Prindër, ruani fëmijët nga parada e ngjarjeve kriminale në media dhe nga… deputetët / Nga Raimonda Moisiu

Prindër, ruani fëmijët nga parada e ngjarjeve kriminale në media dhe nga… deputetët

 

1-raimonda


Nga Raimonda Moisiu

 

 

Duke pasur parasysh ngjarjet kriminale të kohëve të fundit në vendin tonë dhe në gjithë nahijen e shoqërisë shqiptare për ndryshim, vëmë re se çdo ditë e më shumë “vërshojnë pa kandar”-ngjarje kriminale dhe fjalët drithëruese –tritol, vrasës me pagesë, hajdut, kallëzim të rremë, burg, atentat, vrasje, çështja Doshi-Frroku, fjalori bulevardesk në Kuvend, deputetë e kriminelë, politikë e krim, krim e ndëshkim, etj, janë kthyer tashmë çështje serioze në shoqërinë shqiptare. Pasqyrimi i tyre në median e shkruar e televizive shoqëruar me zhargonin drithërues jo vetëm që nuk neglizhohet aspak, por është nonstop dhe shumë nga ne prindërit e gjejmë veten në krizë identiteti emocional, edukativ, qytetar dhe intelektual. Na duhet të vrasim mendjen se si t’jua adresojmë këto çështje fëmijëve tanë, duke u përballuar me mëdyshjen shpirtërore dhe psikologjike deri aty sa, edhe se si mund t’jua shpjegojmë mizoritë, dhe burimin e vërtetë të këtyre krimeve dhe fjalorit negativ që përcakton ato. Është tejet e vështirë dhe e dhimbshme për prindërit për të shpjeguar domethënien e këtyre ngjarjeve të pakuptimta dhe zhargonit negativ të pakufij e të pakuptimtë gjithashtu. Ne, prindërit e ndjejmë deri në palcë të shpirtit duke menduar se për të pasur një diskutim kuptimplotë me vetë fëmijët tanë mbi këtë çështje, mund të jetë sa e frikshme, aq edhe e dëshpëruese. Së pari dhe më e rëndësishmja, është sikundër ne prindërit dhe të rriturit duhet të përqendrohemi tek fëmijët tanë dhe jetën e tyre, se çfarë mund të ndodhë, pasojat që lenë në edukimin dhe ndërgjegjen e tyre këto ngjarje të tmerrshme, ky fjalor negativ në kufijtë ekstremë i ndikuar nga një sërë faktorësh kriminalë, që kanë ndikim absolut në formimin e tyre. Fjalët janë shpesh të nevojshme, por ende të pamjaftueshme. Lindin pyetje të tilla se sa jemi ne në gjendje për t’jua shpjeguar kuptimin e tyre? Cilat janë mënyrat dhe rrugët për të mos rrënjosur ankthin te fëmijët tanë, ndonëse ende vazhdojnë të jenë informuese? Si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë që këto ngjarje tragjike të kuptohen prej fëmijëve pa u traumatizuar dhe pa u lënë pikëpyetje sekretive dhe pasoja në të ardhmen?T’ju flas për vuajtjen dhe dhimbjen time, që t’i njohësh e të ruash veten! Shumica e fëmijëve i shikojnë imazhet e ngjarjeve kriminale në televizion dhe nuk mungojnë pyetjet e menjëhershme nga ana e tyre. Dhe ata vazhdojnë të dëgjojnë për këto ngjarje në ditët e ardhshme. Kështu që është e rëndësishme të mbahen linjat e komunikimit të hapur me fëmijët duke i këshilluar nga imazhet nëpër media, duke kufizuar së pari vet-shikimin tonë për kohën kur fëmijët janë të pranishëm aty, krah nesh. Fëmijët mund të shfaqin disa ndryshime të sjelljes dhe emocionale, duke përfshirë edhe sjelljen jo të mirë, pagjumësi, ëndrra të këqija e të frikshme, dhe ankth të përgjithshëm. Këto janë shenja që ne prindërit duhet me patjetër dhe domosdoshmërisht që të kujdesemi. Kjo është e nevojshme dhe tejet e rëndësishme sidomos për minorenët, të cilët e gjejnë të vështirë për të kuptuar këto tema e ngjarje të komplikuara, por edhe të frikshme. Duhet të bëjmë kujdes edhe në mënyrën se si jua shpjegojmë dhe tonin që përdorim në adresimin e situatave të tilla, me qëllim që fëmijët të gjejnë paqe me situatën. Duke qenë se edhe ne vetë prindërit kemi të njëjtën frikë dhe ankth se çfarë mund t’u themi fëmijëve, jo vetëm për t’u shprehur atyre ndjenjën e sigurisë, por edhe të mos bëjmë të njëjtin gabim, të sigurohemi që nuk po përdorim të njëjtin ton si të imazheve të ngjarjeve që shfaqen në media, internet e lajme, sepse kjo do të jetë kundërproduktive dhe i dekurajojmë fëmijët nga komunikimi i hapur me ta. Duhet të krijojmë një marrëveshje për të gjetur mënyrën dhe gjuhën e përshtatshme që këto ngjarje kriminale, veçmas për tritolin që ka shenjat e terrorizmit, të kuptohen prej fëmijëve pa i traumatizuar, pa u lënë pikëpyetje të pazgjidhura e pasoja në të ardhmen, neglizhimin në edukimin e fëmijëve, dhe të gjërave që krijojnë konfuzion ankthi nga të cilat fëmijët humbasin besimin ndaj prindërve dhe realitetit në të përditshmen njerëzore. Minorenët dhe adoleshentët gjithashtu përpiqen për të kuptuar imoralitetin e sulmeve me tritol. Te fëmijët do të ketë një sërë reagimesh dhe ata do të shfaqin një shumëllojshmëri të emocioneve, por ne prindërit dhe të rriturit duhet të jemi tolerantë e të durueshëm me ta dhe sjelljet e tyre. Kjo është një mundësi për prindërit e të rriturit, me qëllim për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë praninë e të mirës dhe të keqes në shoqëri, për të diskutuar shqetësimet e fëmijëve në lidhje me një të ardhme morale, të paqtë dhe të sigurtë.
Ky lloj pasqyrimi i ngjarjeve kriminale, i tritolit, i fjalorit bulevardesk në Kuvend, në gazeta apo në televizione duhet të mbahen larg syrit e vëmendjes së fëmijëve. Të gjitha llojet e gazetave, masmedia, revistat kinemaja, videot dhe televizionet kanë ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve, por kanë edhe pasojat negative. Roli kryesor e i drejtpërdrejtë i televizioneve dhe shoqërisë është të ndihmojnë sa më shumë në zbehjen e faktorëve negativë, të japin sa më shumë programe për fëmijët, që ndikojnë jo vetëm në sjelljen kulturore e sociale të tyre, por të plotësojnë nevojat më elementare të fëmijëve që janë; dashuria, paqja e harmonia shpirtërore dhe shkarkimin e emocioneve, të cilat janë edhe sfidë ndaj imazheve të këtyre ngjarjeve, që në një mënyrë ose tjetër ushtrojnë dhunë verbale, sociale dhe psikologjike ndaj tyre. “Dhuna emocionale e psikologjike” ndaj fëmijëve minorenë dhe adoleshentë jepet nga portretizimi i medias së “sukseseve” policore., me zë e figurë! Shumë minorenë janë më pak të shqetësuar për detajet -, ata janë më të shqetësuar për sigurinë e familjes dhe prindërve të tyre, se sa për detajet. Ky është problem tejet i mprehtë që duhet pranuar nga prindërit për t’i qartësuar fëmijët e tyre se ka persona të pamoralshëm që janë përgjegjës për aktet e dhunës dhe të ngjarjeve kriminale, por në të njëjtën kohë duhet t’i sigurojnë ata se janë të sigurtë e të mbrojtur mirë nga individë të tillë. Është gjithashtu e nevojshme dhe e domosdoshme për të kufizuar shikimin e televizionit, veçmas kur jepen lajmet e kronikës së zezë. Programet televizive nga media të ndryshme përsërisin të njëjtat segmente lajmi pa pushim, me pak shpjegim rreth kontekstit të lajmit. Kjo nuk është aspak e dobishme për fëmijët dhe mund të shkaktojë ndjenjën e brengosjes, pështjellim emocional dhe madje edhe paranojën. Ne duhet të gjejmë një pikë të mesme mes mbi ekspozimit të tepërt dhe shmangies nga këto lajme. Sepse në disa raste ne nuk arrijmë as vetë si prindër të kuptojmë se sa shumë informacion po thithin fëmijët tanë. Në duhet thjeshtë e qartë t’u bëjmë të ditur fëmijëve tanë të jenë të vetëdijshëm,dhe kur ndihen të frikësuar nga individë e situata që ata mund të ndodhen. Nuk duhet në asnjë mënyrë t’ju futim ndjenjën e paranojës, ankthit apo shmangies,nëpër të dyja sferat me hije dhe me diell të jetës sonë. Por edhe për të siguruar njohuritë dhe ndërgjegjësimin se çfarë duhet të bëjnë për t’u përballuar me ngjarje të tilla, është mirë që t’ju vëmë në dukje se ngjarje të tilla janë të rralla, duke i trajtuar fëmijët tanë me dinjitet e respektin që ata meritojnë. Duke pasur parasysh gjendjen e nderë të situatës social -politike në Shqipëri-me tritole e ngjarje të dhimbshme kriminale, varfërinë etj, të cilat i kam përmendur që në hyrje të shkrimit ju bëj një apel kolegëve të mij në Shqipëri që drejtojnë emisione në median e shkruar e televizive, të organizojnë enkas një DEBAT –OPINION—ku në panel të jenë analistë, politikanë, shkrimtarë, mundësisht të jenë shkrimtarë për fëmijë, akademikë, studiues, prindër, psikologë e pedagogë, t’u kërkohet mendimi për të gjetur mënyrën si dhe gjuhën e përshtatshme që ngjarjet kriminale të tritolit, burgu, vjedhja, vrasje, vrasësit me pagesë, etj, të kuptohen prej fëmijëve tanë pa u traumatizuar dhe me pasoja psikologjike për të ardhmen. Unë e nisa “debatin” me këtë “bisedë e supozuar në audiencë të hapur me minorenët e të rinjtë”. Fëmijët janë ardhmëria e një kombi, janë themeli i formimit njerëzor, në rast se prindërit dhe vetë ne shoqëria e të gjitha shtresave do të edukojmë fëmijë të mbarë edhe vetë familja dhe shoqëria do të jetë e fortë dhe e mirëqëndrueshme, përndryshe do të kemi një shoqëri të korruptuar dhe të degjeneruar. Ne jemi të gjithë të njëjtë, dhe ne jemi të gjithë të ndryshëm, pa marrë parasysh se çfarë ideje i përkasim -, të majtë apo të djathtë, se çfarë feje i falemi, dhe çfarë race i përkasim, kur vjen puna për fëmijët ne jemi të barabartë mes të barabartëve. Fëmijët janë pasqyra e shoqërisë dhe reflektimi i ardhmërisë. Janë shpresa e së ardhmes dhe kujdesi dhe edukimi i fëmijëve duhet të jetë përparësi e interesi kryesor shoqërisë dhe kombit. Zhvillimi i aftësive fizike, psikologjike dhe intelektuale te fëmijët, është garancia për të ardhmen e një familje e shoqërie të shëndetshme fizikisht, moralisht, psikollogjikisht, dhe qytetarë të devotshëm në një shoqëri të denjë. Shoqëria shqiptare, klasa politike dhe akademike, të gjithë ne së bashku, përfshi këtu edhe mjetet e informimit masiv e mediatik, njerëzit e letrave e të artit, duhet të bëjnë shumë përpjekje për të mbështetur kujdesin, ngrohtësinë, edukimin dhe dashurinë ndaj fëmijëve. Ky është shërbimi më dinjitoz, historik, kombëtar e njerëzor për brezat që vijnë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s