Fabula nga Ilaz Bobaj

Fabula nga Ilaz Bobaj

 

BISEDA PËR NDARJET

-Unë jam ndarë dy herë,- tha pula e kuqe.
-Ndërsa unë,- shtoi zogëza,- plot tri herë.
Arsyeja është: nuk mund të pajtohem,
me këdo që nuk më shkon në karakter.
Tha rosa:- Ky që kam është rosaku i katërt,
u vura drunë tre rosakëve të tjerë.
Ndërhyri një grifshë, që rrinte majë pemës:
-Jo për mburrje, por unë jam ndarë shtatë herë.

 

TË MARRËT NGA SHTATË KRAHINAT

Të marrët nga shtatë krahinat,
erdhën u mblodhën gjithë ç’qenë.
Thanë :- Do shpëtojmë këtë popull,
frenat do t’i marrim vetë.

Tha një plak:- Dikur të mënçurit,
mblidheshin dhe bënin punë,
ndërsa sot mblidhen të marrët,
mjerë ne, lumë e për lumë… !

Një i marrë:- Sot, ç’janë të ditur,
s’i përfill askush në botë,
ndërsa ne na hapin rrugë,
marrëzia bën epokë.

 

KANDIDATI

Trokitën zgjedhjet e reja,,
kandidat kërriçi i pari.
Thanë kafshët:- S’gjetët një tjetër,
ndryshe nga ky zog gomari?

Kafshëve që kundërshtonin,
përgjigje u dha iriqi:
-Kur është kandidat gomari,
pse të mos jetë dhe kërriçi?

 

DOSA PLOTËSON TË DHËNAT FAMILJARE

Dosa plotëson të dhënat,
në regjistrat familjare:
-Kam dhjetë gica porsi yje,
çamarrokë, të vegjël fare.
Dymbëdhjetë gica larashë,
i kam bërë me tjetër bark.
Me një derr të bukur shumë,
një tufë gicash linda vjet,
tani s’më kujtohet mirë,
ishin tetë a ishin dhjetë.
Një barku s’ia di babanë,
s’di me kë shkova dikur.
-Ke tjetër?- i tha nëpunësi.
-Harrova…kam dhe një burrë.

 

PËRZGJEDHJA

I thanë zogut fluturak:
-Do të zgjedhim në Kuvend.
-Kjo gjë, zotërinj partiakë,
nuk më duket punë me mend.

S’e lë dot gjithë hapësirën,
ku e kam lirinë, liri,
për t’u bërë robi juaj,
të rroj me hipokrizi.

Dhe u ngrit në qiell sipër:
-Kush do liri, s’vë kapistër.

 

ZGJEDHJET E REJA

Pylli ishte në prag të zgjedhjeve,
gumëzhinte si zgjua bletësh,
ditë e natë e shkonte pa gjumë.
Edhe kandidatët për post ishin shumë.
-Të mendojmë,- tha delja,- me mendje të kthjellët,
të zgjedhim më të mirin prej nesh,
atë që sheh më larg se të tjerët.
Ndërhyri një mi, që rrinte majë kashtës:
-Po të jetë ashtu, i takon xhirafës…

 

LUANI SHKARKON MINISTËR MAJMUNIN

Si e shkarkoi nga ministër,
majmuni nis nga të sharat:
-Mbreti është i korruptuar.
Dhe nis i nxjerr të palarat.

E dëgjon një ka i urtë:
-Çfarë ministra zhgaravina,
kur janë në post, rrinë si lepuj,
kur ikin, hiqen si trima.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s