Fragment nga romani “Vajet e Pranverës Mashtruese” / Bajame Hoxha – Çeliku

Bajame Hoxha – Çeliku

Fragment nga romani “Vajet e Pranverës Mashtruese”

***

… Më së fundi doli nga ferri, Avdulla Nela. Trimi u dënua dy herë. Ishte ushtar në Gjirokastër gjatë provokacioneve të grekut në gusht të vitit ’49. Pasi e mbaruan shërbimin e detyrueshëm ushtarak, datën e lirimit ua shtynë. Avduallai, djalë i ri, plot ëndrra, mezi priste të kthehej pranë familjes. I pyeti: “Pse nuk po lirohemi?” Pyetja u quajt armiqësore. Padurimi i kushtoi 101 vjet burg.
I dënuari i përjetshëm humbi çdo shpresë. Një natë të gjatë dimri kur po dridhej nën një batanije të hollë në kaushin e ngushtë, sa po dremiste, e viziton në ëndërr dikush. Hije pa fytyrë. I afrohet. Shtrinë krahët, ngre dy duart me gishta të hapura, e qëllon fortë mbi gjoks. Bërtet me sa zë kishte: dhjetë!
Ndoshta i ishin dashur disa ditë që t’i largohej dhimbja nga gjoksi.
Nuk shkoi shumë, i vjen dekreti i presidiumit: nga 101 vjet, i zbriste dënimi në dhjetë.
Në vitin 1979, kur fushata e arrestimeve po bënte kërdinë, Avdulla Nela arrestohet në kampin e Savrës, për herë të dytë. Dënohet me 10 vjet të tjera heqje lirie. I vuajti në burgjet më të tmerrshme të diktaturës.
Pasi mbaroi burgun e parë, martohet me Biden, krijon familjen aq të dëshiruar. Nga martesa, pati dy djem e një vajzë: Gëzimin, Nesiben dhe Baftiarin. Kur familja Nela jetonte e qetë, rriste tre fëmijë të bukur si drita e diellit, brenda internimit, u ndodhi hataja!
E shoqja, që fare e re i kishte provuar të gjitha kampet e egra të shqipërisë: nga Berati në Turan, në Tepelenë, dhe tani do të vuante burgun e të shoqit bashkë me fëmijët e mitur, duke hequr pikën e zezë në kampin e Savrës.
Avdullai kishte një motër të bekuar, Hajrijen, martuar me një burrë zotëri, Ali Bashën nga Shishtaveci i Kukësit, që fillimisht, jetonin në qytetin e Tepelenës e më pas në Mamurras. Aliut nuk trembej syri nga sistemi komunist. Ai në burgun e parë, e ndihmoi pa pushim Avdullain, sepse asaj kohe, ishte beqar e nuk mund ta ndihmonte askush, ta ndiqte burgjeve përveçse motrës dhe të shoqit të saj. Gjithashtu, dhe në të dytin ai burrë xhymert nuk u kursye, sepse e keqja nuk kishte të sosur për të kunatin. Le vetë i ziu, që ishte syrgjynosur thellësive të burgjeve, por kishte lënë pas dhe gruan me tre fëmijë të mitur. Aliu duke i pasur tashmë fëmijët e tij të rritur, e të shkolluar mirë, nisën ta ndihmojnë jo vetëm atë brenda hekurave, po dhe familjen e lënë në internim. Ata, punën më të mirë që bënë, i tërhoqën vajzën nga kampi, për ta çuar atë në shkollë të mesme. Si bijë armiku, asaj nuk i lejohej të ndiqte gjimnazin në Lushnjë, dhe duke e mbajtur aty, brenda gjirit të familjes së tyre në Mamuras, ajo mundi të mbaronte shkollën. Nga ana tjetër, herë-herës, gjatë viteve, mundoheshin t’i dërgonin familjes së tij ushqime, pasi, fëmijët po rriteshin jetim pa baba. Nëna e drobitur mezi përballonte jetesën dhe punët e rënda, të tmerrshme, se të ishe e vetme dhe ca më shumë, me burrin në burg, të shtypnin me këmbë.
E madhe qe ndihmesa e fëmijëve të tij, vajzave: Dudies, Selvies, Liljanës; djalit Mehmetit, inxhinier në fabrikën e superfosfatit në Laç. Fëmijët e Ali Bashës patën forcën, guximin, si rrallëkush, ta vizitonin dajën edhe në kampin e Savrës.
Dudija e Hyqmet Beqa, kushëriri i tyre, që sapo kishte kryer studimet e larta, nuk ngurronin të dukeshin më shpesh, po edhe vetë Ali Basha e merrte këtë guxim. Ndihej krenar Avdulla Nela kur shihte veten të rrethuar nga nipa e mbesa, që e donin dhe e vlerësonin si në barakën e kampit, edhe te shtëpia e tyre në Mamurras, kur u lirua.
Dhe të tjerë ktheheshin në kampin e Savrës, të paktën për disa orë, ku takonin të afërmit. Një ndër ta qe Sulejman Noka, të cilit shkurt i thërrisnin Sulo Noka, ndihmësmjek në spitalin e Tiranës. Me gjithë të birin, Osmanin, vizitonin shpesh familjen Çeliku, pasi ai ishte nip tek ata dhe më vonë, e bija, Sadete Noka, profesoreshë e gjuhëve të huaja, do të kontribuonte me dashuri e drejtësi, bashkë me të shoqin Abedin Shahinin, profesor fizkulture, që djali i Life Çelikut, Dritani, të fitonte konkursin për violinë në liceun artistik në Tiranë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s