Drejt Vlorës shkohet me këngë / Nga: Timo Mërkuri

Drejt Vlorës shkohet me këngë

 

Nga: Timo Mërkuri

Kështu, me këngën “Moj Vlorë e bukur në gropë/moj Vlor-o” në gojë u nis drejt Vlorës më 1920 çeta e Pilurit nën komandën Kapedan Kolë Mërkurit për të “hedhur italianët në det”. Se drejt Vlorës vetëm me këngë në gojë mund të nisesh, vetëm kështu ka lezet. Dhe “lezeti” sa vjen e rritet kur nisesh që të shpëtosh Vlorën nga “breshkaxhinjtë e breshkamadhit”, prandaj në se u nisën 39 djem e burra, prapa u erdhën edhe 20 të tjerë, që i aritën shokët në betejë e sipër dhe më pas bashkërisht kënduan e hodhën valle në 3 shtator të atij viti zulmëmadh në mes të Vlorës së çliruar.
Shkuan njëqint vjet që nga ajo ditë dhe prapë sot drejt Vlorës u nis grupi i Pilurit për të festuar atë ditë të bukur çlirimi. Janë nipërit dhe mbesat e atyre që luftuan në njëzetën dhe domosdo që e dinë se drejt Vlorës shkohet me këngë, prandaj ja nisën këngës së tyre të re me tekst të Kristo Çipës, marrëse Parashqevi Çipa dhe Leni Mërkuri, kthyes Dhimitraq Bala dhe hedhëse Valentina Gërdhuqi, iso Kristo Çipa, Petra Q. Gërdhuqi, Agron Kreku, Themistokli Polo etj. Se si shkonte kënga rrugës nuk ua them dot se dhe ju s’do më kuptoni po t’ju them se këndonin si një korr ëngëjsh të gëzuar, por për t’ju shuar kureshtjen po ju tregoj tekstin dhe për vijën melodike do flasim herë tjetër.

Vlora e tha të vërtetën

Hapu det se vendos vetë!
Populli thiri lirinë
Malet zunë e shtyjnë retë
Dhe trimat largojnë ushtrinë
Përreth Vlorës-o

Furtuna zgjoi Evropën
Nuk ron dot trupi pa kokën
2
Ata burra komisioni
Sa ushtarak aq shënjtorë
Tre muaj revolucioni
Na mblodhën bashkë një dorë

Dhe thërisnin gojë më gojë
Dhe në sulm dhe në llogore
Shqipëria do të rrojë
Se e ka zemrën prej Vlore

Lufta jone popullore
Me shume se bombe berthamore
3
Trimat që bënë historinë
Si yje mengjesi shkuan
Amanet lanë Shqipërinë
Cipë drite nëpër duar

Na mbeshtjell një errësirë
Që kur është zënë dynjaja
Ne që kemi mbjellë lirinë
Na thahen lulet e saja

Njëqind vjet si vesë u tretën
E kërkon koha njëzetën
Vlora e tha të vërtetn
Pa bashkim s’dryshojmë dot jetën

Mirë ju thashë që drejt Vlorës shkohet me këngë dhe këtë besoj se e kuptuat, por këtë e kishin kuptuar edhe grupet e fshatrave të tjera që qenë nisur në drejtim të qytetit nëpër ato shtigje nga qenë nisur njëqint vjet më parë gjyshërit e tyre, mbledhur nëpër çeta luftëtarësh.
Kështu shpjegohet që drejt Vlorës “derdheshin” nga gjithë Labëria dhe Bregdeti “përrenj” njerëzor që tundnin vendin me këngë trimash. Tekste që shkrepnin si dyfeqe e hedhësat që e ngrinin zërin në kupë të qiellit, si thirrje për sulm përmbi tela. Dhe një iso e ngrohtë si toka që priste e mirte në gji të rënët për liri. U mbush dita me këngë lapidarë, u kujtuan emrat e heronjve “dyfek lidhurë me gjalmë”, llogoret me tela e gunat përmbi to, topi që qëllonte përmbi ta dhe përgjigja e tyre në këngë…s’na lënë gjylet të flëmë/ do këndojmë apo çdo bëjmë/ a do ngrihemi më këmbë (në valle)”.
Se që ta dini mirë ju, në Vlorë jo vetëm që shkohet me këngë por domosdo që këndohet edhe kur luftohet. Se s’ka lezet lufta pa këngë more mik. Ca më tepër që ska kush e shkruan luftën veçse kënga, se ajo nuk haron e nuk vdes kurrë.
Të tërë këndonin këngë trimash, se dihet që kënga labe për këngë trimërie është stisur.
Në një moment në skenë u ngjit grupi i Pilurit me një të ecur të lehtë, si çap thëllëze gur mbi gur dhe me një të qeshur që u ndrinte gjithë fytyrën, sikur donin t’u thoshnin të pranishmëve; këmi festë apo çkemi? Atëherë do këndojmë si për festë dhe do ti vëmë “këngën kurorë” kësaj feste…dhe ja nisën me stilin e tyre karakteristik këngës me tekst të Kristo Çipa, marrëse Leni Mërkuri, kthyes Dhimitraq Bala, hedhëse Valentina Gërdhuqi. iso Kristo Çipa, Petra Q. Gërdhuqi, Agron Kreku, Themistokli Polo etj

Këngën ma vini kurorë

O moj ti bota e rreme
Më ke lënë me plagë zemre
Për një dashuri që keshe
Për një bijë mbretëreshe

Atja ne Pilur më zgjodhe
Dhe me mua dashurove
Po ti kurre su martove
Unazë zërin më kërkove

O moj ti kënga e djepit
Je jastëk i amanetit
I the: ulu në gjunjë mbretit
Unë jam porta e xhenetit

Kur të dalë ylli në Vlorë
Zemrën ma merrni në dorë
Këngën ma vini kurorë
Thoni ishin dy dashnorë…

Të shkosh në Vlorë domosdo që do këndosh. Ska rëndësi në do ja marrësh këngës ti vetë, do shoqërosh me iso apo nën zë grupin që këndon, ashtu siç shoqëronin të pranishmit këngën kurorë të Bejkës së Bardhë të Pilurit. Dhe sigurisht që do jeshë si sot pjesë e duartrokitjeve dhe ovacioneve, që si një erë e ngrohtë bënë që të çelnin si trëndafila buzëqeshjet në fytyrat e artistëve pilurjotë, tek tundnin palët e flamurit në valvitje.

2 shtator 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s