Arti gojor shqiptar, Milman Parry dhe …Petrit Ruka / Sprovë nga Timo Mërkuri

Arti gojor shqiptar, Milman Parry dhe …Petrit Ruka.

Midis viteve 1933 dhe 1935 Milman Parry[1], në atë kohë asistent profesor në Universitetin e Harvardit bëri dy udhëtime në Jugosllavi, ku studioi dhe regjistroi këngë të artit gojor serb dhe boshnjak së bashku me ndihmësin e  tij  Albert Lord dhe Nikolla Vujnović. Ata punuan  kryesisht në Bosnje dhe konkluzionet e tyre njihen. “si teoria Parry-Lord”.

1-Teza e Milman Parry[2]  që buron nga studimi i tij mbi artin gojor popullor (prej nga konkludon mbi krijimin homerik Iliada dhe Odiseja ) ku thekson se …dy epet jo vetëm janë të ngritura mbi bazën e traditës, por i takojnë asaj vetë, janë produkt i  traditës gojore, të krijuara përmes improvizimit jo në kuptimin ex nihilo, por të formësimit kreativ të traditës… Me pak fjalë, teza e Parry “sqaron” se rapsodët nuk e mësojnë (zotërojnë) tekstin përmendësh kur e këndojnë, por e improvizojnë[3] atë gjatë procesit të të kënduarit. Si pika orientimi kanë disa vargje që tregojne momente kulmore të subjektit dhe hapësirën mes tyre e mbushin me vargje të improvizuara gjatë procesit të të kënduarit. Kjo argumentohet, sipas tyre, me faktin se;

a)-njeriu i zakonshëm nuk mund të mbajë mend të gjitha vargjet e një kënge epike, një balade etj.

  1. b) Gjatë regjistrimit dhe riregjistrimit të të njëjtës këngë të kënduar dy herë nga i njëjti këngëtar, ndodhnin ndryshime, shtesa dhe paksime të vargjeve. Këto ndryshime dhe shtesa të vargjeve, sipas tyre dëshmojnë krijimit improviziv të këngës epike ose baladës, i cili  ka sjellur edhe ritjen e tekstit nëpër vite dhe epoka të ndryshme …etj. etj.

Tezat Parry-Lord kanë  lënë gjurmë në teorinë e artit oral edhe në vendin tonë[4].

Ndikimi i këtyre tezave në rafshin europian ka aritur deri aty, sa që kur flitet pёr ekzistencën e baladave, nё pёrgjithёsi nё arealin ballkanik përmenden ato tё serbëve, kroatëve, bullgarëve e maqedonasve; ndërsa kur flitet pёr baladat shqiptare dhe rumune thuhet  …se ato kanё traditat e tyre ku ёshtё ruajtur arti i improvizimit[5]

Duhet të theksojmë se krahas  jehonës së madhe positive, tezat e Parry-Lord hasën edhe kundërshtitë, së pari  nga studiuesit italianë[6], të cilët  analizuan ndryshueshmërinë e terenit, të jetës dhe procesin e krijimit të artit gojor italian me atë serbo-boshnjak apo grek.

3-Duke njohur procesin e krijimit të artit gojor shqiptar, vetkuptohet që nuk mund të pajtohemi me këtë qëndrim nënvleftësues që i bëhet nga kjo teori dhe përkrahësit e saj. Krijimtaria parahomerike e eposit të kreshnikëve, baladat e krijuara në epokën e fundit të matriarkatit dhe fillimit të patriarkatit nuk mund ti nënshtrohen aq lehtësisht ligjësisë së një teorie që nuk ka asnjë lidhje me to. Sigurisht që nuk mendojmë të rrëzojmë teorinë e Parry – Lord, por duam të theksojmë se se në rastin e artit gojor  shqiptar, ligjësitë e shprehura në tezat teorike të tyre janë shumë larg ligjësive të krijimit të këtij arti gojor.

3.1-Duke punuar në Bosnjë, Parry nuk pati kontakt me rapsodët (aedët) shqiptarë dhe me artin gojor popullor shqiptar, por pati kontakt me rapsodë (këngëtarë) sllavë dhe boshnjakë si dhe me rapsodë (këngëtarë) shqiptarë që këndonin në ato treva serbisht dhe boshnjakisht. Për pasojë themi se ai nuk e njohu artin gojor shqiptar, ndonëse e mori si të mirëqënë edhe për ‘të   ligjësinë e konstatuar te arti gojor serb e boshnjak. Mirpo arti gojor shqiptar ndryshon në shumë drejtime me artin gojor serbo-boshnjak me të cilin u ballafaquan këta studiues.

3.2-Së pari duhet të theksojmë se serbët nuk kanë këngë epike të tyre[7] dhe ato që dëgjoi e regjistroi Parry ishin përshtatje në serbisht të këngëve epike shqiptare nga rapsodë shqiptarë e sllave apo këngë të përshtatura në gjuhën sllave nga rapsodë (këngëtarë) sllavë ose shqiptarë.

Pra, ai nuk u takua me rapsodë të mirëfilltë (aedë) të këngëve epike serbe, sepse këta nuk egzistonin. Ai u takua me “këngëtarë” serbë e boshnjakë ose shqiptarë që këndonin serbisht e boshnjakisht dhe jo me rapsodë (aedë) shqiptarë. Rapsodët që takoi ai ishin “këngëtarë” që “shisnin këngën” nëpër mjedise publike, që paguheshin për të kënduar, për të “englendisur” dëgjuesit dhe jo për të bërë art oral historik. Pak a shumë është e njëjta histori e regjistrimit të

këngëve  nga Vuk Karaxhiqi për të cilat kemi folur te studimi ynë “Mbi baladën e murrimit”.

3.3-Duhet të kemi parasysh se rapsodët ndahen në dy “klasa”, rapsodë (aedë) që krijojnë këngën dhe e këndojnë si dhe rapsodë (më saktë këngëtarë) që  këndojnë kundrejt një pagese nëpër ambiente private apo publike, niveli i të cilëve lë  për të dëshiruar në shumë drejtime.

3.4-Rapsodët (aedë) shqiptarë kanë qënë “aristokraci” e shoqërisë shqiptare të kohës. Këta

rapsodë këndonin në raste tepër solemne dhe sigurisht para një auditori  të zgjedhur  këngët e tyre ose këngët e trashëguara. Këta jetonin në botën e këngëve, nuk e shihnin dhe as e njihnin realitetin ku jetonin, ndërsa  njihnin dhe shihnin edhe skutat më të thella të “realitetit” të epeve dhe baladave që këndonin. Ata nuk shihnin me sytë e ballit  por shihnin me sytë e mëndjes. Ecnin si të verbër rrugëve të katundit, ndërkohë që në rrugët e epeve rendnin me ritmikë kënge. Vargjet ishin rrugët ku ata ecnin lirshëm e krenarë.

3.5-Studiuesit amerikanë nuk u takuan me këta (aedë) raapsodë, por u takuan me këngëtarë që këndonin kundrejt një pagese. Këta tipa këngëtarësh me nivel  të ulët professional, njohjeje, kujtese dhe përgjegjësie,  për një shtesë pagese  ndryshonin tekstin e këngës në përshtatje me ambientin ku këndonin. Studimi i regjistrimeve të këtyre këngëtarëve mund  të vlejë për studimin e krijimit të varianteve dhe motërzimeve apo trasferimeve  të këngëve nga një komb në tjetrin, por ato kursesi nuk mund të vlejnë si dëshmi apo provë ligjësie e krijimit të këngëve epike, baladave etj. Dallimin midis rapsodëve (aedëve) dhe këngëtarëve që regjistruan këngët pranë tyre, studiuesit nuk e bënë dot. (njësojë si të mos bësh sot dallimin midis poetëve dhe “bejtexhinjve”).

4-Pyetjes se a mund të mbaheshin mend prej rapsodëve (aedë) gjithë vargjet e këngëve epike apo baladave që këndonin, unë i jap përgjigje positive. Rapsodët (aedë) dalloheshin për një kujtesë fenomenale, që pak njerëz e zotëronin. Kam ndjekur[8] me libër në dorë recitimin (në ambient privat)  të Lahutës së Malsisë prej një fshatari nga Kosturi i Hasit, dhe për tre orë recitim, ai gaboi vetëm në një varg. Gjithashtu në median shqiptare kohët e fundit u bë i njohur rasti i një djali fëmijë që recitoi  këtë poemë pa gabime.

Rapsodët e vërtetë (aedë), që krijojnë këngët ose mbajnë gjallë këngët epike dhe baladat, jetojnë në botën e këngëve. Aty e kanë “shtëpinë”, pronën e tyre. Ata kujdesen për këngët si për familjen. Gjatë procesit të të kënduarit ndodh të shtojnë ndonjë varg, që ata mendojnë se plotëson diçka, por kjo është një ndërhyrje e rrallë që i ngjason p.sh. ndërimit të një tjegulle të thyer në çatinë e shtëpisë..

Në qoftë se nuk do egzistonte kujtesa e rapsodëve dhe të kënduarit do bazohej te “improvizionimi” momental i tyre, atëherë motërzimet e variantit të baladave tona nuk do kishin atë art unik, atë “shtyllë vertebrore” subjekti dhe ritesh të ngjashme me njera tjetrën sa që duket se kemi të bëjmë me një “kopjim” teksti. Variantet e ndryshme tëj baladave   shqiptare nuk janë produkt i improvizimeve të rapsodëve, por janë motërzime të një ambienti tjetër krahinor të së njëjtës baladë. Është identike me rastin kur dy motra të martuara në krahina të ndryshme veshin kostume të ndryshme, por ky fakt nuk ndryshon identitetin, afërinë dhe origjinën e tyre. Ky fakt është një lehtësi për tu mbajtur mend teksti.

4.1- Në procesin e mbajtjes mënd  të vargjeve të baladave apo këngëve epike të artit gojor, egziston një lidhje të brendëshme mes vargjeve në mënyrë që tërheqin njera tjetrën për t’u çfaqur “para syve” në kujtesë falë subjektit, rimës, ritmit apo tingëllimave të brendëshme. Kjo lidhje organike e vargjeve brenda njera tjetrës, si unazat e një zinxhiri, nuk  lejojnë të kapërcehet radha e vargjeve, sepse humbet llogjika e krijimit. Prandaj mbahen mend aq lehtë këngët epikë, baladat etj.

4.2-Këngët epike, baladat dhe në përgjithësi arti gojor shqiptar nuk ka qënë një objekt luksi, por kanë qënë pjesë e jetës, mënyrë jetese, mesazhe që trasmetoheshin nga një brez te tjetri, dëshmi historie e jetës, progresit dhe e luftrave, dëshmi dhe përvojë jete e mbledhur nëpër breza që u trasmetohet të rinjve etj. etj. Si të tilla ato kishin ligjësitë e tyre specifike që së pari ishin përvojë e popullit që i krijoi. Dhe në qoftë se do kemi parasysh faktin që populli ynë bënte një jetë të bazuar në doke e kode zakonore konservatore, atëherë mundësia e ndikimit të  ligjësive të artit gojor të popujve të tjerë ishte praktikisht e shpërfillëshme. Gjithashtu fakti që arti ynë gojor shënon periudhë krijimi epoka para-homerike,  dëshmon se mundësia e shkëmbimit të përvojave me popujt që citohen në tezat Parry-Lord mungon në fillesat e këtij arti dhe është minimal në periudhat e mëvonëshme. Mundësia e shkëmbimit të përvojave në periudhat e mëvonëshme me popujt e tjerë minimizohet për faktin se arti ynë gojor ishte më së shumti mesazh dhe dokumentim historie dhe jo objekt luksi.

5-Këngët epike dhe sidomos  baladat fillimisht kanë qënë me tekst më të shkurtër, më konçiz krahasuar me tekstet që disponojmë sot, por teksti ka ardhur duke u rritur nëpër shekuj falë zhvillimit të gjuhës së folur dhe të vetë shoqërisë shqiptare. Është e natyrëshme që në epokën e mesjetës teksti i baladës të jetë më i gjatë se në epokën skllavpronare, dhe në këtë epokën e dytë  të jetë më i gjatë se në epokën primitive. Por kjo nuk shpjegohet dot me shtesa vargjesh të bëra nga rapsodët në momente ndërhyrjeje. Struktura dhe llogjika e vargjeve përbërëse të tekstit është shumë më solide  se në çdo rast ndërhyrjeje.

5.1-Shtesat mbi një tekst balade apo këngë epike janë të natyrshëm kur një rapsod dygjuhësh psh i huaj (sllav, grek) këndon një këngë epike apo baladë shqiptare të përkthyer në gjuhën e tij dhe në ambiente të bashkëkombësave të tij, ose një rapsod shqiptar e këndon një baladë në ambiente jo shqiptare dhe në gjuhën e dëgjuesve. Teksti i baladës shqiptare (në rastin tonë) nuk i përshtatet aq mirë botës shpirtërore dhe jetës së rapsodit të huaj (sllav, grek) prandaj vargje të baladës shqiptare ai (rapsodi i huaj ose shqiptar, që këndon në ambient jo shqiptar) i zvëndëson me vargje në gjuhën e dëgjuesve, të cilat i improvizon aty për aty, duke e bërë “tekstin e baladës” të pranueshëm dhe të pëlqyeshëm për ata. Ky proces i ngjan shartimit të një filizi peme frutore të “butë” mbi një trung peme të egër me qëllim që në ambientin aktual pema të japë fruta “të buta”. Kështu ka ndodhur që mbi trungun e “egër” shqiptar të shartohen[9] filiza-vargje të “buta” të kombeve të tjera, që paraqesin doke dhe zakone më të “buta” dhe për pasojë “zbutet” edhe vetë variant i baladës që rritet në atë popull.

5.2- Krahas mënyrës “shartuese” egziston edhe mënyra e “trasferimit” të baladës nga një

krahinë te tjetra, nga një popull te tjetri, “trasferim” i cili jo vetëm që ndikon te ndërhyrjet në tekst por edhe krijon variante të reja të këngëve, baladave etj. Është njësojë si të marrësh një filiz fidani drufruor nga një krahinë apo vend për ta mbjellur në një krahinë apo vend tjetër. Në këto raste detyrimisht fidanin do ta marrësh jo vetëm me gjithë rrënjë (jo kalem) por edhe me dheun ushqyes të vendit nëpër rrënjë. Ushqimin e parë fidani i rimbjellur në krahinën apo vendin e ri e mer nga dheu i rrënjëve të tij, që në fakt është ushqimi i vendit të origjinës. Më pas dheu i vend-mbjelljes së re përzihet me dheun e vendorigjinës së fidanit (që ndodhet te rrënjët e tij) dhe vetëm nëpërmjet tij depërton si ushqim në trupin frutor që rritet. Natyrisht që ky ushqim i “ndryshëm”, uji dhe klima e vendit të ri do ndikojë në hedhjen shtat të pemës frutore, në çeljen e luleve dhe shijen e frutave, të cilat do kenë patjetër ndryshim në formë e cilësi nga pema frutore e vend-origjinës, në mos qoftë edhe ndonjë varietet i ri i saj.

6-Thamë në krye se tekstet e këngëve epike dhe sidomos tekstet e baladave kanë qënë më të shkurtëra, më konçize dhe këtë e dëshmojnë variantet e shkurtëra të disa baladave tona si variant i Elbasanit te balada e murimit në urë ose variant i murimit në kishë në Lin të Pogradecit etj. Kjo shpjegohet se më së pari, këto balada kanë qënë mesazhe që populli dhe koha e krijimit u përcillte popullit dhe kohëve pasardhëse. Është e natyrëshme që në procesin e trasmetimit të fitonte shtesa vargjesh apo përsosje të tyre si pasojë e  ritjes së shkallës së njohurive, përsosjes së gjuhës së folur dhe ritjes së kulturës.  Ndërkohë  që një baladë fillestare 15-20 vargjesh në nisje të mbrinte në 90 vargje (Balada e Rozafës) në kohën tonë, rezervohemi ta quajmë “meritë”  të shtesave të rapsodëve. Atëherë  lind pyetja se çfarë ka ndodhur që u riten kaq shumë këngët dhe baladat tona?

Këtu na vjen në ndihmë rasti i Petrit Rukës.

Petrit Ruka, një poet i talentuar mori nismën të “përpunojë” me gjuhën e sotme poetike baladat e moçme shqiptare, duke ruajtur me besnikëri subjektin, mesazhin, idenë dhe elementët arkaikë të tyre, duke “zgjeruar” baladën në elementët e tjerë artistikë. Ishte njeriu më i përshtatshëm për ta realizuar këtë nismë sa artistike aq dhe atdhetare. Talenti i tij i spikatur që pi ujë te gurra popullore, dashuria e tij për artin gojor popullor, njohja e tij e madhe mbi funksionimin e ligjësisë së krijimit të këtij arti, rruajtja me besnikëri në kushtet e sotme e elementëve tipikë të kohës së krijimit, sigurisht dhe mesazhin e subjektin etj. ishin garancia që kjo nismë do realizohej me sukses. Në këtë mënyrë baladat me tekste të shkurtëra ose  të mesme i përpunoi artistikisht duke na i dhënë me dy dhe trefishin e numërit të vargjeve. Kështu p.sh. baladën Kostandini dhe Jurentina me 132 vargje e “rikrijoi” në baladën “Besa e Kostandinit” me 403 vargje, duke e “ritur” gati tre herë me të njëjtën bukuri tronditëse të origjinalit.

Në një nga komentet e mia për këtë baladë shkruaja se në të ardhmen, nxënësit dhe studentët që do ti lexojnë këto krijime të Petrit Rukës, do kujtojnë se janë baladat origjinale të artit gojor shqiptar, aq mjeshtërisht janë krijuar. Në këtë moment më lindi mendimi se baladat shqiptare, që lindën në epokat e hershmërisë njerëzore, i ka marë në duar ndonjë “Petrit Ruka” në epokat pasardhëse dhe, duke u qëndruar besnik mesazheve të tyre dhe tipareve të epokës së lindjes, i ka zgjeruar  në elementët e tjerë të subjektit apo të pjesmarjes së elementëve të natyrës në këtë subjekt, duke na e dhënë me numër më të madh  vargjes tekstin e baladës apo këngës. Po të lexoni baladën e përmëndur më sipër të Besës së Kostandinit mrekullohemi me botën arkaike plot ngjyra e lëvizje që ka dhënë poeti.

A mund të ketë ndodhur kjo? Pse jo. Te kënga e Dhoqinës p.sh. konstatojmë se janë shtuar vargjet me përmbajtje fetare kristiane që në original të kësaj balade nuk ndodhen. Prifti që e ka ngurtësuar në shkrim këtë baladë ka qënë një mjeshtër i përsosur për kohën e tij, si Petrit Ruka sot për ne.

Dhe dihet  që një  mjeshtër ka më shumë efektivitet cilësor e sasior se njëqint puntorë.

Sarandë, më 15-25.09.2020

[1]Milman Parry (Oakland, Californi 1902-1935 Los Angeles, California ) studioi në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley (BA dhe MA) dhe në Sorbonne (Ph.D.). Një student i gjuhëtarit Meillet Antoine në Sorbonne, Parry u mor me studimet homerike. Në disertationin e tij, i cili është botuar në frëngjisht në vitin 1928, ai demonstroi se stili homerik është i karakterizuar nga përdorimi i gjerë i shprehjeve të caktuar, ose “formulat”, përshtatur për të shprehur një ide të dhënë në kuadrin e vargjeve në të njëjtat kushte. Meillet e futi atë në Matija Murko, i cili kishte punuar në traditat epike gojore në Bosnjë dhe kishte bërë regjistrimet me gramafon të disa shfaqjeve. Ndërmjet 1933 dhe 1935 Parry, në kohën sa ishte Profesor në Universitetin e Harvardit , bëri dy udhëtime në Jugosllavi , ku ai ka studiuar dhe regjistruar poezi gojore tradicionale në serbo-kroatisht. https://sq.wikipedia.org/wiki/Milman_Parry

[2] Milman Parry. Në botimet e tij amerikane të viteve 1930 Parry prezantoi hipotezën që struktura formuluese e eposit Homerik duhet të shpjegohet si një tipar karakteristik i artit gojor. Ajo vazhdoi nga Albert Lord, Koleksioni i regjistrimeve dhe transkriptimeve të Milman Parry të poezisë sllave të Jugut tani është në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit. Ndikimi i Parrit është i dukshëm në punën e studiuesve të mëvonshëm, të cilët kanë argumentuar se ka një inkoherencë në strukturën institucionale midis Greqisë Homerike dhe Greqisë Platonike, një distancë që karakterizohet nga kalimi nga një kulturë gojore në një kulturë të shkruar. Kjo linjë mendimi mbron tezën se poezia gojore, në shoqërinë Homerike, shërbeu si një lloj debati i praktikave institucionale dhe kulturore. Në një kulturë të shkruar, shkrimet e shkruara zënë vendin e poezisë gojore.

[3]  Sipas Parry-t ( studimet e tё cilit pas vdekjes sё tij, i zhvilloi nxёnёsi i vet, Albert Lord) tё njejtat mekanizam ishin nё veprim tremijё vjet mё parё nё Greqinё e largёt kur dikush pёrshkruante njё njё kёndim tё veçantё tё historive gojore tё Iliadёs dhe tё Odisesё nё formёn qё na ka mbritur neve sot, si fotografi pak si rastёsore e njё realiteti qё ishte i gjallё dhe fluid. Nё kёtё konkluzion tё çon dhe njё analizё e detajuar e mijra vargjeve tё dy poemeva homerike, ku me efekt gjendeshin sistematikisht shprehje standarte si sekuenca fikse tё njё emri tё caktuar qartazi, apo njё mbiemri, apo dhe emra e folje: nga kёta kёngёtarё tё epokёs  do arrihej  adaptimi  herё pas here me disa rregullimet tё vogla i kontekstit dhe metrikёs sё njё vjershe specifike pёr tё cilёn ishte e nevojshme. http://www.appennino4p.it/formula

Mё tej nё artikull jepet fragmenti i plotё pёr kёto ide nga Lordi:

“ Kёngёtari ekzekutues  nё saj tё njё zakoni i tё nguliturit tё bashkёsive tё tingujve, fjalёve, frazave dhe vjershave. Ai nuk largohet nga ky zakon, nuk ka nevojё as pёr tё fiksuar pёrkundrejt faktit tё futjes nё kujtesё, as  pёr tё kёrkuar tё pazakontёn pёr pёrdorim personal. Frazat dhe vjershat qё pёrdoren mё shpesh humnbasin diçka nga finesa, sigurisht, por shumё prej tyre duhet tё ngjallin kёto eho tё sё kaluarёs tё paqartё dhe tё errёt prej nga ato vinё.

Duhet tё edukojmё vejten tonё dhe t’i mbledhin kёto eho e do tё mundim t’i ndёrpresim sё aplikuari nё poezinё gojore klishetё e kritikёs tjetёr e ndёrkohё tё bёhemi tё ndёrgjegjshёm pёr pasurinё qё ato kanё.”… Lord, Il cantore di storie, p.130,- mё hollёsisht: Albert.B. Lord, “The singer of tales”, 1960, trad. It, “Il cantore di storie” 2ª ed a cura di Stephen Mirchell e Gregory Negy, Argo, Lecce, 200

[4] Dr Nelson Çabej shkruan… Ishte një vrojtim i hershëm i gjuhëtarëve se poemat e gjata të eposeve të popujve indoevropianë (indian, grek, gjermanik, etj.) përmbanin kombinime fjalësh që përsëriteshin në kontekste të caktuara në ato poema. Kombinime të tilla që njihen si formula poetike, studiuesi amerikan Millman Perry (1902-1935) i përkufizoi si “një grup fjalësh që përdoren rregullisht nën të njëjtat kushte metrike për të shprehur një ide thelbësore të caktuar”1. Shumë herë formula përbëhet nga një varg i plotë. Kjo “shpikje” e hershme kujtesën ndihmuese (mnemoteknike) ka bërë të mundur ruajtjen e formulave poetike indoevropiane që dalin në poemat e lashta indiane, homerike, iraniane, gjermanike, etj. dhe kanë filluar të studiohen në këto dekadat e fundit. Studimet e Perry-t të poemave të gjata që aedët popullorë boshnjakë këndonin nga një për secilën natë të ramazanit, provuan empirikisht se poemat e gjata mund të ruheshin e të transmetoheshin nëpër breza, edhe pa u shkruar.

Formula poetike indoeuropiane dhe gjurmë të saj në traditën popullore shqiptare

[5]  it.wikipedia.org/wiki/Ballata_popolare

[6] Kundër tezës së Parry janë edhe disa studiues italianë. Po citojmë: “ Njё farё shembulli formulash tё kёtij tipi mund tё gjenden, siç do tё demonstrojmё tani, edhe nё kёngёt tradicionale qё janё sot nё pёrdorim nё luginat e Quattro Province. Pёrkundrejt kёngёtarёve serbё, realiteti ynё ndodhet mundёsisht nё njё shkallё mё tё lartё tё fiksimit tё teksteve tё balladave, tё bёra mё tё shkurtra se nё kohёt kur ato janё kёnduar ( edhe nganjёherё balladat) nё zgjimet e gjata dimёrore. Fjalёt janё stabilizuar nё kujtesё nё njё sekuencё pak a shumё tё fiksuar nga kёngёtarёt ose tё paktёn nga i pari kёngёtar, pas tё cilit lidhja bёhet mё e lehtё nga componentё tё tjerё  tё korit, kujtojnё, pёshpёrisin fundin e strofёs duke u ndihmuar me impenjim mendor, rimёn dhe kujtesёn e kёngёtarёve aty afёr.

Jo vetёm ky evolucion nё tekstet nё pёrdorim mund tё vrojtojmё pёrputhje tё sigurtё  e cila ёshtё vёshtirё tё spjegohet nёse nuk je duke e menduar tekstin gojor nё tё cilin duhet tё jetё formuar dhe trashёguar..Materiali italisht i këtij studimi më është vënë në dispozicion i përthyer nga Fatmir Minguli, të cilit i shprehim mirënjohjen publikisht.

[7]a)-Profesori çek, Dvornik, shkruan:..“Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike që të kujtojë vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik. Historia e invazioneve sllave filloi nga fundi i shekullit VI pas Krishtit. https: //www. neogazeta.com /dyndjet-sllave-ne-ballkan/.

b)-Anton Nik Berisha te studimi “Dëshmi e lashtësisë së këngëve tona kreshnike” fq. 3 shkruan… Në shënimet e udhëtimit nëpër Dalmaci – Viaggio in Dalmazia (Venezia 1774) Alberto Fortisi, ndër të tjera, shkruan: “Nuk arrita t’i gjej këngët, të cilat do të dëshmonin se janë krijuar para shek. XIV-të […] Kam menduar se, ndoshta, diçka e vjetër mund të gjendet në viset e largëta, ndër mirditasit dhe banorët e Malësisë së Kelmendit, ku njerëzit bëjnë jetë baritore dhe s’kanë kurrfarë kontakti me njerëz të tjerë (kursivi im)”. Cituar sipas Svetozar Koljević, Ka poetici narodnog pesništva. Strana kritika o našoj narodnoj poeziji. Beograd 1982, fq. 74. si dhe…

c)-V.Sejko:.“Serbia s’ka këngë popullore kreshnike. Serbia guslën e njeh përmjet rapsodëve të jashtëm endacakë të verbër ose të paverbër që sillen poshtë e lart për të fituar bukën e gojës, dhe meqë e dinë që në Serbi nuk ka epikë i vardisen pikërisht asaj. “Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate”. (fq 201-207/ Veis Sejko Bargjini/ Tiranë 2002)

[8] …në vitin 1983.

[9] Te balada e Rozafës  Vuk Karaxhiqi ka shtuar mbi 67 vargje me subjekt  kërkimin e binjakëve Stoja dhe Stojana, duke  përfituar artificialisht variantin serb të baladës së murimit “Zidanje Skadra”. Shih studimin tim “Mbi baladën e murimit”.

 

Sprovë nga Timo Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s