Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Gëzuar Vitin e Ri
 
Udhëtova këtë vit pa peshën e bagazheve
në dorë vetëm sythin e një ëndrre,
thellësive të mistershme të gjithnajës
por uni vetjak ishte më larg se çdo yll,
ndoshta përtej kështjellave të mërzisë
ku gjithë feksjet e dritave thyheshin
e ku rrjedh limfa e legjendave
 
Ngjita e zbrita shkallët e universit
shpërbërë në mijëra vezullime
me leqet e këmbëve që më dridheshin
me shputat që më digjeshin
pashë gjurmët e hënës së plagosur
klithmën të prekte kurmin e qiellit
e më shumë doja të isha pranë Teje, Zot
 
T’ u luta me çdo emër Tëndin;
 
Bëje pranverë shpirtin tim
diejt të ngjyejnë gjurmët prej vese
fluturimin tim bëje të gjatë
kraharori n’gufim të ndjej pafundësinë,
dashurinë për Ty
e trokun e ëndrrës që zbret paqmë…
 
 
 
Shekulli i Ri
 
Janë gati karriget e zbrazura rreth vatrës
nën çadër luhet me tragjeditë
ulur qëndron shkretimi i botës
një kurm dergjet aty i pa frymë
 
Por askush s’flet për qerthullin e këtij fati
madje vetë qielli kërcënon me shi
mbi një fashë drite të pasqyruar
kujës së heshtjes shkon shpirti i tij
 
Shungëllon turma përmes poteres
lëshon mbi të një petk të mardhë
një drithërimë mbërrin përtej kufijve
fshikull acari ngjeth lëkurë të bardhë
 
Ah, është portreti i frikshëm i shekullit të ri
Është kaq normale që të vdesësh
brazduar rrudhur hallesh tejendanë
kur je i panjohur aq më tepër
i ndershëm, apo thjeshtë njeri…
është kaq normale pa u ndjerë të vdesësh
shekullit të ri…
 
O Zot, klith nëna ortekun e një kuisje
s’ngurron në çast petkat t’i shqyej
përçen e valëzuar s’ngurron ta shtyj
pa ditur britmën si t’ia ndalë dhembjes,
pa mundur gurin t’ ia vë zemrës
vatrës ku sy e myshqe jeshilojnë
kundruall kurmit dergjur pafrymë
ku vetëm loti i saj që rrokulliset
të birit ia njeh madhështinë…!
 
 
Shpirti im
 
Shpirti im,
a i ndjen gjurmët e vitit që shkon
të festave që aviten me hapin e trishtë
përmes zhvendosjes ngjethëse të reve
athëtisë që udhëton me shputa ere
për të zbritur oxhakëve që vjellin tym
sofrave kërrusur në pikëllim
e rrënqethjes vizatuar në mornica,
teksa pema
përvjedhur nën një duhmë mjergulle
ndez dritat e përhumbet vezullimave
e rrek forcën e fundit të frymëve…
 
Shpirti im,
mos më braktis!
Mos u venit mbrëmjeve të kotura
tërsëllimës shurdhuese të thërrmimit të ëndrrave
as çjerrjes së heshtjeve,
shemb katakombet ku djajt hedhin valle
e lyp agime pa dënesë
mos i tkurr krakët
murit të lartë të mjergullave,
mos u trishto mungesës së përqafimeve
as mpirjes së shqisave
mbyllur burgjeve me rrangullina
e xhama plot rrëzëllima,
atyre që vetë ndërtuam
me pragun më të akullt se kurrë…
Vish buzëqeshjen që për ty gdhenda
me zmeraldë e lima
dhe frymën time,
e qëndro gjithmonë me mua…!
 
 
 
***
 
Përgjonte nata nën shtëllunga resh
thurrimës ku pushonte gjumi i botës
baticës ku deti puth një spikamë bregu,
shpenguar prej etheve të kohës
e kumbimi i valëve
sëmbimesh kthehej orëve të tokës…!
 
 
 
***
 
Plugonte tejendanë truallin e shpirtit
nën vezullimin argjendor të hënës që mbushej
kujës së botës që mezi mbahej në zgrip të jetës
rrënqethjes shkretane të heshtjes,
e ndjente fuqitë ta braktisnin
mbi një kapicë fletësh
që me ngulm drejt gjumit grishnin…!
 
 
 
Symbyllur
 
Kotem e sodit zbrazëtinë e qiellit
përmes grilave ku dita reflekton rreze drite
e dëbora heshtur shtron mantelin e bardhë,
pa reshtur.
 
Një psherëtimë zbret akullsisë në gjoks
boshllëkut që mpin dyert memece
e bardha e fasadave dhe e pemëve
botën që s’bëzanë, bëjnë më të zbehtë.
 
Hedh hapin hajthëm një ëndërrimi
krahëhapur më pret një tjetër vit
asgjë s’ ka ndryshuar
lëvizjet e njerëzve qenkan prapë të ngrira
fjalët cekin acar
bota udhëton në të njejtit binarë
del nga ankthi i ngadaltë
i një lëngate të gjatë…
 
Mbylla prap sytë,
e bjerruna befas u bë më e kërtheztë
ngjyrohen retë
e zogjtë fluturuan sërish
qiejve shkruar tymtarësh
vrapit të avionëve nëpër mjergull,
ndërsa unë symbyllur,
ngadalë, hedh hapin tjetër…
 
 
 
Drita e shpirtrave
 
Dita udhëtonte përmes psherëtimash
nën brinjët e qiellit
ngjyrosur pezmit të reve
e vrapit të padukshëm të drerëve
drejt një tjetër nate,
që me flatrat e ftohta të një ere të hutuar
do të lozte me ngazëllimin e dritave
kacavjerrur pemëve
e harqeve prej guri,
që heshtjet veshin me jehona të dridhshme
nën pikëllimin e një hëne
përndritjes së ethshme,
që kurrsesi s’mund t’i ndizte shpirtrat…!
 
 
 
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s