Metoda të stilit poetik post-modernist / Nga: Aleksander Çulaj

 
Aleksander Çulaj
 
 
Metoda të stilit poetik post-modernist
 
Një poet i madh spanjoll, thoshte se “poet vetmitar nuk ka”. Ai shprehej ashtu, duke menduar poetin dhe lexuesin si dy qenie të lidhura fort, të cilat komunikojnë gjithnjë me njëri-tjetrin. Ndaj, kjo më gëzon. Më gëzon, jo ngaqë nuk ndjehem vetëm; por edhe se ai ose ajo që do lexojë do ketë një mundësi dialogu. Dhe se nga ky bashkëbisedim do të mund të kuptojë diçka të vlershme se si shkruhet poezia post-moderne. Jo si metaforë e dalë jashtë mode, por si zinxhir konkret që ka lidhje me kohën dhe hapsirën metafizike dhe dialektike të normës poetike. E kam fjalën për aspektet shkencore të gjuhës së shprehjes, nga ku mësimet që nxjerrim mund të mos jenë një kontribut i madh në letërsi. Por mund të shërbejnë si fletëhyrje perceptimi ndërlidhës midis nocioneve dhe strukturës së vargut. Pra, një soj disipline strukturore të metrikës dhe formës në poezi, gjersa duket se një dyzinë poetësh të sotëm shkruajnë me mospërfillje.
Derimë sot, në letërsinë shqipe ka dominuar vargu i lirë me metrikë të shkurtër. Por në poezinë që do shkruaj më poshtë, do të paraqes stilin e gamës së gjatë, e cila kalon nga stili i poezisë “rrëfimtare” drejt poezisë “narrative”. Domethënë, një poezi novatore me vargje të lira, me aplikim të saktë të metrikës.
Duke huazuar një thënie pragmatike të Çurçillit mbi rritjen bërthamore, i cili si modë kulturore përdorte shprehjen “duke u hedhur përtej mbeturinave”, qëllimi im kryesor është në paraqitjen e “poezisë së zgjeruar”, duke u hedhur përtej horizontit të deritanishëm të poezisë masive. Kjo edhe për faktin tjetër se kam qëllim të sjell diçka të re në epokën krijuese post-moderniste.
Zgjedhja e zhanrit në poezinë e mëposhtme përbën karakteristikën tematike, alegorinë epike, formën analogjike, formën e vargut të rregullt dhe elementin social. Pra, marr përgjegjësinë jo vetëm për stilin letrar, por tentoj të konkuroj edhe në tregun e ideve jo letrare, për të nxitur diskutime.
 
DY FYTYRA ANTAGONISTE
 
Ai e lexon gazetën përsëmbrapshti.
Titujt, ata për Kovid, i pret me gërshërë.
Dyshon fort në vërtetësinë e lajmeve,
Pastaj ulet e shkruan me rrashtën e tij:
 
“Gënjeshtra është buka jonë përditore,
Dhe unë jam bërë bajat me mashtrime;
Realiteti është formë antagoniste Shtypi,
Dhe Koha ― çast për të shitur pordhë.”
 
“Kështu falsiteti e vret mendimin publik,
Sepse arsyetimi logjik është i pamundur.
Juve u kanë pyetur ndonjëherë për diçka,
Apo dhe akordet e lirisë ua kanë caktuar nga lart?”.
 
Kjo, për habì, është esenca e trurit të tij:
Bota e sotme ― një copë mish me dy sy!
 
– Ama, duhet të pohojmë faktin se kjo është një nga format më të vështira letrare. E para, sepse në planin gjuhësor çdo fjali i përgjigjet nocionit objekt-folje-subjekt. E dyta, çdo fjali mund të pritet pa humbur kuptimi i vargut. Shembull:
 
Ai e lexon gazetën/
Titujt për Kovid i pret/
Dyshon fort në vërtetësi/
Pastaj ulet e shkruan/.
 
– Dhe forma e tretë, në çdo strofë, vargu i parë i përgjigjet vargut të tretë, të katërt, të pestë, të shtatë…etj.Shembull, nga vargu i parë te vargu i tretë:
 
“Ai e lexon gazetën përsëmbrapshti.
Dyshon fort në vërtetësinë e lajmeve”.
 
– Apo nga vargu i parë te vargu i katërt:
 
“Ai e lexon gazetën përsëmbrapshti Pastaj ulet e shkruan me rrashtën e tij”.
 
– Por jo vetëm kaq. Secili varg mund t’i përgjigjet çdo vargu tjetër.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s