Poezi nga Bilall M. Maliqi
S’KA PËRVETËSIM…
Nuk je nisur nga ai cak
I filluar në atë kohë të pakohë
Atëherë kur korbi ishte çoroditur
Dhe frika
Ishte mbyllur në kutinë e harrimit
Moti kohë ishin nisur nga ai cak
Kur ti ishe jashtë kalasë së kushtrimit
Je (veç) vazhdimtar i udhës së trasuar
Nga hullitë e kohëve të nëmura
Prandaj , s’ka përvetësim të nisjes
As të mbarimit të pambaruar…
KAÇUBËSI
Kaçubësi ka pirë ujë
Rrënjëve të ahut
I qëndron vertikal
Stuhive të kohës
Saherë del nga kaçuba
Fort godet dhe pret
Kaçubësi është rritur
Nëpër breza burrërie
S’i frikësohet luftës
N’istikame trimërie.
SHTËPI S’TË LASHË PSE DESHTA
Shtëpi nuk të lashë pse deshta
Më përzunë të maskuarat hije
Pse deshta t’i heqi merimangat
Nuk të braktisa nga dëshira
(Ata) më përzunë
Pse deshta ta fshijë pluhurin e kohës
Asnjëherë s’do të kisha braktisur
Po të më linin
Ta ndërroj të vjetrën me të rejën
Shtëpi kurrë s’do ta ktheja shpinën
Sikur mos të më vdisnin shpresat
Dhe fati të mos të më varej në litar.
FRYMËN TËNDE E NGULFATËN
Shiritin e lidhjes e shkëputën
Maskatarët e palarë të kohës
Frymën (tënde) e ndalën
Të perënduarit e pangopur
Në ditë të mira
Asnjëherë s’të përmendën
Në ditë të vështira
S’të kursyen për shpëtim
Porositë t’i ngulfatën
Me shallin që s’e hoqe kurrë
Tani në shumëzoren e fatit
Numrat shprishin veç humbje