine ata që vendosin për të vdekur…

Në Amerikë nuk je kurrë me kohë të mjaftueshme edhe nuk punon rregullisht. Në New York të bësh një pazar të rënde do harxhosh një gjysmë dite. Zakonisht dy-tre orë në ditë t’i merr udhëtimi vajtjeardhje nga puna. E përmend këtë fakt sepse rrallë gjen përqëndrimin të ulesh të punosh gjatë në prozë, sidomos në prozën e gjatë.Gjithnjë “e lë për nesër” dhe nuk di kur do të vijë e nesërmja. Poezia shkruhet shpejt. Në rrjetet sociale e hedh si synops. Kam miq që me flasin sinqerisht dhe nuk më ngjyejnë me mjaltë. Janë pak të tillë, por që u besoj dhe kur flasin dhe kur heshtin. Ndonëse kam dy libra në prozë ndonëse tregimin e shkurtër e pëlqej shumë, por shkruaj më shumë poezi, se e shkruaj ” në këmbë”.

8- A ka ndonjë poet a shkrimtar që ka ndikuar në jetën apo dhe krijimtarinë tuaj, për sa i përket poezive të shkruara me aq dhimbje , për nënën, babain, vajzën, djalin ,gruan .Siç thotë dhe miku juaj Roland Gjoza, vargu tënd del gati nga një dhimbje për vdekje.

….Oh,nëna ime , thirra dhe unë I tronditur
Ende pa u çliruar nga pesha e ëndrrës.
Se jam kaq larg për vite e vite
Jam fëmija I përmallur
Për varrin e nënës….

Për prindërit e fëmijët kanë shkruar gjithë poetët e botës. Nuk mund të bëj përjashtim se vepra e Eseninit, si tek shumica e moshatareve te mi, ka lënë gjurmë tek unë. Librin me lirika të tij e mësova përmendësh thuajse krejt në gjimnaz.Që atëherë nuk e kam lexuar më. Në fakultet u ndjeva inferior me shumë shokë që kishin lexuar autorë që atëherë as i njihja. Kisha në kurs Ardian Vehbiun e Shaban Sinanin që ishin nga të rrrallët. Me një autorizim “shoqëror” m`u dha e drejta të lexoja në Bibliotekën Kombëtare dhe librat ” e verdhe’.Dhe gjatë vitit të parë në fakultet e detyrova veten të lexoja së paku 1000 faqe letërsi tinës të tjerëve. Jo se isha ziliqar për njohuritë e shokëve, por ndihesha ngushtë dhe shihja si guak të tjerët. Gjithsesi libri i parë që kam lexuar në jetë nga autorë të njohur ishte “Princi dhe i varfri” i Mark Tuenit dhe mbase ka qenë startim për t`u bërë sadopak poet I dhimbjes njerëzore . Dhe kur këto dhimbje I përjeton dhe i ndjen fort në shpinë këtu në emigrim, atëherë poezia u shkrua vetë.

9- Lirikat e dashurisë nuk janë të pakta në vëllimet tuaja poetike. Si perceptohet dashuria nga ju , një forcë jete si njeri në radhë të parë e pastaj si muza tuaj në poezi , apo një dëshirë e preferuar e lexuesve tuaj të shumtë.

…Një jetë- të krijoja ty.
Dhe mbete portret I pambaruar.
Çdo burrë paska detyrë të vështirë,
Të krijojë një femër-gjysmën e botës së tij,
Të bindë veten se në jetë,
Ka dashuruar….

Nëse do ishim të sinqertë me veten, më shumë se 90% të kohës së të përjetuarit të njerzve, ështe dashuri. Nuk flas vetëm për dashurinë ndaj femrës ,flas që dhe dhimbja, dhe kujdesi për fëmijët e shqetësimi e meraku i përjetshë për ta, dhe të ikurit, dhe përmallja etj, janë dashuri, qoftë si elegji, qoftë si baladë, qoftë si psherëtimë. Është e vërtetë se në librat e mi ka shumë poezi dashurie. Sepse dua të hyj apo, më saktë, të shkoj tek njeriu. Se dua te shoh njeriun e të shfaqem me astaret e shpirtit të kthyer. Se nëse nuk ndjejmë dashuri , nuk jemi më njerëz. Ndaj është i njëjti pasion rinor në këto krijime.

10- Planet tuaja për botim të ri janë së afërmi , në prozë apo poezi.

Dil nga fshehtësia ,shfaqu , lermë të lexoj prapë
Buzët më djegin akoma,
Përsëri lënë shenja ..
Me të drejtën e autorit poezitë dua të marr,
Në mos të krijoj tek ty,
Poezi të reja.

Plane? Hahaha…unë nuk bëj kurrë plane për botim. Mbase nuk botoj më asnjë vëllim. Nuk them që nuk shkruaj. Nuk them se jam konfort me cikle në shtyp apo poezi në rrjetet sociale, kryesisht në facebook. Nuk them se gjithçka shkruaj ia vlen të botohet. Por shkruaj dhe hedh shënime çdo ditë tashmë. Kur më premtohet botim nga miq a sponsor, mbase botoj. Ftoj miqtë e mi poetë dhe si teknikë e njohës të kompjuterit ,(vetë kam një injorancë jo të pakët) .Librin e fundit “Dita ime-një cigare ma përgatitën për botim Sulkuqi, Risto e Berki. Shkruaj tregime dhe poezi. Mbase pse kam shkruar ndër vite shumë recensione për miq krijues, do të doja ta botoja një përmbledhje. Por ana teknike dhe botimi me pagesë ma pengojnë dhe ma humbasin dëshirën.
Gjithsesi, mbase si gjithnjë rastësia do të sjellë për mua lajm të saktë botimi.

 

Teuta Sadiku

Amerikë-Tiranë .Prill 2020.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s