Poezi nga Fatbardha Behri Kaçi
…dhimbje…
E palëndë, mugëlluese, kjo ëndërr-zhgjëndërr:
Krahë korbi coptojnë fytyrë të Hënës.
Në zjarr të syve të Homerit ,
rënkojnë në përcëllim fjalë-fije bari .
Flokë Meduze kallamishtet këngëtare.
Mbi to pikëlojnë lot argjëndi të zogjve.
Vajtojnë shelgjet, shtangin shtojzavallet.
Pulëbardha shprese ,pikiatë vrastare,
nën vështrim të sfinksit …
Klithin plot tmerr gojëzat e luleve,
se valëz bleroshe në dhëmbë betoni përpëlitet.
Zvarritet në brinjë të liqenit,
gjarpër i frikshëm.
Buna rënkon. Rënkon e gjimon.
Kthetra hekuri në trup të njomë.
Përgjakur ninull nëne e saj.
Pak frymë jete i mbetet, ndaj qan e qan ….
Oh, dhimbja më zgjon.
S’është ëndërr por zhgjëndërr llahtari.
Dhuratë e Krijuesit kjo perlë e Shkodrës,
në nofull kuçedre gri-zi …