Poezi nga Adem Xheladini
nata gri…
dhe yjet qiellit më ngjajnë fikur
sakaq furtuna merr me rrëmbim
si ta heq qafe gjithë këtë trishtim
kur hënëplota më paska ikur
befas rrëkeshëm ranë mbi dritare
lotët prej shiu xhamit kristal
rrufeshëm mora valën ta ndal
as ti përtej nuk dukeshe fare
atë natë të kota më ishin pritjet
mëkot sodisja të vish nxitim
mëkot një pritje gjer në agim
sa përmbi thinja u plakën vitet
as dukej kund fund i një nate
n’golgotë dëshirash ishte mbështjellur
qiellit verbak dot as yll i ndezur
veç vello ngrysur bri skutës sate
Fjalë e pathënë…
As sonte, s’u mbyll sipari
Ky yjet vallzojnë në qiell
As sonte, s’ndali kalvari
me dëshirën mbështjellë
Veç yje hidhen në valle,
E hënëplota, në ballë
Një mal aty me malle
Këtë natë, acar!
Dhe iku Hëna,
U fsheh,
Matanë malesh
Përtej detit u struk,
S’u duk!
Mbeti pa thënë:
Një mal fjalësh,
Një gotë e lënë,
Në mes një digë!
Xham i ngrirë,
Përtej
Luleakull,
Përmbi u fik!
Dhe shikim i brishtë
mbi pikë, përmbi
u këput e ra,
Si lot!
Si lisi ra
Prerë në mes,
Si me thikë!
A thua:
Ka ngritje, ka zgjim,
Përtej!?
A veç, rrëzim!
***
Ti vjen vrullshëm e në vellon e varkës valëvitesh
Me këngën që dikur këndonim, para shumë vitesh
Me kujtimet e vjetra që mban strukur në gji
Dhe m’i sjell sonte, kësaj nate si me magji!
Vjen si mëngjesi, si atë kohë kur e gdhinim të dy
Dhe pa pra veten ne aty e shihnim në të tjetrit sy
Si atëherë kur ëndrrat i përpëlitnim në të jetës bardhësi
Nëpër njëmijë të pathëna, kur zhyteshim nëpër thellësi!
Vjen sonte, ti!, bashkë me shiun që ka marrë me rrëmbim
Pastaj ashtu heshtur futesh nëpër varg si me qesëndi
Pastaj, këngës sonë ia marrim nëpër të shiut melodi
Asaj kënge që atëbotë na mbështillte në tonin përgjërim!