Poezi nga Petrit Sulaj
NUK JAM VETËM
Nuk jam vetëm. Rreth e rrotull lule kripe.
Tavolina shtruar, mbi të gota pa numër
plot me ujë deti.
Mendja ime e djeshmja, dërgouja një fjalë buzëve
të flasin;
xhamat e ngrirë të dritares ti shkrijë.
Ndoshta dielli i pardjeshëm të merr si shëmbëll;
gris retë
e më sheh
që nuk jam mirë.
VJESHTË
Monument i magjishëm mbi tapet të verdhë,
tështin pa ja ndarë, dy muaj rrjesht,
toka e ngopur me gjumë zgjohet,
mobilohet me pozicione për ushtarët e shiut,
gjethet bien, i maskojnë,
qielli mbyll perdet,
horizontet vishen me mjegull,
vajzat me vello,
lëkura e nxirë nga dielli e njerëzve lëshon pe,
e panxira jo,
gjërat e tjera që nuk bijnë në sy
fillojnë e duken qartë:
dimri dërgon mesazhe në celular
të gjithëve,
toka lind bar të ri, unë nuk i jap shpresë,
Van Goghu ka ngut,
kacaviret pemë më pemë,
gjethet kryeneçe i ngjyen me të verdhë,
vjeshta bën sehir.