Forough Farrokhzad
Kalendari poetik: Forough Farrokhzad (1935-1967)
Sot, më 5 janar, është data e lindjes së poetes iraniane. Pa u trembur prej klerikëve dhe shkrimtarëve konservatorë të vendit, shprehu me guxim gjendjen e femrave në Iranin e viteve ’50-’60. Në vitin 1962 një film dokumentar i saj mbi jetën e leprozëve u bë i famshëm në të gjithë botën. Ato kohë edhe birësoi djalin e vogël të dy prindërve leprozë.
Në Iranin e ajatollahut, që erdhi dhuratë nga Franca për iranianët në fillim të viteve ’80, do ta kishin varur. Poezitë e saj u ndaluan me ardhjen në pushtet të ajatollah Khomeinit. Femër e emancipuar, poete, skenariste dhe regjisore filmash. Ishte poete që solli modernizmin në poezinë iraniane. Vdiq rastësisht, në një aksident automobilistik, për të shmangur përplasjen me një autobuz shkolle që vinte përballë, u përplas me një mur dhe vdiq pa arritur në spital. Ishte 32 vjeç. Përzgjodha këtë poezi nga shqipërimet që kam prej saj:
DIELLIN DO TË PËRSHËNDES
Sërish diellin do të përshëndes,
përroin që më rridhte në gjoks,
retë e mendimeve të mi pafund
dhe rritjen e mundimshme të plepave në kopsht
që bashkë me mua stinë thatësire kaluan.
Do të përshëndes atë trumbë korbash,
që mbrëmjeve falas më sillnin
kundërmimin e fushave natën.
Nënën e shtrenjtë do të përshëndes, që në një pasqyrë jetonte
dhe kish fytyrën që do të kem e plakur.
Dheun do të përshëndes, dëshirën e tij të zjarrtë
që dhe unë të përsëritem e me farëra të gjelbra
barkun e përflakur t’ia mbush,
po, do ta përshëndes,
përsëri do ta përshëndes.
Erdha, erdha, erdha,
me flokët e mi, me kundërmimin që ka dheu brenda,
me sytë e mi, me përvojën e territ të thellë.
Me shkurret që shkula në pyllin pas murit.
Erdha, erdha, erdha,
me dashuri mbushur plot,
do të pres edhe ata që dashurojnë,
edhe atë vajzë që ende është atje, mbushur me dashuri, unë
përsëri do ta përshëndes.
© shqipëroi Maksim Rakipaj