Recension për vëllimin poetik “Vjeshta është shtëpia ime” të autores Mercedes Gega / Nga: Marjana Hushi

 
Recension për vëllimin poetik “Vjeshta është shtëpia ime” të autores Mercedes Gega
 
 
Vjeshta është shtëpia ime” është libri i tretë i poetes Mercedes Gega. Ky vëllim paraqet para lexuesit poezi lirike me motive të ndryshme. Uni poetik krijon një komunikim të ngrohtë e të hapur, pa censurë e kufizim ndjesish. Gjithashtu, një kapërcim cilësor (ndoshta edhe shpirtëror) krahasuar me dy vëllimet e para të autores.
Që me leximin e parë kuptohet guximi që karakterizon poeten për të shpalosur tek gjithkush shpirtin e saj. Vazhdimisht në poezi ka dy veta, është veta e parë (uni poetik) dhe veta e dytë (ti), e cila personifikon herë njeriun e zemrës, herë kohën, herë stinët, njerëzit e dashur, dilemat poetike, mallin, vuajtjen… (asnjëherë dëshpërimin). Përgjithësimi që duhet bërë është se kjo vetë përfaqëson atë çka secili prej nesh percepton në këtë botë: ekzistencën universale, atë që sytë tanë e shohin dhe atë që nuk e shohim, por shpirti poetik na e përcjell natyrshëm nëpërmjet figuracionit dhe shprehimësisë.
Temat në këtë libër janë të larmishme, si tema e dashurisë, tema filozofike, tema sociale etj. Lirikat e dashurisë duket se mbizotërojnë mbi të tjerat. Merita e poetes është se nuk kufizohet vetëm në ndjesitë personale, ajo e paraqet dashurinë si universin e jetës, mungesa e saj sjell më pak ngjyra, më pak gëzim dhe ekzistencë. Uni lirik vazhdimisht fal nga vetja pa kushte ngrohtësinë, mbështetjen, frymëmarrjen për njeriun e zemrës, në rrethana të ndryshueshme nga koha:
 
“Kur të ndihesh i trishtuar,
Brengëgrishur a i mjerë,
vetë me veten shoqëruar,
rishtas larg nga gjithë të tjerë.
 
***
Mos u druaj, eja pranë, jam e njëjta,
si atëherë, kur për ty prezenca ime,
ish’ frymëmarrje, ish’ pranverë.”
 
(“Unë jam aty”)
 
Dëshira për të jetuar është totale, vjen së brendshmi, duke mos parë pengesat dhe duke dashur të zhdukë hermetizmin në një marrëdhënie. Kjo gjë shprehet shpesh me anë të fjalive thirrmore dhe situatës komunikative që krijohet nga prania e dy vetave. Poetja ka aftësinë të dallojë ngjyrat e dashurisë edhe në terr:
 
“… Ngrehina e përse-ve rri
ngushtë për një zemër që kupton
se jeta
është e vështira më e bukur
për të cilën ia vlen të jetosh!
Ndaj, zgjohu dhe eja!
Më mos prit,
as mos thuaj se tashmë u bë vonë.
Akrepat e kohës tregojnë
se është fiks ora që ne të jetojmë!”
 
(“Është fiks ora”)
 
 
Mercedes Gega
 
Shpirti poetik mbetet besnik i ndjenjës dashurore dhe i bukur në lëvizjen e pashmangshme:
 
“… Gjithë fjalët që dot nuk t’i thashë,
i thura kurorë drite, ruajtur i kam mish e thua, me ditë e me vite…”
 
(“Gjithë fjalët që dot nuk t’i thashë”)
 
Uni lirik është i vetëdijshëm për humbjet. I bukur në shpirt, ai pranon paqësisht vuajtjet, sado të dhimbshme qofshin ato, vuan dramat e të tjerëve, ikjet e fundme. E tillë është poezia  “Ti erdhe sa për të ikur”,  që i kushtohet përkthyesit Dritan Çela: birit të shkrimtarit Zija Çela:
 
“Ti erdhe vetëm sa për të ikur
Sa t’më tregoje ç’është drithërima,
buzës që digjet nga lot i nxehtë,
Mall përzhitur nga dashuria!
 
***
Ti erdhe vetëm sa për të ikur e dot nuk mund të bëje ndryshe.
Drita kuptohet në errësirë, kafazët s’janë për dallëndyshe!”
 
(“Ti erdhe sa për të ikur”)
 
Malli për nënën, për atdheun, për lulet në kopshtin e fëmijërisë pasqyrohet në disa prej poezive:
 
… Nuk dua më shumë
se një çast, në ato brigje liqenesh
të ulem si dikur…
 
(“Nuk dua më shumë”)
 
Ja si shprehet poetja për lidhjen e magjishme nënë–fëmijë:
 
“Dita çdo mbrëmje grilat mbyll
dhe pas e lë çdo gjë që shkoi,
por zemra jote i ndez gjithë yjet
në dritë të tyre të më shikojë.”
 
(“Se ti je ti”)
 
Lirikat filozofike vijnë si sfidë e autores me vetveten, me kohën që ikën, me pamundësinë dhe absurdin. Forma të pastra poetike, larg imitimeve, origjinale dhe modeste:
 
“… Oh, psherëtimë grushti, që shtrihet Pamundësisë!
Një gllënjkë përse-sh kapërdijmë
Në sy.
Koktej i jetës kish’ brenda pak unë,
Pak ti!”
 
(“Pak unë, pak ti”)
 
Po ashtu uni poetiko-filozofik vuan për gjërat që dot s’i arrin, për të bukurat e pamundura të jetës (“Më e bukura ime e pamundur”), vuan për të vërtetën e humbur (“E vërteta”), trishtohet për “kohën e paemërt”, shpreh revoltën për absurdin:
 
“… Dot me absurdin s’gëzohem,
sa herë ai sjell në jetë premtime të vdekura…”
 
(“Boshllëk”)
 
Poetja shqetësohet për botën e vështirë të ideve në përballje me progresin:
 
“… Kaq kohë pa ty… Dua të them,
fiks aq kohë sa idesë iu desh të rritet e të bëhet vizion dhe të kuptojë se jeta nuk mundet mbështetur në paterica idesh!”
 
(“Patericë idesh”)
 
Plagët e mërgimit vijnë në kujtesën poetike si integritet i humbur i individit (“Lutje”). Emigranti është “ai”, një vetë e papërcaktuar, në një vend të papërcaktuar, diku. “Kohëvrasje identitetesh” i kushtohet kohës të marramendur të njeriut postmodern, e cila ikën turravrap duke flijuar, vrarë a shitur identitete:
 
“… Llokoçitej i trullosur një identitet modern emigranti, si një lodër rastësore për qetësinë e një fëmije, në një stol stacioni të detyruar…”
 
(Kohëvrasje identitetesh)
 
Figurat stilistike janë të shumta dhe metafora zë vendin qendror. Vlen për t’u theksuar tendenca e poetes për të përdorur bukur tingëllimin e tingujve, aliteracionin, asonancën, kosonancën. Përsëritja e motiveve, vargjeve dhe anaforat vijnë natyrshëm dhe kombinojnë me idetë e shprehura.
Poezitë janë ndërtuar në lloje të ndryshme strofash, si distiku, tercina, katrena e të tjera. I rri për shtat vargu klasik, me rimë të alternuar, apo të puthur. Por gjithashtu vargu i lirë dhe i thyer vjen si karakteristikë e poezisë moderne. Pavarësisht formës së paraqitur, poezia e këtij vëllimi shijohet estetikisht bukur, fjala rrjedh vetiu dhe lind dëshira për ta rilexuar.
 
Një fjalë e filozofëve të lashtësisë thotë se kur dhuron një trëndafil, pra një vepër të mirë, aroma e tij të mbetet në duar. Uroj që autores t’i ndodhë e njëjta gjë në lidhje me lexuesin e këtij vëllimi poetik.
 
Elbasan, më 15 gusht 2019
 
 

Nga: Marjana Hushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s