Cikël poezish për fëmijë nga Nehat Jahiu
BLETA NË BIBLIOTEKË
E veshur me të bukurën xhaketë,
bleta futet brenda në bibliotekë.
Deri vonë aty na ka mbet,
librat më të dashur aty ka gjet.
Ëmbël qeshet Bleta,
pyet në befasi.
A mund t’i kem unë,
të gjitha në shtëpi.
Pret bashkë me radhë,
librin që ta marrë.
Do ta lexoj Ezopin,
çfarë ka thënë në përrallë.
MËSUESJA JONË
Mësuesja jonë,
shumë punëtore.
Fjalët çokolatë,
zemrën xhevahir,
nuk gjeni mësuese më të mirë.
Në klasë mbretëron qetësia,
kur zhvillon mësim nga letërsia.
Fjala e saj enciklopedi,
për çdo ditë sjell risi.
Shkëlqen si rreze drite,
prore e përqafojmë.
Ty mësuesja jonë,
kurrë s’do të harrojmë.
DITURIA
Dituria është si pranvera,
është e bardhë si luleshqerra.
Është si diell e është si hënë,
në errësirë s’ka për të lënë.
Dituria është këngë bilbili,
rreze e artë-rreze dielli.
Është ujë i kroit që gurgullon,
sytë nga gjumi t’i pastron.
Dituria është livadh i blertë,
këmishë e thurur me gjergjef.
Është e pastër sikur loti,
kurrë me të s’do të ngopeni.
PEISAZHET E VJOLLCËS
Vjollca vizaton lulen,
kopshtin e gjelbëron,
mbi manushaqe pak vesë shton.
Në livadhe të bukura,
mbi bar vrojton një bletë.
Ti, moj punëtore,
ngjyrën e verdhë e ke lezet.
Kokën nga qielli e kthen,
si për ironi fillon të bjerë pak shi.
Në kodër andej pas pak,
Ylberi do të shkëlqej për merak.
Fluturat i zë në fluturim,
ca të bardha e ca kombinim,
ndaluni mbi krahun tim.