KUR SHPIRTI I SHPËRFILL MURET / Nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi

 

 

KUR SHPIRTI I SHPËRFILL MURET

 

 

Bardhyl Maliqi

Nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi

 

 

 

Pasqyrat që reflektojnë shpirtin e Eliverta Kaninës përtej mureve të vetmitare të izolimit, më inspirojnë për një shkrim intrigues se  Eli është në moshën e bukur të gruas, që është shkolluar në kohën e duhur,  që është martuar dhe  i ka lindur fëmijët e vet si engjejt e besimit, që punon me pasion e përkushtim si mjeke dhe tani i është kthyer vetëvetes, zërit të saj të brendshëm, atij rënkimi të mbytur, që e ka shqetësuar qysh në fëmijëri dhe që ajo nuk e ka shpërfillur, por e ka mbajtur si një gulç lotësh apo si një hare sysh brenda vetes, atje në thellësitë e nënvetëdijes.

Një libër poetik si ky, i lexuar poezi pas poezie, ashtu, të shpërndara në kohë, nuk të çon dot tek thelbi, pasi në hapsirat ditore ndërmjetëse, ti ke depozituar në kujtesë mijra informacione të tjera, të cilat interferojnë me poezitë e Elit ose thjesht rrëshqasin nga vetëdija në nënvetëdije apo drejt harresës. Kjo ishte arsyeja pse autores i kërkova librin dhe ajo pati mirësinë të ma dërgojë. Ai libër do të më gjente, kudo që të isha, pasi vjershat dhe përkushtimi brenda tij ishin thjeshtësisht për mua.

 

 

1.-Eli-Kanina

Eliverta Kanina

 

E lexova librin menjëherë, ndërkohë që në bibliotekën time shatzënë ka qindra libra të tjerë që presin radhën. E lexova librin me bindjen se një vëllim poetik gjykohet krejt ndryshe kur është në vendin e vet, një i tërë, i pacopëzuar dhe fragmentizuar në grima gjendjesh emocionale që e frymëzojnë autoren t’u drejtohet portaleve të internetit dhe për të marrë klikime entusiaste, të vagëlluara, belbane apo oportuniste. Këta jemi ne, na shijon mungesa e sinqeritetit, një shoqëri e sëmurë nga viruset e epokës virtuale. Shumë rrallë jemi të sinqertë, ndërkohë që tipari i parë dallues i Elit është Çiltërsia dhe Sinqeriteti. Në këtë libër Eli  është vetëvetja: Një grua në 11 mure prej pasqyrash. Në çdo cikël i librit është mur që të çon nëpër dhjetra dyer poezish. Muret janë një simbolikë e vështirë për t’u zbërthyer, pasi veç konotacioneve pozitive, si mbrojtës të lirisë së individit, i jetës së fëmijëve dhe mirëqenies së familjes, janë edhe izolues, burgjet e lirisë së inividit, që të bëjnë të jetosh përditë mungesën e lirisë, izolimin, vetminë dhe privacionin. Në të 11 ciklet poetike muret janë thelbësore që në mbishkrimet reflektive dhe vezullimin e pasqyrave përmbajnë vetëm një kumt thelbësor: Vetminë. Ajo është shprehur drejtpërdrejt apo është e nënkuptuar në secilin titull: 1. Gruaja dhe muret prej pasqyrash, 2. Sahat e përgjumur të reve, 3. Gishtat delikatë të vetmisë, 4. Ditari i gjuhëve vdekura, 5. Duke zbritur në honet e vetvetes, 6. Simfonia e sendeve paemër, 7. Buzëkuqi si shenjë në gotën e verës, 8. Ditët flenëstacione të vetmuara, 9. Karvani i fillikatëve, 10. Kënga e mullinjve të erës, 11. Portat e vjetra të botës.

Një pyetje themelore lind jo vetëm prej këtij libri si tërësi, por edhe si titull substancial: – Ç’është gruaja si qenie në vetvete, por edhe në korelacion me muret e pasqyrave? Përgjigjet mund t’i gjejmë në libër në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të nënkuptuar, përmes konteksteve socialkulturore, por edhe përmes nënteksteve bioopsikologjike dhe filozofike, përfshi këtu edhe pikat e heshtjes si retiçenca gjithëpërfshirëse, pra prej nënvetëdijes. Për Elivertën gruaja është ajo ç’ka i kumton vetes, pra lule e porsaçelur, kambanë ku flenë tingujt e botës, perëndeshë e bukurisë, parajsë, mjaltë, paqje, ylli i këputur, qendra e Universit, engjëll krahbardhë, shpresë e pafund; por edhe krej e kundërta, zona e kobit: ferri, veremi i dashurisë, motra e dreqit, gjemb i trëndafilit, zeroja gjigande, kod i vjetër, mur akulli, dashuri e braktisur, hon i vetvetes, alfabet tjetërsimi. Dhe mes tyre zona gri si një orë që kurdiset prej fatit: ëndërr syhapur, ëndërr e paplotësuar e një burri, puthje e lënë peng, trishtim fytyrëbukur, gjemb trëndafili, pikë loti, qiri flakëzbehtë etj.  Kështu 11 pasqyrat e Elit e kundrojnë botën nga jashtë dhe nga brenda, në thelbin e saj ekzistencial.

 

elu

 

Ballina e librit ” Gruaja dhe muret prej pasqyrash”  

 

 

Le të përgjigjemi të gjejmë shkaqet e nënvijëzuara brenda paraleleve dhe meridianeve të librit, kontinentet e mbytur pas përplasjeve tektonike, magma dhe hiri i vullkaneve të fashitur, ngrehina të përmbysura prej tërmeteve dhe cunameve, ujdhesa të vetmuara, arkipelagë fatesh dhe arkivolesh, lamtumira aksidentale, ankth nekrologjish dhe varrezash dhe  gjithçka tjetër që vjen e lexueshme edhe prej kumtesh të harruara. Udhëkryqet kryesore janë: femijëria e vështirë, humbja e nënës, vitet e gjata të qëndrimit murgeshë nëpër  konviktet studentore, dashuria dhe martesa, lindja e fëmijëve, privimet e emigracionit, puna prej mjekje, poezia.

Gruaja, brenda mureve të pasqyrave apo tej tyre di ç’ka t’i thotë vetes. Si vajze e bukur ajo ka trashëguar një kod prej prindërve. Thelbi i kodit është të përcjellë me gjenetikën e femrës dhe me shpirtin vullkanik të saj thelbin e jetës dhe dritësimint. Në sahatët e përgjumur të reve tej monologut të trishtimit të vrapojë në kërkim të fatit, të lumturisë, të jetës! Por shpesh vetmia ka gishta delikatë, ndaj kur të zgjohesh në mëngjes duhet të dish si ta gjesh fjalën, të lexosh realitetet tej konteksteve, t’u bësh qoka  librave, por dhe situatave që tendosen në tensione shpesh dramatike, qofshin ato edhe inkadishenta apo virtuale. Kërko të shkruash dhe të flasësh edhe me alfabetët e gjallë të gjuhëve të vdekura. Dhe mos u kujto t’i shkundësh pikat e shiut vetëm kur të shkosh në varreza. Dhe mos u kujto t’i vendosësh nekrologjitë në shtylla kobthënash, vjeshta do ta kursejë mundin duke shpërndarë mijra gjethe të verdha, ato, të vdekjejetshmet gjethe që sakrifikohen për hir të ripërtëritjes së jetës. Dhe ti mediton duke zbritur në honet e vetvetes. Kjo ngarendje vertikale të bën nervoze, del nga vetja, tjetërsohesh, urren, por për fat, qiriu i shpresës ta ndriçon rrugën e paqes dhe tek sheh vajzën e vogël tek fle çuditej, përjeton ngjyra të tjera për jetën, për të kremtuar 7 marse dhe 8 marse të rinj, si grua dhe si nënë. Ti e ndjen simfoninë e jetës që gjallon dhe hamendëson edhe simfoninë e sendeve pa emër, se tej orëve të vdekjes, tej stresit dhe lotëve bie zilja e derës dhe dëgjohet një muzikë. Nuk gabojnë engjëjt!

Muzika të fton t’u largohesh imazheve që s’të thonë asgjë, për t’iu afruar realiteteve motivuese, se ti nuk rrin dot larg dashurisë dhe mos më thuaj se për dashurinë është vonë, se dashuria nuk lodhet të vijë tek ti. Pa dashuri ditët janë të trishta, hije boshe, pa brendësi dhe optimizëm. Pa dashuri, edhe puthjet flenë si ditët në stacione të vetmuara, në kurthe interneti, në inboksin tim, në inboksin tënd! Ti je pasqyra ime apo unë qielli tënd? Ti dhe Zoti, unë dhe përjetësia! U lodha nga udhëtimet e gjata dhe në një çast përhumbjeje ndihem e pafuqishme, por parnë teje, oh, pranë teje mbij si një lule pranvere! Një lule nuk është vërtet pranvera, por unë nuk kam frikë nga karvani i fillikatëve, përralla ime, dashuria ime imagjinare u end pa dashje, deri sa të njoha ty. Tani ajo nuk zhbëhet, nuk shuhet dot, pasi është gdhendur në ADN-ënë e fëmijëve me gërma kapitale. S’ka më pritje, dilema, fajësi dhe pafajësi, në universin e dashurisë nuk ka gënjeshtra dhe ndarje, se dashurisë i duhet dashuria, loja erektuese e syve për të ngjizur fabulat e reja, tej ekstremitetit dhe mosbesimit. Mos u mashtro prej kujtimit të mullinjve të erës, kohët nuk kthehen mbrapsht,  nuk ka më alarme në vendstrehime, as zbor dhe roje nderi, por do të ketë një tufë lulesh pas mëkatit të parë, çvirgjërimit të një kohe të re! Rrugët na çojnë tej portave të vjetra të botës, s’ka më dimra dashurish, në këtë flirt me modernitetin, projektohen vetëm rrugë të reja!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s