Jorge Leònidas Escudero
Kalendari poetik: Jorge Leónidas Escudero (1920-2016)
Sot, më 4 shtator, mbushen 100 vite nga data e lindjes së poetit argjentinas Jorge Leónidas Escudero. Në rini filloi studimet për agronomi, por i ndërpreu dhe filloi studimet për mineralogji, i kapur nga “ethet e arit”, u bë kërkues ari. Nuk pati sukses si kërkues ari; por ato vite e ndihmuan të bëhej poet me emër në vendin tij. Librin e parë e botoi në moshën 50 vjeçare dhe arriti të botonte 23 libra sa qe gjallë. Ja shqipërimi që sjell në 100 vjetorin e poetit:
SHKREPËTIMË
Një natë kur qiellin kundroja
dhe së largu, një fushë të errët pashë
ta përshkonte një shkrepëtimë.
Qe sikur të shihja të ndizej një mendim
në prag të një tjetër bote.
Sikur në fund të shkretëtirës
një dritë donte të ndizej por
kaloi
shpejt
dhe në terr mbeta.
Sikur pafundsia
një të fshehtë deshi të më thoshte
dhe kur pa
që mungon ende shumë tek unë
heshti.
© shqipëroi Maksim Rakipaj