Poezi nga Nikollë Loka
Çaste që të mbajnë para pasqyrës
Çastet formohen prej dallgësh dhe prej brigjesh,
prej hapave të parë në momente hutimesh,
prej dritave e fishekzjarreve që mbyten në ujë,
prej luhatjeve të pashpjegueshme të shpirtërave,
prej ritmeve të hapave të idhta mbi urë,
në kapërcime stinësh,
kur vranësinë e syve tu e sheh në sytë e huaj,
çaste që të mbajnë para pasqyrës.
Udhëtoj…
Udhëtoj
nën eklipsin e një dallge
që shfryn,
me kohën që po ta prekësh
rrokulliset,
në jetën që amshimi e përpin,
kur një tufan që derdhet
hap shtigjet,
pa e ditur
se ku do të mbërrij…
Pikëpamje
Për të ardhmen duhen dylbi,
për të shkuarën
të vlen një mikroskop,
për të tashmen
mjafton të shohësh me sy,
dhe syze po të jesh miop.