Poezi nga Fatmir Gjata
BALADA E VARKËTARIT
Në breg të Semanit të qetë, kasollen kish një varkëtar
Sodiste lumin e bekuar, përcillte tej ca kalimtarë
Kalonin pleqtë me takije, ca vasha mbledhur me lahur
Plaka që fshihnin shenja zie, ca capedanë me flamur
Dhe priste duke mërmëritur, ishte mësuar vetëm fill
Paçka se shi binte papritur, o dielli digjte si thëngjill.
E dashurinë këndonte li-o-la, e rrjedha ku e çonte li-o-la
Ashtu e gjet një dallgë e zezë, tek erdh nga larg e me ngadalë
Mbi dallgë ish trupi i një vashe, me flokë të verdhë përmbi valë
Veshur me një fustan të bardhë, veshur me rrobë prej nusërie
Në gjoks kish plagë të pambyllur, nga plumb i rëndë prej alltie
Duart e kapura mbas vellos, që ish përhapur rreth e qark
Në një kornizë aq të trishtuar, lundronte si t’ishte mbi varkë.
I solli lumi i gjatë li-o-la, një vashëzë dhuratë li-o-la.
E mor në krahë dhe e vendosi, në mes dy shelgjesh nënë hije
Atje ku hena fshihej shpesh, prej lodhjes apo prej mërzie
Pastaj e shtriu përmbi barkë, e iku çmendur nëpër natë
Tej cicërinin mijra zogj, e iso mbante erë e thatë
E kush më nuk e pa të mjerin, nuk di njeri çfarë e përpiu
Ndoshta në dete të panjohur, akoma varkëz shkon gjetiu.
I gjalli me të vdekur li-o-la, në det të madh janë tretur li-o-la.
Poezia fituese e çmimit të tretë në konkursin poetik “Alternativa 2020”