29 Nëntori gjithmonë i ka hyrë në hak Ditës së Flamurit / Nga: Sadik Bejko

 
Sadik Bejko
 
 
 
29 Nëntori gjithmonë i ka hyrë në hak Ditës së Flamurit
 
Europa dhe gjithë bota feston 9 Majin, si Ditën e fitores mbi fashizmin.
Të vetmit, nga gjithë shtet e tjera të koalicionit antifashist, ne shqiptarët kemi një ditë “tonën” të Çlirimit nga fashistët.
Kjo ditë, 29 nëntori, është ngulitur nga idolatria e atij partizanit fitimtar si bir i një “Bote të re”.
Në të vërtet, kjo është një ditë idolatrie vetëm për komunizmin.
Sikur në ditën 29 Nëntorit, të kujtosh edhe ballistët, edhe legalistët, edhe socialdemokratët shqiptarë të Musine Kokalarit? Edhe këta ishin antifashistë.
Kjo do të quhej sakrilegj, fyerje e Luftës, e çlirimtarëve.
Nuk kam pasur ballistë në familje. Por kujtoj se ballistët ishin antifashistë, ishin republikanë, jomonarkistë, ishin dhe antikomunistë, për më tepër.
Komunistët e përvetësuan luftën. E bëri partia e tyre, thoshin. Por pati forca të tjera jokomuniste që e luftuan pushtuesin, e luftuan që në orët e para, kur komunistët fshiheshin, kur komunistët fillimisht ishin dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit.
Luftën e bëri Shqipëria.
Shqiptarët i deshën apo nuk i deshën partizanët, dhanë bijtë dhe bijat për luftën kundër okupatorit, dhanë bukë, strehë, veshje për luftëtarët.
Por, në fund, doli se luftën e bëri vetëm partia, e bëri vetëm partizani, jo Shqipëria.
Shqipëria iu nënshtrua fashizmit aq keq, sa për 4-5 vjet kemi qenë realisht (zyrtarisht) shtet fashist. Kishim organizim shtetëror fashist me gjerarkë këmishëzinj në krye, kishim parti fashiste, balila (pionierë) fashistë, rini fashiste, grua fashiste… Edhe flamurin e kishim të damkosur me sopatat e Liktorit, me simbolet fashiste.
Duhet të ishe anëtar i partisë fashiste që të merrje punë në shtet.
(Ne sot nuk e themi që kemi qenë shtet fashist).
Veç kur del me dokumente që gjithë intelegjenca e lartë shqiptare jo vetëm u punësua në organizmat shtetërore fashiste, por dhe u vesh me uniformë të zezë fashiste, nderonte dhe ‘ala fashista’ me dorën lart. Veç që të shohësh dokumentarët, fotografitë në shtypin, në arkivat e kohës dhe bindesh për këtë.
Edhe N. Xhunglinit iu desh të aplikonte për punë pasi u anëtarësua në struktura partiake fashiste. Nga halli, kështu thonë. Nga halli për një rrogë të gjithë hëngrën bukë në torbën e pushtuesit.
Fashizmin shqiptari nuk e deshi. Po kush e pyeti?
Më 1945 me hokus-pokus nga shtet fashist u bëmë shtet komunist.
Si në asnjë rast tjetër në botë. Morëm një kthesë 360 gradë.
Shqiptari nuk e deshi komunizmin. Të dyja, fashizëm e komunizëm, nuk i deshëm, por na i imponuan kohërat. Popujt e vegjël janë zare në lojën e historisë. Të mëdhenjtë e botës ua diktojne fatet.
Që nuk e deshi Shqipëria komunizmin e dëshmon një fakt. Asnjë nga elita intelektuale e viteve ’30 (shkrimtarë, profesorë, nëpunës karriere, ish-luftëtarë) nuk shkoi me komunistët e malit. Elita shqiptare nëpërmjet Branko Merxhanit “Pse nuk jam marksist” e kishte thënë që ishte antikomuniste.
Më 1939 disa përfituan nga të mirat e Shqipërisë fashiste. Me këmishën e zezë Nexhmija u bë mësuese. Enveri bënte kontrabandën e duhanit te “Flora” me ndihmën e Biçakçinjve të Elbasanit. Qemal Stafa shkoi të studionte në Firence. Bukën e fashizmit hëngrën Kahreman Ylli, Bedri Spahiu, Abas Shehu, Mustafa Matohiti… e shumë nga ata që më pas u bënë dëshmorë dhe krerë komunistë.
Ndryshe ndodhte me nacionalistët shqiptarë, me ata që më pas do të identifikohen si Ballistë. Ata u gjakosën që më 7 prill. Pas 7 prillit Mehdi Frashëri, Ermenji, Butka, Lef Nosi etj u internuan në Ventotene, në Ustika, në ishuj të Italisë. Çetat e Ballit dhe partizanët e luftuan bashkë fashizmin më 1942- 43.
Si u përmbysën fatet në fund të vitit 1943? Pse u bënë armiq më pas? Pse partizanët masakruan nacionalistët në Dunicë të Mokrës (35 ballistë), në Myzeqe (67 ballistë)?
Pse ballistët, këta antifashistë të orëve të para, u shtynë të bashkëpunojnë me nazistët?
Këto janë pyetje për historinë.
Lufta mbaroi pa fitimtarë. Më 1939 vendosi pushka e zezë e të huajit. Më 1944 vendosi pushka e kuqe e partisë. Më shumë se pushka e rrjepur e partizanit, vendosi Jalta, për fatin tonë vendosën Çërçilli, Stalini… Popullin shqiptar nuk e pyeti njeri. As referendum, as zgjedhje të lira. Ky nuk ishte çlirim. Edhe për Greqinë vendosi Jalta, Çërçilli… Për komunistët grekë nuk mund të ketë ditë Çlirimi. Ata u internuan në Rusi, te baba Stalini, ose në ishujt shkëmborë ku vdisnin nga etja.
Të vij te fillimi. Pse dua t’i kujtoj Ballistët? Ata i kanë nxirë aq keq, sa… zor se rehabilitohen. Këto ditë një mik më pyeti: Ka pasur ballistë antifashistë? Po. Ata ishin patriotë. Ata kishin ineresa në këtë vend, ishin familje me emër, kishin pasuri, kishin një karrierë, kishin firmosur Pavarësinë, kishin luftuar më 1912, më 1920… Ata dinin të luftonin. Mithat Frashëri dhe Lef Nosi kishin qenë më 1908 në Kongresin e Manastirit, më 1912 të dy firmosën Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Me të mirat dhe të metat e saj, kjo klasë përbënte atë që ishte elita e qëndrueshme e Shqipërisë.
Ata legalistët, ballistët, socialdemokratët që ishin antifashistë (dhe antikomunistë njëherësh). Kanë qenë shumë, shumë të tillë. Njëri prej tyre ishte vlonjati Hysni Lepenica, dëshmor i atdheut, që ra si antifashist në Gjirokastër më 1943.
Nga gjithë kombet e Evropës vetëm ne shqiptarët e kemi shpikur një ditë të Çlirimit, të tjerë kombe nuk e kanë si festë kombëtare.
Vazhdojmë me idolatrinë komuniste. Për fat të keq.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s