Dante Maffia
Kalendari poetik: Dante Maffia 17 janar 1946
U lind 75 vite më parë, në Kalabri, poeti, shkrimtari dhe eseisti italian Dante Maffia. Shkruan në të folmen kalabreze dhe në italishten standart dhe veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Hyri në rrugën e letërsisë në vitin 1974 me përmbledhjen poetike “Il leone non mangia l’erba” (Luani nuk ha bar). Fitues i shumë çmimeve, ish presidenti Carlo Azeglio Ciampi e dekoroi në vitin 2004 me medaljen e artë të kulturës. Sjell këtë shqipërim nga poeti kalabrez:
S’KA TË NESËRME
Të nesërme s’ka
por të mendoj dhe veten gënjej
e rrekem ëndrrat të t’i vjedh
dhe rrugën kohës t’ia kthej
bashkë me pranverat.
Por ëndrrat kanë hapin mjaft të gjatë
dëshirat e mia s’janë stërvitur.
Prandaj gjithmonë mbetem pas
si çdo i uritur.
© shqipëroi Maksim Rakipaj