Shtëpia Botuese “Ada” publikon librin “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues” të autorit Pol Milo

 
Shtëpia Botuese “Ada” publikon librin “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues” të autorit Pol Milo
 
Titulli: Shtegtimi i dinozaurëve fluturues
Autor: Pol Milo
Redaktoi: Sevi Agolli
Botimi i parë: 2020
Përgatiti për botim: Roland Lushi
ISBN: 978-9928-326-36-2
Formati: 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, nëntor 2020
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Milo Pol
SHTEGTIMI I DINOZAURËVE FLUTURUES : Tregime / Pol Milo; red. Sevi Agolli.– Tiranë : Ada, 2020
124 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-36-2
1.Letërsia shqipe 2.Tregime dhe novela
821.18 -32
 
Parathënie
 
Meqë Pol Milo e ka nisur librin e tij të parë me një tregim filozofik me titull “Evolucioni universal i mospranimit”, unë këtë fjalë hyrëse dua ta nis me një mospranim; ose me pranimin se mospranimi na ofron një pranim të ri. Paksa e ndërlikuar si hyrje apo jo? Disi konfliktuale dhe e papranueshme edhe prej meje!
Gjithsesi, Nietzsche në tezën e tij të doktoraturës, “Lindja e tragjedisë”, nuk e pranonte futjen e korit të “Masës” në skenë. Me këtë mospranim mbështeste vdekjen e tragjedisë, por harronte se futja e korit të “Masës” në skenë lindi komedinë. Të dyja janë mospranuese ndaj njëra-tjetrës, ama janë pjesa më e madhe e krijesës njerëzore, kësaj krijese tragjikomike, që kërkon, pranon dhe mohon krijimin e “hipotezave të sakta shkencore”. Njeriun, “Qendrën e Masës së Lëkundur dhe të Paqëndrueshme”, e paraprin tragjedia dhe e ndjek komedia. Më mirë le të themi, njeriu është Don Kishoti lakuriq, që tragjedinë e ka veshur si armaturë kalorësiake, ndërsa komedia e ndjek si Sanço Panço, që, për mendimin tim, nga absurditeti ia kalon edhe vetë Don Kishotit: një i marrë që jeton mes iluzionesh nuk është edhe aq absurd, por një njeri që ndjek një të marrë, duke e ditur mjaft mirë që është i tillë, është kulmi i absurditetit.
Satira që përdoret në libër është disi absurde në vendin e vet; është e detyruar të ndjekë diçka shumë më të thellë, më meditative, aspak empirike, siç na tregohet nën pelerinën e satirës. Ngaqë është pikërisht kështu, për ta detyruar satirën të ndjekë tregimet e veta hap pas hapi, edhe aty ku e ka të pamundur, autori ia ka hedhur atë si pelerinë; një pelerinë prej mëndafshi, mbi një armaturë të ndryshkur kalorësiako-mesjetare, që vesh groteskun e evoluar.
Kush nuk e njeh nga afër Pol Milon dhe lexon këto tregime, do t’i duken disi arrogante dhe, hera-herës, edhe pelerina e mëndafshtë e satirës do t’i duket e rëndë si jorgan talljeje. Satira është lloj nënprodukti i filozofisë. Ndërsa unë, që e njoh më nga afër, arrij të ndiej hijet e hapave, të cilët ai është munduar t’i ndjekë dhe t’i fshehë. Ndiej vullnetin e Schopenhauer-it, ndiej Kant-in, ndiej të gjitha mësimet e asaj filozofie, që janë lexuar dhe dashuruar përtej prakticitetit jetësor. E gjithë kjo arrogancë, në dukje, ka të bëjë me ndryshimin e forcës së gravitetit, me të cilën ka mbi dy mijë vjet që jemi mësuar. Do të lexoni copëza që, e shumta, do të shkojnë deri në tri faqe, por që nga intensiteti i koncepteve peshojnë shumë më tepër. Kjo e imja nuk është aspak satirë, por një e vërtetë historike që ndjek filozofinë.
Filozofia prej dy mijë vjetësh ka vuajtur prej saj. Ka vuajtur nga thjeshtëzimi që ngërtheu botën e mendimit me mbarimin e Periudhës Helenike dhe me fillimin e Periudhës Helenistike, që përkon me vdekjen e Aleksandrit të Madh. Me vdekjen e tij ra edhe perandoria kozmopolite që ai krijoi, e, për pasojë, ranë edhe ato qendra, që deri atëherë sundonin botën ekonomike dhe kulturore, madje edhe ajo formë mendimi që pati lulëzuar deri atëherë. Vendin e Athinës e mori Aleksandria. Në Aleksandri, për më shumë se shtatëqind vjet lindi dhe evoluoi një formë e re mendimi, veprimi. Deri atëherë filozofët ishin edhe shkencëtarë, si në rastin e Pitagorës, ndërsa në Aleksandri nisi metoda e specializimit. Aty filluan të ndaheshin shkencëtarët nga filozofët, shkenca nga filozofia. Çdo degë mori rrugën e vet të pavarur, e kjo më tepër u bëri dëm njerëzve, lexuesve, që me t’u përballur me krijesa të këtij stili, ndien rritjen e trysnisë sesa vetë shkencave dhe filozofisë. Jo më kot Nicola Abbagnano mbështeti tezën “Të jetosh do të thotë të bashkëjetosh”. Pikërisht kjo bashkëjetesë i bën këto tregime sa mëdyshëse, po aq edhe bindëse.
Në këto copëza filozofiko-letrare është bërë përpjekje të ribashkohen krijesat e ndara dikur në atë kohë dhe të përballen me njëra-tjetrën; meditimi filozofik me relacionet shkencore, inevolucioni i bashkësisë me ndjeshmërinë individuale. Bëhet përpjekje që t’i jepet jetë tezës së Karl Jaspers-it: “Diskutimi i vërtetë filozofik është një bashkëfilozofim, në të cilin ekzistencat futen në kontakt me njëra-tjetrën dhe çelin reciprocikisht”.
Bota, moderne dhe jo, ka njohur mjaft figura, që i kanë lidhur këto qenie të ndara, si Darwin-i, Jung-u, Freud-i, Einstein-i etj…, që lidhën në mënyrën më të përsosur shkencën e mirëfilltë me filozofinë, ndaj këto figura përkujtohen si nismëtarë apo baballarë të shkencave që përfaqësojnë. Ndërsa në lidhjen që Pol Milo është përpjekur të kryejë, duke ia dalë mjaft mirë, atë të letërsisë, shkencës dhe filozofisë, na e kanë dhënë për më tepër krijuesit, duke filluar që nga poetët Blake dhe Laforgue, e duke përvijuar me Balzac-un si nismëtar dhe një sërë shkrimtarësh të tjerë dhe poetësh të shekullit XX, ku një nga emrat më të spikatur është padyshim Borges-i. Edhe te këta krijues do të ndeshesh me hijet e arrogancës, por jo kaq të theksuara. Për t’u përballur me një hije kaq të madhe arrogance duhet lexuar Jacques Prévert-i. Në këtë kontekst, Pol Milo nuk sjell ndonjë risi, të paktën globalisht, ndërsa joglobalisht, falë edhe evolucionit tonë shoqëror të tanishëm, përbën risi. Jo për gjë, por janë shtuar së tepërmi biologët që studiojnë në terren.
 
Pisa, 08.08.2020
 
 

(Hamdi) Erjon Muça

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s