TIFOZJA BUKUROSHE / Tregim nga Hamit Taka

 

Hamit Taka

Tregim nga Hamit Taka

 

 

 

TIFOZJA BUKUROSHE

 

Në ndeshjen konkuruese më të padenjë të futbollit midis një shteti të madh dhe një shteti të vogël, ndodhi një ngjarje, që, siç thonë rëndom gazetarët e televizioneve, duhej të bënte xhiron e botës.

E kisha dëgjuar, por nuk isha thelluar ndonjë herë. Tani më duhet të pajtohem me specialistët e futbollit, që, me sa di, pajtohen edhe dramaturgët e kritikët e artit, të cilët thonë se ndeshja e futbollit është një dramë me tension të lartë nga minuta e parë në të 90-ën, ku aktorët janë 22 lojtarët, regjizorë trajnerët  dhe spektatorë tifozët në shkallët e stadiumit. Por ajo ndeshje, jashtë çdo limiti sportiv, i kapërceu përmasat e një teatri absurd. Drama nuk ishte loja dhe konflikti nuk ishte  rezultati ndikues në eliminatoret e një kontinenti, por raportet e vjetra midis dy kombeve, me mërira të hershme, të njëanshme, për shkak të lakmive grabitqare të shtetit të madh. Edhe një ndeshje gladiatorësh me demat e tërbuar të arenave spanjolle, do të ishte më njerëzore se  ajo ndeshje skandaloze futbolli. Tensioni kishte arritur stadin e një lufte për jetë a vdekje midis dhjetra mijë tifozëve vendas në shkallët e stadiumit të eksituar nga urrejtja dhe një grushti lojtarësh e shoqëruesish paqësorë nga shteti i vogël.

Po çudia ndodh atje ku nuk pritet të ndodhë. Në atë situatë luftarake, unike për nga arroganca dhe shpërfillja e të gjitha rregullave të një konkurence sportive, ndodhi një flirt i bukur melodramatik midis një futbollisti të përfaqësueses së shtetit të vogël dhe një tifozeje bukuroshe të shtetit të madh. Tifozja bukuroshe  kishte zënë vend në shkallët e para të stadiumit.  Sa filloi loja ajo rrinte vazhdimisht në këmbë, e rrethuar nga një grup tifozësh të rinj, djem e vajza të irrituar, që dukeshin si të çmendur nga pasionet raciste. Fushën e betejës e ndiqte nën klithmat frenetike dhe ngacmimet histerike të grupit huligan që e rrethonte, duke ngrënë vazhdimisht fruta të thata e duke pirë kanaçe me pije energjike.

Ende pa filluar furia ekzaltuese e ofensivës së tifozërisë vendase ndaj sportistëve të shtetit të vogël, sportisti elegant  u afrua pranë rrethimit të fushës, për të  ekzekutuar një anësore. Një lumë sharjesh në gjuhën e vendasve dhe një mori sendesh u hodhën mbi të. Djaloshi, ndonëse i tronditur nga kjo ndodhi e pazakontë në një ndeshje midis përfaqësueseve të kombeve, nga emocioni dhe angushtia, nuk e di nga ç’ndjenjë e turbullt, e fortë, e shenjtë, pra, nuk e kuptoj ç’nevojë e shtyu të tregonte një qetësi e  kurajo, për të bërë një veprim aq të matur e gjakftohtë. Ai mori topin, u hodhi një vështrim miqësor tifozëve përballë dhe u kthye nga fusha për të ekzekutuar anësoren.  Ky veprim dhe një buzëqeshje e lehtë, mbase edhe ironike e tij, të cilën tifozja e mori për vete, e bëri bukuroshen të provonte një ndjesi të ngrohtë dhe elektrizuese në tërë qënien e saj. Më tej ajo pothuajse nuk e shijonte më lojën, ndonëse bënte formalisht spektatoren e qetë dhe tifozen e pasionuar të skuadrës së vet. Por, realisht, sytë dhe zemra e saj ndiqnin lojtarin elegant të shtetit të vogël në çdo cep të fushës.

Elektrizimi i tifozërisë së kombit të vet nga urrejtja ndaj skuadrës së shtetit të vogël, nuk mund ta linte të qetë në ndjesitë dhe mendimet e saj. Ajo e dinte se shumë bukuroshe me emër në botën e modës, spektakleve e sfilatave dashurohen e martohen me futbollistë nga vende shumë të largëta e të panjohur. Vajzat e mençura e të bukura janë pa paragjykime kudo që ndodhen. Por dallëndyja e tifozëve në shkallët e stadiumit nga frika e humbjes, po merrte përmasat e një turme të eksituar nga ndjenja e neveritshme e rracizmit. Në mes të asaj turme ulëritëse, e gatshme të shkallmonte mburojën e fushës, bukuroshen e pushtuan ca emocione të trazuara, që e bënin të hutuar e në ndonjë rast e detyruar të imitonte turmën.

Ky sportist, që i prishi mëndjen tifozes bukuroshe, ishte një djalë i pashëm, elegant, i shquar në fushën e lojës, që i kishte rënë në sy që në ato pak minutat e nxemjes para fillimit të lojës. I kishte mbetur në sy për elegancën futbollistike. Pasi e pa përballë, në ekzekutimin e anësores, filloi ta simpatizonte më shumë si djalosh elegant dhe i bukur…

Nuk vonoi shumë dhe sportisti elegant i shtetit të vogël, iu drejtua përsëri vijës anësore, për të marrë topin e devijuar jashtë fushës. Tifozja bukuroshe, për të qënë konform tifozërisë së vet, lëshoi drejt sportistit një banane që mbante në dorë.  Sportisti elegant i shtetit të vogël e priti në dorë bananen, i buzëqeshi tifozes bukuroshe, e falënderoi me nojma dhe filloi ta hante frutin ekzotik. Ky veprim mbinjerëzor i futbollistit në ato çaste dramatike për ekipin e shtetit të vogël, pati reagim të dyfishtë tek tifozëria e nervozuar. Disa, ata me masë njerzillëku më të ndjeshme, i çarmatosi përkohësisht, shumicën i irritoi tej kufijve të sjelljes normale në një stadium futbolli. Por tifozja bukuroshe mbeti e magjepsur nga veprimi i pa imagjinuar i sportistit të shtetit të vogël në ato situata. Dhe filloi ta dashuronte, pa dyshim.

Që nga ai çast, të rinjtë që e rrethonin tifozen bukuroshe u revoltuan edhe më shumë nga marëdhëniet paqësore të sportistit elegant me publikun irrituar dhe sidomos me atë buzëqeshjen e lehtë, që i fali bukuroshes. Sa herë merrte topin futbollisti, ata shpërthenin në thirrje frenetike dhe sharje histerike. Duke qënë sulmues i krahut nga ana e stadiumit ku ishte vendosur tifozja bukuroshe, sportisti elegant e përshkonte herë pas here fushën në atë krah dhe i binte shpesh rasti të ekzekutonte anësoret e krahut të vet. Tifozët skizofrenë ruanin çastin dhe, me rastin e parë që u afrua te vija anësore, i dhanë tifozes bukuroshe një banane të madhe, për t’ia hedhur si më parë. Vajza hezitonte. Ajo e studioi me vëmëndje frutin ekzotik, por nuk merrte dot vendimin për ta hedhur. Ndërkohë sportisti elegant i shtetit të vogël, bëri rivënien e topit në lojë dhe vrapoi drejt portës kundërshtare.Nuk kaluan as pesë minuta dhe ai shënoi golin e parë në portën e skuadrës së shtetit të madh. Tifozëria e shtetit të madh, si hordhitë e fiseve të egra mbi një dërgatë njerëzish të qytetëruar, u sulën drejt hekurave mbrojtëse të fushës së lojës, gati për ta shqyer atë,  duke ulërirë e duke hedhur sende të forta. Tifozja bukuroshe kishte shtangur dhe nuk manifestonte as shenja miqësore as shenja urrejtjeje. Ajo ndihej e huaj dhe e dhunuar në ndjenjat e veta midis asaj turme barbare.

Kur duheshin vetëm pak minuta nga mbarimi i pjesës së parë të ndeshjes eleminatore,  futbollisti elegant i shtetit të vogël, u gjend sërish te vija anësore dhe në çast bananja e madhe fluturoi nga duart e tifozes bukuroshe para këmbëve të tij. Me siguri ajo kishte menduar se ai nuk do ta merrte më, por, edhe sikur ta merrte, nuk do ta hante. Përsëri futbollisti e mori bananen, bëri një gjest falënderimi dhe e afroi frutin te goja. Tifozja bukuroshe,  u sul si e çmendur drejt hekurave mbrojtëse të fushës dhe e tronditur thellë, thirri në gjuhën e saj: Mos e ha! Mund të jetë e helmuar!

Futbollisti elegant i shtetit të vogël, që nuk e dinte gjuhën e tifozes bukuroshe, përsëri vuri buzën në gas, çoi te fyti pëllëmbën e dorës tjetër, siç e bëjnë muhamedanët në shënjë nderimi ndaj Zotit dhe me shenja u tregoi tifozëve se ishte i ngopur deri në fyt. Kështu që nuk mund t’ua plotësonte dëshirën, për ta grënë frutin ekzotik. Huliganët rreth tifozes së bukur, të tërbuar ngaqë futbollisti nuk e hëngri bananen me helmin e ngjeshur brenda saj, filluan ulërimat dhe disa syresh kapërcyen hekurat mbrojtëse të fushës.  U kishte mbetur akoma aq arsye sa të mendonin se futbollisti elegant i shtetit të vogël, u bëri golin e dytë në portën e keqmbrojtur të urrejtjes së tyre.

Tifozja bukuroshe me lot në sy u kthye te vendi i saj dhe gjatë atyre pak minutave sa zgjati ndeshja, e shikoi sportin ulur në ndënjëse me dorën nën mjekër. Kur filloi furia e vandalizmit të tifozëve  të vendit të vet, duke goditur me çdo gjë që u dilte para dhe lojtarët e shtetit të vogël u nisën për në dhomat e çveshjes, ajo mbeti e ngrirë në stolin e vet. Ç’mendonte, ç’meditonte apo çfarë ëndërronte, vetëm ajo e dinte. Mbase i shkoi në mend se dashuria dhe jo urrejtja është melhemi i paqes midis njerëzve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s