Agim MATO (Albania) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

 
Agim MATO (Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
 
U lind në Sarandë më 1947, ku jeton edhe sot. Në vitin 1969 boton vëllimin e parë me poezi “Jug” dhe në vitin 1974 vëllimin “Në pragun e shtëpive tona”, kur edhe i hiqet e drejta e botimit për shkak të luftës së klasave, e drejtë kjo, që iu dha vetëm në prag të shembjes së regjimit totalitar, kur boton edhe vëllimin e tretë “Buka e fjalëve”. Pas vitit 1990 iu kushtua tërësisht punës për ngritjen e një shtypshkronje dhe të shtëpisë botuese “Milosao”. Ka rinisur pas 30 vjetësh deputimin në poezi dhe brenda vitit 2012 nxjerr nga shtypi përmbledhjet “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”.
Në vitin 2014 botohet vëllimi “Lundrimet”. Në nëntor të po atij viti, Presidenti i republikës i jep titullin “Mjeshtër i Madh”.
Në vitet që vijojnë boton të tjerë libra në shqip, greqisht, italisht. Mund të përmendimi librin “Pluhuri i artë i përjetësive”, Shkretëtitë harrimi”, Kopshtet e kujtesës” si dhe shumë cikle poetikë në gjuhë të ndryshme, të vlerësuara në mediumet përkatëse.
 
 
MEMENTO
 
Mund edhe të mos ishim takuar në jetë,
mund edhe të mos kishe ardhur ashtu
si një shtojzavalle, e sigurt në vetvete
e të uleshe përballë meje
me flakën shkrepëtitëse të syve,
që mbushi me një dritë koralesh gjithë qënien time.
 
Zëri yt u dherdh si një shushurimë valësh.
 
Mund edhe të mos kishe ardhur
dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë.
 
Mua nuk do të më mbulonte ajo dritë e tepërt
që vinte nga thellësitë e detrave të tu,
ai verbim i ajërit rreth e rrotull,
ajo klithmë habie, ajo drithërimë.
 
Nuk ma mbajtën këllqet tërë këtë vërshim vezullues
që pëmbyti ç’gjeti përpara
dhe m’u desh të rivë në vendin e vet
gjithë shtyllat e rrëzuara brenda meje. Në të çarat
e shpirtit
filloi të rrjedhë tepërica e dritës
si ca përrenj kanionesh.
 
 
 
E BUKURA E DHEUT
 
Atëherë për mua poezia ishte e Bukura e Dheut,
që pushtoi si me magji rininë time të hershem.
Jetonin së bashku në të tjera dimensione, në të tjera
hapësira,
dhe botë të reja krijonim
nga fermentimi i shpirtrave tanë.
 
Çapiteshim në një truall mitesh,
duke ngjeshur me këmbët tona dheun e përrallave
të mbushur me mistere.
 
Hipnim në maja të thepisura ëndrrash
dhe koloviteshim nëpër meridianë.
 
Për një ditë, perënditë e rreme, me një dekret të zi,
ma shqitën nga krahët të Bukurën e Dheut,
dhe m’i shkulën nga shpirti një nga një të gjitha lulet
dhe metaforat.
 
Vetmoja në qytetin që tashmë më shfaqej sëprapthi,
në detin që zhurmonte atje lart mbi Manastirin
e 40 Shenjtorëve.
dhe qiellin të brishtë nëpër rrugë, duke hequr zvarrë
retë e tij,
si një karro e shkalafitur.
 
I trallisur nisa të bëja pazar me vdekjen,
goposa motivet e lëna përgjysmë,
me titujt si emra të vdekurish,
gjersa shpirti i shkretuar u mbush si një varrezë
dhe nata,
tridhjet vjet e gjatë,
pllakosi qenien time.
 
 
 
RRETH I MBYLLUR I NJË KOHE
 
Me një kostum të grisur ëndrrash endesha në një gji
të mbyllur deti
me hirin e zjarreve të shuar në shpirt
dhe bukurinë galaktike që frymonte brenda meje.
 
Isha si një guackë e zbrazur,
e flakur mes guralecëve të yjeve,
një spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët isha,
me hekurin e udhëtimeve të ndryshkur.
 
Asnjë shpesë nuk i rrihte krahët rrotull meje
të m’i zgjonte ditët me klithma gëzimi.
 
I mbyllur shpirti.
E mbyllur kenga.
Rrethi i një laku më shtrengonte ne fyt,
dhe, oh, me sa kujdes i hidhja këmbët
të mos shkelja aty ku më prisnin greminat.
 
 
 

 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s