Zija Çela dhe tërmetet narrative (Letërsia Bashkohore Shqipe VII) / Autor: Ali Aliu

 
“LAVJERRËSI” I ZIJA ÇELËS SHKUND QYTETIN
 
Kështu e paralajmëron nga hapi në hap rrezikun e shoqërisë shkrimtari ynë, ai i paepuri në fshikullimin e saj dhe stoiku që, megjithatë, i rri te koka si engjëlli mbrojtës.
 
Ali ALIU
 
 
***
 
“Lavjerrësi i qytetit”, romani i ri i Zija Çelës, sjell pamje shumështresore nga shoqëria aktuale. Rrëfimi vë në lupë të ligën, arrogancën, brutalitetin, hipokrizinë, shpërdorimin e fuqise dhe grykësinë për zhvatje. Duke lexuar romanet e autorit, në të vërtetë kryeveprat e sagës romanore të Zija Çelës, lexuesi që në hapësirën shqiptare sot e vuan zvetënimin shpirtëror, e ndien sa brengën krijuese të Çelës, sa ngasjen për vetëdijesim e drojën nga humbja e udhës, po aq edhe besimin se sëmundja mund të shërohet. Si një feniks stoik, që nga magjikja “Formula e Jetës” që rrezaton në sagën e tij, Zija Çela vazhdon të sjellë shqetësimin e shekullit për mbrapështitë tona nga një perspektivë ndryshe, nga një alternativë narrative që artikulohet zë i fuqishëm i fillimshekullit të ri.
Rrëfimi letrar i Zija Çelës është shkollë. Jo vetëm si poetikë, por edhe si vizion, si akuzë. Rrëfimi i tij nuk vjen si pajë e asimiluar, prejardhje e të preferuarve të tij të mëdhenj, rrëfimi i Çelës është i truallit vendor dhe bashkëkohor. Prandaj autori godet nga romani në roman, duke u shfaqur shtigjesh të ndryshme shkrimore. Dhe gjithnjë si nga e para, gjithnjë i freskët në energjinë e tij krijuese. I tillë vjen edhe te “Lavjerrësi i qytetit”. Në mbështetje të mimesisit antik, rrëfimi mbi realitetin është fiksional. Por ndryshe as mund të rrëfehej ky realitet i frikshëm. (Ka lajme se burgaxhinjtë kanë krijuar partinë e tyre, me të cilën synojnë të marrin edhe pushtetin. – Si të mos rrëqethesh kur lexon diçka të tillë?!) Janë biblioteka të tëra ndër shekuj, që provojnë të hedhin dritë për të vënë paralele komunikimi mes reales dhe imagjinares, mes së mbidheshmes dhe të nëndheshmes, mes së sotmes dhe të djeshmes. Veçse narracionin e Zija Çelës një fije e hollë e ndan nga realja bashkëkohore, një kufi i tejdukshëm i të qenit sinkron. Ndryshe, bie fjala, kur raportet kohore qëndrojnë larg e larg, si në rastin e “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë që, siç besohet me të drejtë, është nxitur nga strukturat policore të diktaturës së kohës.
Çfarë është raporti i rrëfimit fiksional të Zija Çelës me botën reale? Autori nuk e braktis asnjëherë këtë përballje dypalëshe, Çela e ka të lindur prirjen e krijuesit të madh, në frymën e asaj që thotë Tolstoi se rrëfimin e vet shkrimtari e ka të mbjellë përjetë. Rrëfimi i Çelës ka qasje të vetën, sa mbulohet me fiksionin mimetik, sa del nga mëtimi për të krijuar iluzionin e së vërtetës nëpërmjet trillit, sa e sugjeron përmes bartjes së tërthortë botën reale që ka parasysh, sa fshihet përmes përmbysjeve të inskenuara nga fantazia e tij e pashtershme. Rrëfimi rrëshqet me estetikë dhe elegancë në tehun mes trillit që gjasmon realen dhe reales që mbështet trillin, duke ruajtur karakteristikën e rrëfimit autobiografik përmes vetës së parë.
Le të përmendim fabulën e “Lavjerrësit”. Në një qytet shqiptar me emrin Burgas, mbase nja dy orë larg kryeqytetit, në burgun vendor kanë shpërthyer trazira jo të rëndomta. Një nga gazetat e përditshme, nga ato më ndikueset, dërgon atje gazetarin Valer Jaca. Për disa kohë ai do të raportojë rrjedhën e ngjarjeve, që përshkallëzohen ritmikisht, duke e mbajtur në tension lexuesin. Të gjitha ngarkesat, shenjat e shenjëzimet, ndërthurjet narrative, replikimet e distancat, huazimet, nofkat, fizionomitë refuzuese, përqeshjet, toponimet etj, krijojnë marrëdhënie funksionale për të depërtuar sa më bindshëm në botën, që autori i përcjellë lexuesit. Shenjë e zëshme është edhe emërtimi i dy krahëve të rrugës, e cila ndan Burgasin nga burgu. Krahu nga qyteti, me vendim të këshillit bashkiak është pagëzuar “Të ndershmit”. Po me atë vendim, krahu nga burgu është emërtuar “Të pandershmit”. Mirëpo, gjatë zhvillimit të ngjarjeve, rolet do të ndryshojnë, shumë nga ata që ishin brenda dalin jashtë, ndërkohë që shumë të tjerë që për sy e faqe mbaheshin me “namuzë”, e humbasin nderin dhe burgosen.
Zija Çela e zhvendos vendin e ngjarjeve nga Tirana, pra gjasmon sikur e zhvendos Burgasin, duke e shndërruar atë në një metaforë burgu shqiptar. Hiqet sikur e ndanë realitetin në “Të ndershëm” dhe “Të pandershëm”, teksa në fund sikur na lë të nënkuptojmë se krejt kjo është e njëjta gjë, të parët i bëjnë ligjet e të dytët i vuajnë, në mënyrë që menjëherë pas kësaj të na thotë se palët njësoj mund t’i ndryshojnë kahjet, por propabiliteti i rezultatit është thuajse i njëjtë: bjerrja e nderit. Në këtë mënyrë, krahas qytetit autori tund e shkund edhe kryeqytetin, pasi bashkë me zyrtarë të lartë lokalë, në faqet e romanit gjejmë si personazhe edhe zyrtarë të dikastereve qendrore, këshilltarë ministrash, ministra e madje vetë kryeministrin letrar. Dhe lexuesi sikur magjepset nga bindëshmëria se gjithë këto çudira e ngjarje përditshmërie janë kaq të prekshme, sa në çast i duket sikur përfshihet brenda vorbullës aktuale shqiptare. Rrëfimi i Çelës vetëm sa e përthyen, gjegjësisht sa e lëviz këndin e perspektivës realitet-trill, përkatësisht pozicionimin e lavjerrësit, i cili lëviz me përpikëmëri dhe harmoni narrative të përsosur.
Tek rrëfimi i autorit ka edhe një magji të kundërt, poetika sikur e paralajmëron gjithashtu lexuesin: Mos i merr të gjitha përmbysjet e mia apokaliptike si të vërteta të patundshme, ose të paktën jo si plotësisht të vërteta. Mos beso thjesht as se bota jonë është barrikaduar përfundimisht vetëm brenda dy kundërshtive, hapit para dhe hapit mbrapa si vetëshkatërrim, mbrothësisë dhe mbrapështisë, e po ashtu edhe shumëçkaje të përfshirë në rrëfimin tim romanor. Por beso se të gjitha bashkë janë arsye të mjaftueshme për pagjumësinë time dhe këmbënguljen time për ta shkundur herë pas here shoqërinë nga virozat e thatësisë shpirtërore, – kështu më ngjason sikur psherëtin Zija Çela mes rreshtave.
E kam thënë edhe më parë, Zija Çela a nuk është pak Don Kishot?! Gjithë ky besim-shqetësim, ky ngulmim të thuash prometean për ta ndrequr botën rreth e rrotull, tonën këtej e të njerëzimit përtej, mos ka në vete edhe farën “lajthitëse” donkishoteske?! Gjithnjë nga beteja në betejën romanore të radhës, shoqëruar me SOS-in për shpëtim, shoqëruar prore me shigjetën kalorsiake të tendosur, dhe me gjithë zhgënjimet, prapëseprapë pa u tërhequr nga besimi se koha për njerëzimin do të marrë për mbarë, veçmas kjo koha jonë e marrosur.
Natyrisht, ka edhe shkrepje të befta dëshpërimi se kjo botë vërtet është e pandreqshme, se kjo botë nuk mund të sundohet njerëzishëm, çaste tundimi të cilat sakaq treten në këtë udhëtim romanor. Janë përftime që shndërrohen në këmbëngulje, duke mëtuar ngasje për zgjim e kthjellim, për mbështetje në mundësinë, në fuqinë njerëzore të lindur e të kultivuar. Ashtu si besimi i të madhit Servantes, si mendimi i tij filozofik se njeriu mbetet njeri vetëm në sajë të besimit për një botë më të mirë. Ndihet te “Lavjerrësi i qytetit”, edhe pse me një si hov më të ngrysur, buzëqeshja miqësore që përmbush sfondin nga brenda rrëfimit. Ngjashëm fuqisë së gjithësisë, asaj të natyrës që simbolizon fija e barit të Uitmanit, fija e brishtë që edhe mund të tërhiqet për një çast nga acari, por nuk e lë pa e çarë edhe peshën e shkëmbit për të dalë në dritë. Sado botë e egër, brutale dhe plot prapësira, çka pasqyrohet te “Lavjerrësi”, Zija Çela i qëndron mbi kokë si engjëlli mbrojtës.
Sa më shumë t’i besojmë shqetësimit të autorit se rrjedhat shkojnë drejt margjinalizimit të njeriut, të njerëzores, drejt të qenit më i parëndësishëm, aq më të besueshme bëhen personazhet e Zija Çelës. Ato me vizionin e buzëqeshjes që shpërndajnë mirësi e dashuri, ata me vizionin dritësues të jetës, ata me ndjesinë për sakrificën e sublimen, të atillët, pra, që sa vjen e rrallohen në realitetin tonë të përditshëm. Formati i romancierit Zija Çela asnjëherë nuk e kufizon veten me veprën e fundit. Kështu afërsisht e artikulojnë ritmin ciklik të pandërprerë romanor krijuesit e mëdhenj. Folkneri thotë se në pyetje është një demon i brendshëm, që e vë në lëvizje krijuesin dhe që në çastin e zgjimit e bën të përfshihet nga një vërshim, i cili nuk pyet për pengesa e skrupuj, por rrëmben çdo gjë që i duhet drejt objektivit. Është demoni përherë i zgjuar i Zija Çelës që vigjilon mbi kërcënimin, mbi rreziqet para të cilave mund të gjendet njeriu. Sepse për Zija Çelën krijimtaria nuk është qëllim, është mënyrë jete, është frymëmarrje.
Autori edhe te “Lavjerrësi” artikulon situata të vërteta, individë thuajse të vërtetë, shpesh të veshur me petkun “sikur”, por të identifikueshëm në realitetin e sotëm shqiptar. Edhe pse i kursyer në “zbulimin” e të fshehtave të tyre të nëndheshme, pa ua mbuluar prirjen ngucakeqe të arrogancës dhe kalbëzimit shpirtëror, ashtu siç spikat stili, spikat gjithashtu fisnikëria me të cilën zhbiron pa reshtur në botën e tyre. I padukshëm në prapaskenë, gjithsesi Zija Çela u qëndron krah personazheve, pasi edhe kur rrëmben kamxhikun, nuk godet verbtazi. Dhe këtë e bën përherë me lehtësinë, delikatesën dhe elegancën që karakterizon poetikën e tij rrëfimtare.
Ç’janë individët personazhe, ç’është turma e pranishme dhe gjithnjë në lëvizje? Cila kohë është në rrjedhë tek bëmat narratore të Çelës, cili pushtet, me çfarë protagonizmi, ç’objektiv vë në fokus? Tek-tuk, Çela veçon ndoca që i rezistojnë agresivitetit, që s’pranojnë t’i dorëzohen asaj rrjedhe, të cilën autori e përjeton si marrosje. Turma, që në vrap e sipër shkel mbi njëri-tjetrin, nuk ka kohë të ndalet dhe të bëjë dallim mes së mirës e së ligës, të kërkojë te vetvetja zgjimin, zërin moral, të harrojë për një çast lakminë e të veshurit me pushtet, me famë, me kënaqësi perverse e përfitime korruptive. Përse gjithnjë sikur presim që individi më parë të bëhet “i fortë”, pastaj mbase edhe i moralshëm?! Dhe krejt këto dilema e të tjera, autori i kërkon nga një akt krijues në aktin tjetër.
Zija Çela është shkrimtar që në sagën romanore sjell numër të madh personazhesh. Por të gjithëve u jep letërnjoftimet e veta. Veçse të klasifikuara, ndryshe atyreve që janë shtylla bartëse të rrëfimit, ndryshe atyreve me role episodike dhe ndryshe figurave që krijojnë atmosferë. Dhe ua jep gjithnjë me synimin që të sjellin ndjesinë e pranisë së përfshirjes së plotë të botës përreth, totalitetin e saj në kohë dhe hapësirë.
Por edhe në këtë vizion të rrëfimit romanor Çela mbetet sërish origjinal, artistikisht efikas dhe mbresëlënës. Autori nuk lejon që personazhet t’i dalin prej dore, ta detyrojnë t’u lëshojë pè dhe të tërhiqet nga skrupujt e tij krijues, por as të mbeten pa ia dhënë hakun secilit. Shkurt, ai nuk “dorëzohet” para kërkesave, ankesave, mallëngjimit të personazheve, as i detyron në dritë të ditës të hapen deri në fund. Brenda këtyre shkallëve të menaxhimit, Zija Çela mban ekuilibre, duke e kultivuar këtë poetikë narrative në mënyrë konstante në prozën e tij.
Tërë mozaiku i personazheve të shumtë të autorit, ofron një gjendje globale të mbarsur me shenja drejt çrregullimeve e kaosit. Krejt vepra e tij e përcjell këtë trazim të brendshëm edhe si një paralajmërim se bota, përditshmëria e ngarkuar me neuroza individuale e kolektive, me depresionet dhe agresivitetin e papërmbajtur, me zvetënimin shpirtëror dhe grykësinë patologjike, ka mundësi të marrë drejtim regresiv. Më vjen të them se jehona të tilla shquhen rrallë në prozën romanore të shqipes. Por kështu e paralajmëron nga hapi në hap rrezikun e shoqërisë shkrimtari Zija Çela, ai i paepuri në fshikullimin e saj dhe stoiku që, megjithatë, i rri te koka si engjëlli mbrojtës.
 
(Fragment nga libri monografik që autori i ka kushtuar krijimtarise së Zija Çelës)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s