Shndërrimi i Lumit Podrimje në Perëndi dhe Muzë : “TE DUAN Lumi / KUR TI HESHT/ KUR TI HUMB/ Lumi…” / Nga: Faruk Myrtaj

 
Shndërrimi i Lumit Podrimje në Perëndi dhe Muzë
“TE DUAN Lumi / KUR TI HESHT/ KUR TI HUMB/ Lumi…”
 
Nuk i ndodh dendur njeriut, as poetëve, të lindin prej asaj që ata vet e kanë lindur…
Përpara shumë vjetësh, kur shfaqeshin në Tiranë poetët e Kosovës, i ndiqnim vetëm me sy, dhe vetëm nga larg: “Ah, ata janë!” Por edhe ata, vetëm na larg na shihnin!
Kufiri nuk ishte atje ku dukej, kufiri ishte atje ku ndjehej…
Kanë shkuar vite dhe tashmë po hyjmë e dalim te njeri tjetri si tek vetja. Bie fjala, poeti Ali Podrimja bëri përmbledhjen e poetit Fatos Arapi (nuk bëri dot atë të Ismail Kadaresë…-histori për tu rrëfyer dikur). Mbase ngaqë secili e vështron tjetrin sipas vetes, sipas njohjes, sipas syrit dhe ndjenjës. Vetëm kështu plotërohemi.
Kam pasur shtysën që Ali Podrimjen ta lexoj disi më ndryshe. Jo thjesht si poet të etnisë kombëtare, por si poet të ndjenjës, të dhimbjes njerëzore, thjesht individuale. Joshem të mos e lemë në heshtje këtë pamje.
Njera prej menyres është të lexuarit e tërë poezisë së Podrimjes si Poet i Lumit. Ose si Lumë të Poezisë së tij. Si Poet të Jetës së Pakryer. Që mund të merret edhe në invers: si Jetë të Kryer në Poezi.
Mbase kështu hidhet dritë mbi një profil tjetër të Tij. Edhe pse fundi do të jetë po ai: Ali Podrimja është Ai, Poeti. Ndër të Mëdhenjtë.
Nuk i ndodh aq dendur njeriut, madje as edhe poetëve, të lindin prej asaj që ata vet e kanë lindur. Ashtu siç i ndodh jetës të fitojë përjetësinë pikërisht prej vdekjes. Ali Podrimjes i ra për Fat që kthente në muzë të tij poetike Lumin. Madje jo thjesht “muzë”. Poeti kishte qenë te Podrimja, me lindjen e tij, por ja që dikur, më 29 shtator 1982, hynë në mes një akt i dhimbshëm, një ndëshkim i skajshëm, trill aspak i zakonshëm, gjendje kur jeta humb kuptimin e vazhdimiësisë, një Zot e di ngushëllim qiellor që faj perëndish ishte, dhe ofron një si perëndi të posaçme. Një Perëndi thjesht vetiake.
Ali Podrimja e ktheu Lumin në Perëndi të tij.
Përpara tij falet, bie në gjunjë, për shkak të tij mbetet, gjallë, i pagjumë, në ëndërr të përjetshme dhe, në ëndërr e sipër, siç shkruhen librat e shenjtë, i ra për hise të shkruajë poezitë për Lumin e tij. Perëndinë e Tij. Pa e ditur, por jo pa e dëshiruar, e ka kthyer Lumin në Perëndi edhe për ne të tjerët. Është si një Etni tjetër, aspak më e vogël, po aq e shtrenjtë dhe po aq e shenjtë.
Nga kjo dhimbje prindi, për shkak të shndërrimit në Perëndi të Lumit të Tij, Ali Podrimja arriti “tu bëj vend disa poezive të tij atje ku është zor të hiqen qafe”. U desh të citonim Robert Frostin, si rast.
Dhjetë vjet më vonë formësimit të kësaj Perëndie Vetiake, i ndodhur në Vlorë, A. Podrimja shkruan:
“Dikur ishte shfaqur Shkretëtira dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të Dheut. Isha nisur pas zërit të Fyellit. Uji i Madh kishte nxjerrë një guaskë nga fundi i mistershëm. Fillova ta hap. E pamundur. Guaskë pas guaske zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë…”
Përsëri dolëm tek etnija kombëtare! Te gjitha nisin e përfundojnë tek etnia e madhe, kombëtare. Por ja që s’mund të mos ndjejme edhe atë dhimbjen tjetër që është në gjendje të lindë perëndi…
Ali Podrimja lind e thinjet brenda vetes: ti po deshe lexoje, hyrë brenda tij dhe ai të ndihë që ta shuash deri në fund etjen e nevojën tënde: “ngujohuni në brendi/deri palaçot të lozin zotat.” (“Në kohë kaosi”).
Ai të ofron po atë që ka zgjedhur për veten. Gjithnjë i vërtetë dhe i drejtëpërdrejtë në ndjenjë: “Nganjëherë dua të jem lumë/të rrjedh nëpër damarët e tu”.(“Dua të jem”).
Për shkak të leximit, objekti alternohet me subjektin, edhe me lexuesin. Të perëndishmit, Lumi, Poeti dhe tokësori, lexuesi, kërkojnë të jenë e të mbeten te njeri-tjetri.
Lumi i Ali Podrimjes është gjithandej, siç ndodh me perënditë. I padukshëm behet. Si perënditë, si gjërat e kthyera në perëndi, pra. Tek “E klith në ëndërr”, Podrimja shkruan:
“I bukur vetë Zoti / Ku tërë kjo hijeshi / Ku tërë kjo frikë / Në sytë e tu Lumi…/ Edhe Zotit ia shkove / Të panjohurës i afrohesh / Unë mbyllem në dhimbje / E klith në ëndërr / Dëgjon vogëlush?”
Mungesa është, ndjehet, dhimbshëm, paçka se njerëzishëm. Është mungesë, qiellore, edhe pse plotësohet perëndishëm. Poeti mbetet rob, i gjërave që enden qiejve ose janë shkruar gurëve:
“Në bregun tim nuk dukesh / As nuk lag më / Valë e Lumit tim”.
Në poezinë e titulluar “Unë nuk jam ai”, padyshim ndër më të vetëtishmet në shkëlqimin e kësaj dhimbjeje, vizatohet nëna që kërkon në turmë birin, vëllai që përmallshëm luan në fyell, motra që përpara pasqyrës shkurton flokët dhe, më në fund lexojmë:
“Lum Lumi / Unë jam ai që derën hap.”
Dhimbja është. As që bëhet përpjekje për ta fshehur. Zemra dhe loti i njeriut kanë përmasën e vetë Njeriut, njeriu vetë ka përmasat e Botës. Atdheu është diku aty, një pikë në këtë glob. Sado i shenjtë, kaq është. Një pikë e aq. Etnia e birit të ikur, s’është më pak e shenjtë.
“Ishte verë / Mbi kokë dielli / Hije ti rreth Evrope”.
Poeti i plotë nuk mund t’i besojë dot perënditë, kur nuk ka të dërguarin e tij mes tyre. Alia Podrimja e pati këtë “fat”. Në të vërtetë, pas atij çmimi që pagoi për këtë lidhje me qiejt, pas kësaj këmbimi ambasadash (më jep një frymë, të të jap një shpirt) nuk pushon së përdoruri këtë të fundit në funksionin tonë, të lexuesve të tij, të miqve të tij.
Jemi skajshmërisht të sigurt që ai vetë s’e shkon ndërmend këtë.
“Lum Podrimja vdiq më 29 shtator 1982/Por unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen tënde/ Varrëmihësit le ta qesin emrin/ose bardhësia le të më mbulojë edhe mua/të tërin”
“Zëri i parë është zëri që poeti i flet vetvetes – ose askujt”, citojmë T.S.Eliotin kësaj radhe. Kush mund të citohet në kësolloj rastesh? Tjetër se Podrimja shkon nga vete dhe kthehet e rikthehet tek përmasa tjetër:
“Të duan Lumi / Kur ti hesht / Kur ti nuk kërkon asgjë / Dhe të duartrokasin / Kur ti humb / Lumi”
Etnia kombëtare në të vërtetë është gjithësesi e pranishme në poezine e Podrimjes. E përthyer prej sferës së dhimbjes së Lumit, ajo bëhet edhe më e vërtetë, më e përjetshme:
“Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi / As perëndive të krisura / Ma jep besën Lum Lumi / Se nuk do ta harrojmë vendlindjen”
“Ai që do kujdeset për ditët e mia të mbrame/Për ëndërrat e mia e qetësinë je Ti/Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë/ Dhe si të duash Ti Lumi/Kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë/Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë/Bashkudhëtari im/Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë”
S’jam vetëm, tek bëj ta lexoj poezinë e Podrimjes në mënyrën më të dhimbshme për të. Edhe ai vetë, prej kësaj dhimbjeje e ka shkruar, vetë ka bërë shenjë të ndjejmë, të gëzojmë e të vuajmë bashkë me të.
 
 

Nga: Faruk MYRTAJ

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s