Poezi nga Behare Daja Kasa
Vendlindje
Më është e njohur kjo rrugëz e ngushtë,
Harlisur dushqesh e shkurresh mbi gardh,
Strehëz e ëmbël folez’ dallandyshesh,
Me britma e cicërima zogjsh ndajnatë.
Kam kaq mall për ty e gurta shtëpizë,
Me trarë të rënë nga mosha,nga koha,
Porse me zjarrin e tëndit oxhak,
Të ngrohej shpirti e fashitej lodhja.
Mall kam dhe për ty burim akullues,
Me të kristaltin ujë shpirtrinor,
Me lejlanë manushaqe përreth zbukuruar,
Me të këndshmen aromë petalesh çdo skaj.
Në ëndrra të kam dhe ty gjarpërori përrua,
Me ujët kristal, me flladin ndër sy,
Në gurëzat e tua sa herë u rrëzova,
Dhe më rriti, më vajzëroi rrëzimi në ty.
Ah! I kujtoj kaq mirë këto vende,
Me çapa të vegjël u rrita në to,
Vendlindja ime e artë si vjeshtëz,
Me ngjyrën e bakrit, stolisur të kujtoj.
… kam mall për ty vendlindja ime,
e artë si vjeshtëz, e gjelbër si pranverë…
PËRGJYSMË
A ke menduar se ndoshta një ditë,
Do më humbasësh gjer në grimcë?
Humbjet edhe të rënda, klithin pa zë,
E ne fshijmë lotët qerpikëve të trishtë.
A ke menduar se ndoshta një ditë,
Malli që kemi do thyhet mijëra copash?
Grimcat e mallit nuk bëhen më një,
E ne thjesht mbetemi,copëza të vjetra stofrash
A ke menduar pra, se ç’do jemi një ditë,
Tek humbjet tona zhurmojnë pa zë?
Unë gjethe vjeshte tek vërtitet nga stuhitë,
E ti, degëz pishe që -trak- thyhet përdhe.
…se thyhet dhe pisha një ditë nga stuhitë,
e rrëshira me gjethëzën,
përkojnë në tjetër rit…
Imazhi i një tjetre
Eja me mua, eja në botën time,
Në atë botë ku ëndrrat nuk qajnë.
Nuk është botë luksi, mes gjërash firmato,
Është botë e buzëqeshjes së artë.
Eja me mua, brenda shpirtit tim,
E bëmu imazh ylli, a ç’të të dojë zemra.
Ngjyrosmë me ngjyrat që të pëlqejnë,
Por mua lërmë imazh nëne.
E në botën time kur të përhumbesh,
Pëshpëritmë veç fjalë që m’i ka ënda.
Nëse mes dihatjesh pëshpërit emër tjetër,
Emrin tim fshima nga tonat ëndrra.
Se, jo për gjë, por kam emër stine,
emër fluturash që lule më lule çikin.
E nëse shpirtit tim i vë imazhin e një tjetre,
Dije se më ke humbur të gjithën!
Pafuqishmërisht…
…endem mes imazhesh që lotojnë.
ç’të bëj me ta?!
s’kam fuqi as t’i përmbush,
por as t’ua fshij lotët nuk mundem.
si trajtë amorfe mes hapësirash,
thjesht ngushëlloj veten
për ëndrrat këmbëgjakosura
tek pyjeve me dëborë më shpien.