NJË DEGË MIMOZE / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

 
Tregim nga Rudina Muharremi Beja
 
 
NJË DEGË MIMOZE
 
Mëngjesi ishte i ftohtë si rrallë herë dhe rruga si zakonisht në atë orë të ditës ishte e shkretë. Shkurti sapo kishte hedhur këmbën, ndërsa mjergulla e dendur mbështillte gjithçka përreth. Tek tuk ndonjë kamion shihej të shkonte periferisë për t’ u ngarkuar me dru e për të udhëtuar më pas drejt qyteteve fqinj.
Pyjet ishin e vetmja mënyrë jetese në ato vite të trazuara, në ato vise të harruara, ku ankthi rëndonte si re e zezë, ndërsa natyra në të kundërt shfaqte tablo marrafrymëse, të cilat bëheshin objekt bisede shpesh herë mes kolegësh.
Shkolla ishte një ndërtesë dy katëshe, tmerrësisht e ftohtë në atë periferi dhe shfaqej si një përndritje e vobektë në atë djerrinë të braktisur.
Ishte viti i dytë i punës. Ajo kishte krijuar më tepër konfidencë me nxënësit dhe me kolegët që ishin gjithmonë të mrekullueshëm. Përpiqej të hetonte përmes vështrimit nëse ishin të përgatitur apo jo nxënësit e saj të vegjël e njëkohësisht ndjente brishtësinë e tyre, dlirësinë e mendimeve e madje dhe urinë, pasi vinin nga familje të këputura nga varfëria…!
Në pushimin e gjatë qëndroi në klasë dhe ndjeu të gjitha portat e tjera të mbylleshin me kërkëllimë. Korrigjoi disa detyra e tek shfletonte me ngut ato fletore fytyra i ndizte dhe fikte buzëqeshjen ngadalë. Dukej sikur lexonte sakrificat e prindërve të tyre të mrekullueshëm madje të vetë fëmijëve që mbështillnin ngazëllimin dhe harenë në lëmsha të leshtë rreckash. Për veshmbathjet e tyre kishte bërë më tepër një kishë aty pranë, që herë pas here shpërndante diçka në shenjë bamirësie.
Ajo rendëte drejt të njëzetave…dhe çuditërisht brenda saj s’ kishte ndalur asnjë çast dëshira për të kryer studimet, ndërsa familjarët dhe mbikqyrësit veshngrehur jepnin paralajmërime të shpeshta, që përkonin me ngjyrosje bisedash, metafora apo duke sjellë shembuj të suksesshëm dhe anasjelltas, një dukuri që tashmë kishte depërtuar në çdo familje.
Balli ju mbush me djersë të ftohta e me sy të mekur rrëmbeu penën dhe vijoi të kontrollojë detyrat.
As familja e saj s’i kishte shpëtuar ndikimeve të jashtme, madje as furive të brendshme të njëpasnjëshme që lodhnin ditët e pangjyra.
Ishte kaq e vështirë të jetoje në ato vite tranzicioni sidomos të ishe një vajzë e re, aq më keq po të kishe ndonjë ëndërr në sirtar.
Ndryshimet e befta pas izolimit kishin krijuar një shoqëri materialiste, pasiguri dhe ankth për të nesërmen. Syri fatal i kohës së paduksheme vinte në lëvizje mekanizma, që prisnin me tehun e mprehtë ose farkëtonin “këllëfë fati” e “laqe” për të gjithë. Sajoheshin mozaikë “të plotë” që daraviteshin emblemave e mbysnin frymëmarrjen.
Ndërsa ajo ishte në kundërshti të fortë me çdo lloj fshehtësie mjeshtërore të këtij kalibri dhe vijonte përditësinë pa lënë shteg për interpretime të tjera.
Atë mëngjes fillim shkurti u përball me një djalë, me trup të mesëm, flokë të zinj kaçurrela, i cili ndoqi hapat e saj deri në afërsi të punës për të humbur më pas kthinës së rrugës.
S’e vrau mendjen, një ndër të shumtit kishte thënë me vete dhe kishte vijuar mësimdhënien duke parë me bisht të syrit ditarin e tejmbushur me shënime.
Kur doli, aty ku e kishte humbur nga sytë, iu shfaq përsëri me një drojte të lexueshme në fytyrë. Kësaj radhe bëri përpara dhe i foli me një butësi të rrallë.
-Mund të ndaloni pak, dua t’ ju flas dhe nxori nga xhaketa e lëkurtë një lule mimoze.
– Më thuaj- tha ajo, ndërkohë që të dy kolegët e saj, një vajzë e re dhe një meso burrë me të cilët udhëtonte përditë, bënë ca hapa më të shpejtë për t’i lënë për pak çaste vetëm.
– Prisni foli ajo, s’ kam ndërmend të zgjatem duke i dhënë të kuptojë se s’ kishte kurrëfarë interesi.
– Dale – foli ai,.. Më lër të flas – dhe i tha se e njihte, madje shumë mirë.
– Çudi, ia priti ajo, unë s’ të njoh aspak e as të kam parë ndonjëherë.
-Më ke parë, foli ai. Ti ishe 13-14 vjeçe kur erdhe të takoje motrën tënde.
Dhe unë atëherë do i thoja:
“Mbaje mirë motrën, se kur të rritet do ta marr për nuse”, s’ e mban mend?
– Jo, ia priti ajo konfuze, duke menduar se kushedi ç’lloj mblesërie qëndronte në mes.
-Atëhere ishe e vogël, doja që të rriteshe, prandaj nuk u shfaqa asnjëherë.
– Jo, i’ a preu shkurt ajo, faleminderit dhe ditë të mbarë!
Pa për një çast dhe shpejtoi hapin për të mbërritur kolegët, ndërsa ai u largua duke lënë nga pas një parfum të mirë.
Të nesërmen duke kaluar përmes qendrës për të vajtur në punë, nuhati të njëjtin parfum. Tundi kokën e tha me vete;
“Sa budallaçkë jam”, duke nxituar përmes asaj mjergulle që prej ditësh qëndronte pezull rrëzë asaj kodre.
Befas i doli përpara.
-Erdha prapë- dhe nxorri vetëtimthi një degë mimoze më të madhe nga xhaketa.
“Hej bela” – foli ajo me vete dhe s’ ndaloi fare.
Disa kalimtarë të njohur e panë me një buzëqeshje. Të nesërmen sërish, e kështu për ditë me rradhë, derisa tashmë të gjithë ia njihnin intenerarin.
Një ditë vendosi të ngjitej në katin e dytë të shkollës. Ishte 8 – Marsi dhe tashmë tufa me lule s’ fshehej dot nën atë xhup të lëkurtë.
Nxënësit që ishin në pushim të gjatë vrapuan buzagazë e njoftuan se një djalë me flokë të gjatë kaçurrela e me një tufë lule po e kërkonte.
S’ doli nga dera e shkollës, por mëkot. Ai qëndronte i palëkundur dhe e kishte pritur jashtë…
-Të lutem, i foli me mirësjellje ajo, dua të vazhdoj punën. Nuk mendoj se përputhemi bashkë .
Tashmë të gjithë prisnin kuriozë, edhe i ati kishte dëgjuar fjalë, por nuk ishte shprehur gjer sa një ditë e thirri të bijën afër.
– Moj bijë, foli më në fund ai. Pse s’ e pranon atë djalë, është shumë i mirë, i edukuar. Mos harro se je vajzë 20 -vjeçe tani.
Në atë çast diçka iu shkul në gjoks.
-Jo, foli ajo. Nuk mendoj se përkojnë karakteret tona.
Ndonjë Goli rrokulliste gurë në përpjekje për të bërë zhurmë, aq sa efekti ndjehej në tërë katundin. Madje dhe gjyshi, një burrë i mençur me musteqe kishte ardhur në oborr dhe po e priste tek dera.
-Ah tha, qenkeni bashkë dhe pa në sy të atin për të kuptuar diçka.
– Moj bijë, foli ai më në fund, atij djali ia njoh gjithë fisin, kupton moj kopuke, merre se janë familje e mirë.
S’ të kam thënë kurrë për të tjerët, e sakaq nxorri kutinë e duhanit e drodhi një cigare.
Bëmëni një kafe, i tha më pas me zë të prerë – dhe qëndroi nën hijen e bajames që kishte veshur kurorën e luleve prej ditësh.
Të nesërmen djali si gjithmonë kishte mbërritur herët dhe parfumi i tij tashmë njoftonte se mund të ishte duke i përgjuar hapat.
-Pse s’ më pranon, ia preu ai shkurt dhe e vështroi në sy.
-S ‘mundem, ju përgjigj ajo. Kam plane të tjera pë të ardhmen. Do të shkoj në shkollë, dhe meqë ra fjala më thuaj ç’ farë shkolle ke, me se merresh ti, ç’ të ardhme mund të më falësh?!
-Ai uli sytë dhe u mendua një hop.
-Unë vërtetë të kam ndjekur që atëherë dhe i premtova vetes që një ditë do të bëhesh e imja. Sa për shkollë, kam atë të jetës, të sakrificave të emigrimit, të respektit e dashurisë së sinqertë, ndërsa të ardhmen nuk do ta fal unë, do ta ndërtojmë bashkë, çdo ditë, dhe do ta mbrojmë me vendosmëri atë që do të ndërtojmë mbi bazat e fuqishme të besimit reciprok. Kemi penelat, kemi ngjyrat, kështu do ta pikturojmë vetë dashurinë tonë.
Asaj s’ i mbeti fije zëri të fliste dhe mendoi se pas kësaj çdo fjalë do të ishte krejt e kotë. Ngriti kokën si të kërkonte ndonjë gjurmë reje në atë qiell vezullues dhe i tha se ishte bërë shumë vonë, kishte ngut pasi do të ndalonte diku.
-Mirëardhsh, ia kishte pritur ai, duke i dhënë të kuptojë se do ta priste sërish aty.
Fluturoi kështu dhe Marsi, ndërsa ditën e Ditëlindjes së saj, ai ishte bërë më i bukur se kurrë… Mes luleve kishte fshehur një dhuratë.
– Unë s’ kam para i tha, po desha të të falenderoj për gjithçka më fale edhe nëse s’ më pranon do të dëshiroja të mbetem miku yt,
Një mentalitet krejt tjetër, një çiltërsi e rrallë e cila e habiti edhe më shumë atë.
-I pranoj lulet. Do më japësh pak kohë që të mendohem- i tha – dhe u largua përditësisë së saj, duke lënë pas sytë e tij të gjallëruar dhe aromën e parfumit që shpërndahej ajrit të freskët.
I ati përditë përpiqej të kuptonte ç ‘po ndodhte mes tyre, ndërsa ajo s’ lëshonte terren
-Baba, e di dhe ti…dhe me kaq përmbyllej cikli i bisedës.
Ah, po, foli një ditë ai, -E di që mund t’i besohet vajza atij djali dhe vijoi të qepte komçën e xhaketës gri që vishte gjithmonë pranverave.
Celebruan lidhjen e tyre më 1 Maj të atij viti.
Ai ende vazhdon ti dhurojë lule …!
 
25/01/2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s