Poezi nga Kadrush Radogoshi
NUK MUND T’I NDAJË AS PËRJETËSIA
Harresën e kam shpallë “persona non grata”
E dëbuar e kam nga Republika e syve të zjarrtë
E derën ia kam mbyllur me çelësin e kujtesës.
Do të dal, o shpirt i zjarrtë
Në breg të detit herët në mëngjes
E do të shëtis me ty i përqafuar,
Ndonëse je mijëra kilometra larg.
Puthjet do t’i reflektojë ekrani i kaltër i detit
Gjatë TV-Shout “Dashuritë e kripësuara detare”.
Do të zhvishemi lakuriq e do të vishemi pastaj
Me kaltërsinë e detit e të qiellit të dashuruar
Në trupat tanë të bërë një
Në përmendoren e Afërditës-Perëndeshë.
Përmendoren do ta vendosim me siguri
Në sheshin që na dhuroi Apoloni.
Mbishkrimi do të jetë:
Ata që i bashkon dashuria
Nuk mund t’i ndajë as përjetësia.