Poezi nga Flogerta Krypi

 
 
Poezi nga Flogerta Krypi
 
 
 
***
 
I mblodha damarët e tu jeshil
I nxorra nga toka, ku i fshihje prej vitesh
Mbi kockat e tua ndeza një fitil
Po ti je kaq larg nuk arrihesh.
Çarkët e minjve u shkrepën të gjithë
Në të njëjtën kohë dhjetë frymë u tretën
Po dheu kishte nxjerrë lart urithë
Ndaj burgjet e mia sërish pa skllevër mbetën.
Rrënjët e tua shtypen në kohë
Copat e qiellit digjen nën hënë
Të gjallët nga kjo botë nuk i njoh
Mua veç pritje trashëgimi më kanë lënë.
I mblodha damarët e tu jeshil
Dhe copat e gjakut të shpërndarë në ujë
Dhe në vdekje je sërish i lirë
Të mos e gjesh rrugën për të ardhur tek unë.
 
 
 
***
 
Matematika më dha gjashtëmbëdhjetë lloj guximesh
Por asnjë nuk përfshinte atë të servilizmit
Ku ndërgjegja shitej për një çmim
Inteligjenca për një kupë kripe
Pena për një karrige tek të mëdhenjtë
Jeta për një heshtje.
 
Matematika, kjo zonjë e lartë sovrane
Ku drejtësia është tërësisht e numërueshme
Madje ka shpirt tërësisht letrar
Më dha gjithë ngjyrat e guximeve
Po në asnjërën prej tyre
Nuk mund të doja veten mbi drejtësinë
Nuk mund të kisha ego mbi të vërtetën
Nuk mund të skllavërohesha, për njerinë.
 
Unë, mbartëse e barrës së guximit për të jetuar
Trashëgimtare e guximit për të vdekur
Numëroj mbi citoplazmën e frymës time
plot gjashtëmbëdhjetë guxime themelore
E sërish asnjëri nuk mjafton në këtë botë të shitur për të më quajtur njeri.
 
 
 
***
 
A e di ti si lakohet jeta ime?
Jo?
Po ta rrëfej me pak fjali.
Unë jetoj e lirë.
Ti e paragjykon shpirtin tim.
Ai më drejton gishtin
Ajo shpif për mua
Ne jemi njerëz
Ju as nuk e kam idenë çfarë
Ata shkelin mbi fitoren time
Ato heshtin.
 
A e di si lakohet e shkuara ime?
Jo.
Shkurt kështu:
Unë frymoj, por nuk jam në jetë
Ti xhaxh ke vdekur, por të ndjej të gjallë
Ai, Xhoni, është kthyer në engjëll
Ajo, Manjola, fluturon mbi re
Ne së bashku jemi një histori
Ju nuk e kuptoni dot
Ata gjykojnë gjithçka
Ato tallen me dhimbjen time.
 
A e di si kalohet vdekja ime?
Jo?
Ja kështu:
Unë vdes
Ti shtiresh sikur vuan
Ai kujton braktisjen
Ajo qan pa zë
Ne luajmë bashkë teatër
Ju hani drekën e fundit
Ata ngrejnë gotat e rakisë
Ato ngushëllojnë për humbjen time.
 
E shikon.
Kështu lakohet një ekzistencë
Me shtirje…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s