AJO LLAMBË DUHET TË RRI E NDEZUR… / Tregim i shkurtër nga Faruk Myrtaj

 
Tregim i shkurtër nga Faruk Myrtaj
 
 
 
AJO LLAMBË DUHET TË RRI E NDEZUR…
 
Si prej ëndrre do duhej të ndihej, kur u ndodhën përballë derës hapur të Zyrës Numër Një.
“Për ty…”, i thanë.
“Nëse shokët e burgut do mund të besonin këtë që ndodh…”, pëshpëriti, çuditërisht në anglisht.
Kamera e një televizioni të huaj, për ta regjistruar këtë gjest të patjetër lirie e ndiqte pas hap pas hapi. Një lloj si gardiani Fran, edhe kur dilte nga qelia për në banjë…
Sigurisht ishte e tepërt, e pasjellshme: asnjeri prej bashkë-vuajtësve s’ndodhej aty. Edhe pse ishte informuar që asnjeri prej tyre nuk ndodhej më në burg…
Bota ishte rrotulluar brenda trembëdhjetë ditësh, qè hapur porta e qelisë dhe ajo e jashtmja, e portës së oborrit të burgut, në ditën e katërmbëdhjetë, pasi e kishin çuar me urgjencë për të parë varrin e nënës që s’e priti dot këtë ditë, me eskortë e shoqëruan për në kryeqytet dhe pikërisht tani, ai po shoqërohej të hynte në Zyrën prej nga kishte urdhëruar Numri Një…
Mesazh të parë, të një kohe tjetër, liri për të gjithë, i la pa gojë edhe më dyshuesit, kur për roje personal zgjodhi ish-gardianin e vet…
Ky copë truall kështjellë dhe burg njëherazi, me një shëtitore brendashkruar mureve, poshtë dritareve, do duhej të ndryshonte, më në fund. Do duhej të bëhej një cikë më i butë, ca pak më i vërtetë. Po pra, qoftë edhe veç prej kësaj që po ndodhte me të: I burgosuri më afatgjatë, hynte në Zyrën nr 1 të Shtetit të Ri.
Njerëzia do duhej të besonte pa dilemë se në këtë vend sado të vogël po ndodhte diçka aq e madhe sa ndjehej sikur po ri-bëhej tërë planeti bashkë me të…
Ai, gardiani i dikurshëm, shoqëruesi i Tij Personal tashmë, po e ftonte të shkelte në tapetin në Zyrë.
Njohu menjëherë tryezën ku Para-ardhësi pozonte dikur. Për disa orë, më pas, s’guxoi t’i hapte sirtarët e saj. Druhej, kishte frikë, mos gjente aty dosje të merhumit, materiale sekrete, mbase edhe dosjen Saint Peter, lënë aty, edhe pse vdekur prej vitesh. Ja edhe telefoni i Atij që ngrihej dhe jepte mandatat dhe dekoratat…
Peter asokohe ishte brenda. Pa shpresë se do dilte gjallë. I kishin shkruar edhe prej atje, dhe Ai u ishte përgjigjur Letrave të Popullit, prej kësaj zyre, edhe të burgosurve njëlloj siç atyre me gjasa jashtë burgut. “Kemi menduar edhe për ditë të tjera. Pushteti është juaji, Te gjithe, do keni mundësi t’ia shpërbleni…”
Për një çast kërkoi provë që ndjesia ishte reale, se ishte e vërtetë kjo që po ndodhte…arriti sërish tek dritarja e Zyrës, dritare kanatë hapur që shihte të-poshtë Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kujtoi sërish, atje brenda qelive e mbiquanin Bulevardi i të Rënëve pa-Vetëdije. Dikush shtonte “Bulevardi i atyre që shëtisin pa vetëdije…”
Në hapësirën që mundësonte kanata e hapur, dalloi atje poshtë, edhe këtë orë, njerëz që shëtitnin… Mbase s’dinin fare c‘ndodhte këtu sipër. Mbase asnjëherë s’kanë ditur…Kohë e gjatë që s’ pyesnin për këto gjëra.
Kurrë s’do bëhem si këta që po lëshojnë pushtet. Zor ta besoj edhe vet që c’është thënë: Të ringjallet Saint Peter, me 40 vjet burg, në vend të atij që sundoi për 40 vjet…
Mbylli sytë. “Je Zot, kudo…Në syrin tënd, të mos bëhem ai të cilit po i zë vendin…”
Ishte mësuar të ecte paksa I përkulur pas tërë asaj djallo jete, por falënderonte tërë unazat a disqet a prej cfarë ishte ndërtuar shtylla e tij kurrizore, që kishte mbetur vertebër e një njeriu ende gjallë.
Kur iu desh të dilte, për drekë, shoqëruesi e kujtoi të hynte në ashensor. Peter e vështroi habitazi që tjetri shtypi diçka, kanata e ashensorit u mbyllë, dhe Peter pati ndjesinë se ashensori do ta zbriste në Ferr.
Kur u hapë porta e ashensorit gardiani Fran e priste edhe atje poshtë. Për tu ngjitur, iu duk sikur shoqeruesi shtypi butonin Heaven, shpërblim për heshtjen e mbajtur…dhe sërish po ai Fran, u gjend aty, kur ashensori arriti në katin tjetër dhe kanata u hapë.
“Ti mund te vish bashkë me mua ne ashensor”, i tha.
“Më mirë të mos hyjmë të dy. Nëse bllokohet, unë jam jashtë dhe marrë masat…”
Franin e pas-burgut e beri me lot, kur e njoftoi se do niseshin të dy në një delegacion për “në një vend ish-armik!” E preken njeri tjetrin, si për tu përmendur që s’ishin ne ëndërr.
Dashuri ishte dërguar, pa pushim, për tek të dy, por dukej se po mbërrinte me vite vonesë prej distancave të kush-e-di-kushme të parajsës së pakushtëzuar prej jetëve. Tingëllonte si muzikë, kush e di nga ç’duar virtuoze e veglash muzikore luhej, mbushte tërë ajrin, pastruar në secilen molekulë, prej pluhurave të burgjeve ku drita s’arrinte kurrë…
“Ja, ky ma mbante derën e qelisë mbyllur!”, u thoshte atyre që i pritën në vendet e huaja. Duke treguar Franin.
E qeshura që kursehej në buzët e tij si liri e më në fundme, as qe mund të vihej në dyshim. Për të gjithë. Disqet e shtyllës kurrizore te Peter, përkulur prej ultësisë së qelisë dhe përpjekjeve të tërë-kohëshme për të thënë vetëm “Po, o Njeri, po…”, sikur kërkonin të shpiheshin paksa.
Vete-e-vjen në zyrë, dhe hera herës provon të vështroj nga rrëpira e kanatit të dritares. Turma aty poshtë, vazhdon të shëtis…
Në një çast, i vetëtiu ideja se papritur dikush e vuri re prej atje poshtë. Më tej ai atje poshtë sikur e tha për të tjeret rrotull tij, d.m.th që dikush ishte në dritaren atje lart, u bë fjalë me të tjerë, teksa të gjithë bënin sikur ecnin, sikur vazhdonin jetë/shëtitjen e tyre, si të bindeshin që edhe pse jo Ai, I Dikurshmi, atje lart dikush tjetër ishte… në vend të tij.
Peter kujtoi që kishte premtuar të mos shëmbëllente me të mehershmin dhe u tërhoq menjëherë nga dritarja. Të mos e shohin më…
Madje vendosi të dilte më herët, asaj mbrëmje prej kësaj Zyre. Shoi dritën, tërhoqi derën, po shtyhej çap-a-çap për nga ashensori, por ndjeu frymëmarrjen e nxituar të shoqëruesit, që më shumë shëmbëlleu si gardiani, në këto momente nguti.
“Ktheu në zyrë…Të lutem duhet të kthehesh në zyrë…” tha.
Prerë. Jo rreptë. As urdhërues nuk ishte. Këmbëngulës për të kryer detyrën, si mision, po.
“Duhet te hyni në zyrë, Zotëri Peter. Gabimisht ju…”
Iu dëgjua sikur Fran Gardiani po i thoshte se gabimisht ishte nxjerrë nga qelia dhe liruar nga burgu gabimisht…
“Prapë gabim…unë?! Vetëm unë i bëkam tërë fajet e kësaj bote?!”
“Keni shuar dritën, Zotëri…Kjo llambë ka qenë ndezur tërë kohën…Njerëzit atje jashtë, në shëtitore, e duan të ndezur!””

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s