Poezi nga Anila Kruti
***
Nuk e dija që bora ishte
kaq e bukur
kaq e bukur,
gjersa e pashë mbi flokët tu.
Mall për nënën
Më ka marrë malli për nënën!
Ishim të vegjël athëre kur sillej brenda shtëpise dallëndyshe e gëzuar.
E mbaj mend si tani në shtëpinë e vjetër.
Macja dremiste afër sobës.
Nëna skuqte makarona dhe ne i tërhiqnim përparsen e bardhe nga uria.
Sot, kam uri malli.
Bluaj kujtime në livadhin e hënës. Vizatoj sytë e saj me duart e vjeshtës.
Nëna ime është në shtepi të re dhe unë në dhimbje të re.
Çatia e vjetër ka rënë dhe kumbulla me një degë të fashuar është tharë.
Nëna më është thinjur ! Më është thinjur!
Unë bie gjithë dhimbje.
Çatia bie gjithë dhimbje.
Në këtë kohë memece s´kam fashë për zemrën
veç gojës së fashuar enden sytë udhëve të dritës për të parë pragun e shtëpisë
dhe çizmet e vjetra të babit
që kanë zënë bar…
Ti ke veshur një mëngë të gjelbër
Ti ke veshur një mëngë të gjelbër.
Gjysma e këmishës të është grisur udhës.
Nuk e di sa kohë të është dashur të vish tek unë
nuk e di nëse do të vish.
Po unë të kam pritur…
Të kam pritur si toka shiun,
si pema zogjtë,
si duart e bardha bekimin.
Të shohin bota dhe qeshin.
Të shoh unë nga dritarja ndanë udhës dhe qaj.
Ku shkon kështu i gjelbër?
Jam e brishtë nuk mbaj dot mëngën që më çmend.
Me siguri do të mbetem degëve të tua.
Ti endesh udhës dhe gris këmishën
une në ballkonin e Olimpit
qep kopsat e gëzimit…