Lotët e kaut ( Tregimet e Anadollit) / Nga: Prof Resmi Osmani)

 
Resmi Osmani
 
 

Tregimet e Anadollit

 
Lotët e kaut
 
Ata ishin katër vëllezër dhe nëna.I martuar ishte vetëm vëllai i madh. Kur u shkëmbyen popullatat, ajo që u quajt Andallai, të trembur nga bastisjet, djegiet dhe vrasjet e andartëve,që shfaqeshin si fantazma me thikë ndër dhëmbë,nga tmerri dhe flakët që qarkonin errësirën e netëve, dhe të yshtur nga hoxhallarët dhe turkoshakët, paniku , zallahia e berihai, iu ngrit mëndja të shkonin në Turqi.Ikë të ikim! Atje, thoshin hoxhallarët,do të gjenin jetën e vërtetë, xhenetin mbi dhe!Ishalla,amin!
E po, edhe ne me shokët! I dhanë karar të iknin.Vetëm nëna plakë, e përlotur, nuk deshi të braktiste vatrën e saj, varrin e të shoqit dhe të të parëve, po në fund iu bind vullnetit të djemve. Pasi shitën gjithë çmund të shitej,dhe paketuan në dengje gjithë ato që mund të merreshin me vete, udhëtuan nga Kosturi për në Selanik. Atje i priste vapori turk. Çanë detin dhe zbritën në Izmir. Mandej, pasi u morën në dorzim nga autoritetet e emigracionit, si të ishin ngarkesë plaçkash, i rrasën në një kamp dhe të nesërmen në tren. Pas një udhëtimi të lodhshëm, në rrafshnaltën anatoliane, që dukej aspak mikpritëse, ngjante me gjysmëshkretëtirë, mbrritën në Juzgat, në Anadollin Qëndror. Qytet I vogël, në këmbë të kodrave të zhveshura, me shtëpi të ulta, ku lartoheshin minaret e xhamive. Aty i ngarkuan në karroca dhe i plasën në një fshat që quhej Çembertash, në shtëpinë e rrënuar , më parë ishte banuar nga grekër,(por që vendësit e kishin plaçkitur), që edhe ata kishin shkuar në Greqi, në fshatrat e boshatisur nga shqiptarët.
Në atë fshat, jabanxhinjtë, kështu quheshin nga vendësit, do të kalonin vitet e provës: po të silleshin mirë, të mësonin gjuhën e vendit dhe besonin në islam, autoritetet do t’ua jepnin shtetësinë dhe të drejtën të zgjidhnin një qytet ku do të donin të jetonin, përndryshe, do të kalbeshin pa nam e nishan në atë humbëtirë. Ky ishte xheneti: dimër i acartë e me dëborë, behar i thatë e përvëlues….. Dhe varfëri. Ishte premtuar xheneti, gjetën xhehnemin!
Vitin e parë, me atë pak kapital që kishin sjellë, dhe ndihmën neqeze të shtetit, me kursim e shtrëngesë, bënë si bënë. Por më tej pas shterrjes së burimeve, duhej punuar. Ishin të rinj, në lule të moshës, por ku të punonin? I madhi i vëllezërve, u punësua në një gurore alabastri në afërsi të Juzgatit, dy të tjerët në një kumi ku sipërmarrësi vendës priste tulla e tjegulla. I vogli, Ibrahimi,që kishte hyrë në të njëzetat, u pajtua hysmeqar te agai i fshatit.
Shemshedin Agai i Çembertashit, ishte një burrec me trup të shpërpjestuar, këmbëshkurtër, nga mesi e lart më i gjatë, kryeshinik, festekuq dhe me çallmë jeshile, me mjekër të plotë e të lyer me këna, veshur me xhybe mavi, ngjeshur me brez, shallvare dhe çisme të rënda ushtarake.E vështroi gjatë Ibrahimin nga plasat e syve të pulitur e të hequr prej turkmeni, aq sa djali u ndje në zor. Hysmeqari i pëlqeu: bardhosh, shathedhur, truplidhur, fytyrëhijshëm,i fuqishëm.
Ibrahimi priste më këmbë.
-Çfarë di të bësh, more evlat?Të kujdesesh për gjënë e gjallë,të lërosh me qe në ara, të mbrehësh në qerre e të ngasësh qetë, të shalosh kalin e shaëls.Hë?
Djali pohoi me një të përulur të kokës.
-Kur të pyes unë të më thuash :”Si urdhëron” se unë jam agai I Timbertashit.More vesh! Mirë.Po të pajtoj me kaull për një muaj prove.Do te kesh dhjetë lira edhe një vakt bukë. Po e pate hallall bukën, do të mbaj, në mos, ikë nga ke ardhur. Si fillim do shërbesh në konakët.Se çfarë do të bësh do t’i thotë qehajai.
Shemshedin agai, kishte tri gra, sikush në konakun e saj, një oborr me lurekë , me vërsa të ndryshme, të veshur me dollomara,po ligjin e bënte gruaja e parë, Zybeide hanëmi. Oborri ishte i madh. Ngjitur me konakët ishte edhe kuzhina, ku gatuante akçesha kurdja Fatime, e vrejtur, që si qeshte buza kurrë. Ishte në zi për të shoqin që, kishte luftuar e rënë shehit krah Mustafa Qemal pashait në luftën e Çanak Kalasë. Prapa avllisë me mur qerpiçi, ishin ahuret e gjësë së gjallë: qeve, kuajve, gomarëve dhe deleve të zeza të racës karakul, që i mbanin për gëzofin e zi kaçurel të qingjave që shiteshin shtrenjt.
Punë? Sa të duash. E niste qëmenatë dhe e mbyllte ditën në të ngrysur. Fshinte dhe pastronte oborrin, çante drute, ngarkonte bucelat në gomar dhe I mbushte te pusi i fshatit me ujë për akçeshën Fatime, nxirte nga vatha dhe grazhdet berrat dhe bagëtinë, pastronte ahuret nga plehu, kashaiste dhe grazhdonte kalin e shaëls, Karajelin e zi, i racës së pastër arabe që i ndriste qimja nga shëndeti. Kur Shemshedin agai shkonte në qytet apo miqësi, i shalonte kalin, i vinte mëgojëzën, shtrëngonte qenglat dhe i jepte një dorë të zot që të hipte mbi të. Mbrëmanet, vathonte delet që i sillte bariu i fshatit,grazhdonte qetë, i vinte tagjinë kalit, u shtinte bar mushkës dhe gomarit. Mbrëmanet, kur binte muzgu, shkonte në shtëpi dhe bënte banjë e ndërrohej që të hiqte errën e urinës dhe bajgave të ahurit.
Drekën e hante me hysmeqarët e tjerë.Perherë çorbë bollgur gruri përvëluar me dhjamë dele dhe një copë bukë bajate.Përherë ajo, aq sa ju neverit e vështiros, sa më von se vuri më në gojë.
E kështu përditë deri sa ra shiu i parë i vjeshtyës.Vranësira, bubullimat dhe shkrepëtimat, nuk zbrazën veç një shi të hollë e të pakët, që në Anadoll thonë lag të mençur e budallenj. Pritej të zbuste dhenë e arave. Shemshedin aganë e Tembertashit e zuri dalldia. Duheshin punuar arat dhe mbjellë gruri.Gruri I fortë, qelqor, për bollgur e çorbë dhe gruri i butë për bukë e trahana. Berihai. Ibrahimi dhe hysmeqari tjetër, Jusufi, mbrehën pëndët e qeve në qerre, morën plugjet e hekurt dhe branat dhe u nisën për të lëruar. Kurdja Fatime u vuri me vete një çyrek , djathë dhe paguret me dhallë.
Jusufi hiqte udhën, ibrahimi i shkonte pas. U desh ndoca kohë të shkonin nëpër udhën me gropa e të arrinin te arat. Stërnishtet me hamullat e pakalbura të asaj vere, gjëndeshin në krye të stepës së thatë që zgjatej tutje sa të zinte syri.Në të gjëmbaçët, kokoçelët dhe pelini kishin gjetur shtëpinë e tyre.Në ajër, ndjehej ashku i tokës së lagur dhe hidhësira e pelinit. U vunë zgjedhat qeve,lidhën plugjet e hekurt dhe u përgatitën për të filluar lërimin. U ndanë në dy ngastra. Ibrahimi, në një dorë dorakun e plugut, në tjetrën hostenin, u grahu qeve dhe peshoi mbi plugun të hapte brazdën e parë. Por toka ishte ende e thatë maja e plorit kërcente dhe dilte nga brazda.Qetë me zi tërhiqnin.Kur doli në fund pa qe ne vend të brazdës së lëruar, ishte shënuar një vijë, diku e punuar diku e gërvishur. Provoi përsëdyti e përsëtreti, po e njëjta. Kështu po i ndodhte edhe Jusufit. Ai i çmbrehu qetë, i afroi te qerrja dhe u hodhi nga një krah sanë. Të njëjtën bëri dhe Ibrahimi. Teksa qetë përtypnin sanën, të dy argatët u ulën në shtizën e qerres dhe pinë nga një gllënjkë dhallë. Për të ngrënë ishte çosa heret.
-Toka është ende e thatë dhe plugu nuk e çan dot.Kot ti vrasim qetë- tha Jusufi.
-Çudi toka këto tuajat.Të kuqërremta, të thata të ngjeshura. Ato dherat tona, andej nga vij unë janë ndryshe: të zeza, të shkrifta e të lyrshme, plugu apo plori i parmëndës i çan si bukëvale dhe plisi kthehet e thërrmohet.Ta ka ënda kur i lëron, papo seç kanë edhe një grahmë që të ngop kraharorin. Ibrahimi u përmallua dhe seç ju mblodh një kotkë në fyt.Mbase tani, ato ara i lëronte ndonjë grek i anadollit.
-Këto tonat,janë si janë, grurin e bëjnë të mirë, e me ‘to e mbajmë shpirtin.Po ku ta gjesh, edhe të tilla do t’i bënim kabull,se kur plehron për vit shkrifen, por tokat, sa të ha syri, janë të Shemshedin Agait, të kryeplakut e dy- tre të tjerëve. Ne s’kemi veç krahëve për të shitur dhe shpirtit që do të na e marrë Allahu që na e ka dhënë.
Jusufi, mesoburrë, kishte veshur një mallotë të çngjyrosur dhe shallvare të arnuara, në këmbë opinga lëkurë lope. Kokën dhe veshët të pështjellë me një shami të pistë. Kishte qejf për muhabet.
-Eh, mor arkadash, Allahu me të madh të tij që i qofshim falë, e gëzofshim mëshirën e tij, si ka ndarë gjërat drejt. Ja llafi vjen, Shemshedin agai ka tri gra, oborrin me një bylyk evlatësh, me gjithë të mirat e dynjasë. Thonë se ka një sënduk me flori, verdhushka safi alltën. I ka fituar me tregëtinë e grurit kohën e luftës. Dhe është aq neqez, sa kur zgjidh kuletën e na jep pagesën e muajit, i dridhet dora sikur i nxjerr nga shpirti. Edhe unë i falem e i lutem të njëjtit Allah,por mua më ka lënë varfanjak, në kasolle e të pamartuar.E me se ta mbaj gruan? Pa plëng e pa shtëpi, hysmeqar derë më derë. Allah mëshirona!
Atë punën e grave Jusufi e kishte gozhdë.
-Agai po plaket, e s’ua bën dot hysmetin. I madh nepsi, i pakët takati! E kupton? Dhe qeshi e u kukuris me shakanë e tij.E ke vënë re nusen e tretë, Esma hanëmin, gjithë ajo bukuri, në lule të moshës, se si të sheh ty me ca sy të dëshiruar dhe psherëtin sa herë të has? Pandeh se nuk e kam vënë re? Jo mor mik, s’i shpëton gjë Jusufit.
Ibrahimi s’i ktheu përgjigje, bëri sikur nuk kuptoi. Jusufi mbushi çibukun, i dha zjarr eshkës me uror dhe filloi të tymoste i menduar.
Prapa qerreve, u dëgjua troku i patkonjve mbi truall dhe shkrofëtima e kalit. Ishte Shemshedin agai që, kishte çatisur aty për të parë punën e argatëve. Të dy brofën më këmbë, Jusufi e mbajti kalin për mëgojze dhe e ndihmoi kalorësin të zbriste nga shala.
Agai, kur në vend të brazdave të hapura dhe tokës së lëruar pa ato zhgarravina e gërvishje, si gjurmë breshke në rrugën me pluhur, turfulloi dhe u shkreh mbi ta.
– Dembela!Pse i keni çmbrehur pëndët, u kam dërguar për punë e jo për llogje!
– Shemshedin aga, të paçim sa malet e Allahu ta shtoftë ymryn!Toka është akoma e thatë,shiu s’e ka zbutur.Plori del nga brazda dhe qetë se heqin dot-guxoi e i tha Jusufi.
Agai turfulloi dhe tundi kamzhikun në erë që vërshëlleu si gjarpër. Jusufi u mblodh një grusht.Agai e kishte dorën të rëndë.
-Kujt ja thoni këto? Mua, që jam i rrahur me vaj e me uthull! Pa të shohim. Jabanxhi,vëri qetë nën zgjedhë.
Ibrahimi bëri si thanë. U grahu qeve dhe i futi në brazdë. Qetë s’donin të hiqnin plugun , qëndruan si të shtangur. Ibrahimi shpoi me hosten kaun e brazdës dhe peshoi me këmbë mbi plug. Qetë u nisën, plori hyri thellë, plisat u rrokullisën.Shemshedin agai shkonte pas duke sharë e shfryrë.”E shihni si lërohet, mor bukëshkalë!” Pa bërë as njëzet hapa, qetë qëndruan në vend.Shpimi i thumbit të hostenit dhe grahja me zë të fortë e ibrahimit ”Haj shegan, haj shahin” nuk bënë punë. Atëherë agai, i dha një të shtyrë Ibrahimit, e mori vetë dorakun e plugut dhe e goditi me kamzhik kaun e brazdës duke klithur me zërin e tij të hollë. “Ajs mor hairsëz, që u çaftë ujku!” Qetë lëvizën, ngadalë, por brazda po hapej. Dalngadal po i afroheshin fundit të arës. Qetë qëndruan.Ishin djersitur dhe nga trupi u dilte avull. Shemshedin agai u sokëlliu dhe e shpoi me sa fuqi pati me bodecin e hostenit kaun e brazdës. Nga vendi i shpuar rrodhi një tizgë gjaku.Kaut iu morën këmbët, si mbeti më fuqi dhe u përgjunj e u rrëzua. Agai ju sul me kamzhik duke sharë e sokëllirë. Ibrahimit ju bë zemra baltë. I doli kaut përpara që t’i hiqte kularin e zgjedhës. Kau u bërlyk, ngriti kokën dhe e pa Ibrahimin drejt në sy. Ibrahimi u shtang. Ishin si sy njeriu, që e ka gjetur një gjëmë, lutës për mëshirë, vuajtës, që përjetonin dhimbje, të lbyrur e mjegulluar nga cipa e lotëve, pastaj nga cepi i syve rrodhën dy pika lot. Kau po lotonte nga dhimbja. Ishte e para herë që shihte një ka që qante.Kishte dëgjuar që vetëm kuajt qajnë.Iu dhimbs kau si të ishte një sivëllai i tij. E kaploi një zemërim që e rebeloi shpirtin e tij, gjykimi ju çart e sytë iu errën. Nuk e mbajti dot veten. Ju turr agait dhe e shau shqip:
-Kafshë, i pashpirt, xhahil, shpirtzi, je ti që duhesh mbrehur në zgjedhë –në vrull e sipër, i rrëmbeu hostenin nga dora dhe u mat t’i binte, por dora i mbeti e ngritur lart kur pa aganë të bërë një grusht,dyllë të verdhë, me sy lemerisur, të mrolur e të frikësuar, që I dridhej mjekra. E mbështeti hostenin në gju dhe e theu më dysh dhe e flaku tutje, por sytë e egërsuar s’ia ndante shemshedin agait. Atbotë hyri në mes Jusufi dhe I dha një të shtyrë Ibrahimit për ta larguar. Agai e mblodhi veten dhe u trimërua.
– Dur! Jabanxhi arnaut!Mos të iku gjë fiqiri? Si guxon të ngresh dorë kundër atij që të mban me bukë, që e paç haram! Mos do që të thërres xhandarët e të të kalb në hapsanë! E përse? Për një ka ngordhalaq, që është imi, e që po të dua i vë hanxharin dhe lëkurën ja bëj opinga! – Shau e shau sa zbrazi mllefin, me ato të shara që turqishtja e anadollit ishte aq e begatë.- Shporru e hiqmu sysh mor zorrëtharë, se për atë allah që është një do bëj ndonjë hata dhe mos guxo të më dalish më përpara, se mjerë ti!
Ibrahimi nuk foli më.E kuptoi që e kishte tepruar, por Ishte e kotë. Një njeri që nuk do kafshët nuk do as njerëzit.I ktheu krahët dhe mori udhën e stepës batalle duke çarë nëpër gjëmbaçët për tu kthyer në shtëpi. Agai e munxosi me duar, siç bwjnë grate shtrigane dhe e përzuri me fjalët:”Vafsh prapa diellit e mos t’i pafsha sytë“
Mjerë ne ku kemi ardhur, e në ç’dorë kemi rënë -mërmëriti ai- na premtuan xhenetin dhe gjetëm xhehnemin me ca djaj mjekërkuq si Shemshedin agai.
 
Izmir, Turqi, 1991- Tiranë,janar 2021.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s