Poezi nga Odise Kote

 
Poezi nga Odise Kote
 
 
GJITHNJË NË FILLIM …
 
Shkrumben, shkulen, thyhen e kërcasin degët,
si të duan të fshehin thellë vetminë.
Të pazbërthyeshëm fatet, enden të verbër,
ka jo akuj, por ajsbergë për të shkrirë.
 
Zgjime shpuese në shpërgëj, kuptuan më në fund,
të mësosh të jetosh…! Ëndrra nuk mund të vdesë.
Përcëllima memecit i jep gjuhën,
erëra të hazdisura dhe shira me rrëshekë.
 
Pik’ e pikë, dhimbë e gjak, fjalët për të fundit herë,
nëse do të fluturosh, s’di përse krahët i fsheh …
 
 
 
PAQE E AJËRT
 
Në kopshtin me bar, fruta e rrangulla lodrash gjithfarë,
qeni lëviz lumturisht, pa opinion e gjykim për veten.
Macja me konsideratë princeshe bën banjë në govatë,
ëndërron fluturim majës së pemëve, te gjethet.
 
Gurëve të pusit sillet rrotull tharë etjeje një zhapik,
dy gushkuqë mbi dardhë qeshin, “Hap sytë, shiko, o i verbër!”
Të shkrumbëzuara duken ngjyrat, ti dridhesh gjithë frikë,
thellësive gjithnjë ka ujë, kjo s’është gënjeshtër…
 
Macja kërnjon kur lepuri bën kollotumba në lëpjeta e ferra,
breshka vetmitare bën shenjë; “Këtu jam edhe unë!”
Në flakët e pasionit brufullak iriqi zemërak ngul heshtat,
i kujton tunduesve se loja e mëkatit e paska një fund.
 
Fryma dhe avujt e erës kërcejnë, hidhen në litar hop – hop,
lulet nën lëvore nderin krahët nga gjumi i bukur i rritjes.
Pa kufizim shtjellet kjo botë, mes stepjes, epshit ndezullor,
në misteret e zgjimit, në agimet e pritjes.
 
Ç’paqe e ajërt, heshtake, larë me brymë, rrezet e dritës
që humbje s’njeh, as moral këtu, në shtëpinë e natyrës!
 
 
 
SHIU QË BIE NË KUJTESË
 
Shiu shkruan në gjethe,
markën e parfumit të puthjes
nëpër flokët e lagur.
 
Rrëfen aventurën,
e pemës me rrënjët dhe gjakun
në lëkurën e qafës.
 
Kumbojnë tinguj violine,
balerinat kërcejnë, rrotullohen
mbi disqe përqafimesh.
 
Era pëshpërit :”Kujdes,
ëndrra është fryma,
mos e gris, mos e prek!”
 
Mbi xham pikturoj
frymën e shiut
që bie në kujtesë –
 
në kinemanë verore
ku shfaqja akoma s’ka nisur …
 
 
 
E RIGJETËM …
 
E rigjetëm vuajtjen që djeg e pjek si saç i fshehur,
mëllagën e vetmuar, të porsaçelë ndanë rrugës së shtëpisë.
Këngën e këndezit që kumbon prej larg si zë i Atdheut,
pyjet tona mbuluar nga mjegullat e vetmisë.
 
E rigjetëm pakthim brengën që bashkon, jo gezimin,
çatinë e gremisur nga shirat e dramave, kujagazin përmbi.
Gurin e shenjtë me gjurmën verdhëdheme të hidhërimit,
vetëshkatërrimin si shpërbërje, fitoren si dështim.
 
E rigjetëm diellin dhe hënën e nëmur, vendin e ankthit,
ferrishtet e braktisjes rrotull qafës hollake të hiçit, si lak.
Baltën e patkojve, mizat e mërzisë në trokun revan të kalit,
dheun e zhuritur thela – thela, gurët e shkulur në prag.
 
E rigjetëm vuajtjen e fshehur, dhimbjen që djeg e pjek si saç,
shenjë a mynxyrë moskuptimi, gjakosur dhe mahisur plagë …
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s