Poezi nga Iliriana Koleka

ILIRIANA

Poezi nga Iliriana Koleka

 

 

DERI SA DASHURIA T’MË MBAJË PEZULL

 

Deri sa dashuria të më puthë shpirtin
Do realizoj projekte me lehtësi
Nisma, që njerëzimi s’i ka bitisur
Se i mungonte zjarrmi i saj në gji

Deri sa dashuria t’më pushtojë zëmrën
Perënditë, do detyrohen t’më lëshojnë pe
E kanë të qartë që me ëngjëjtë krahasohem
Në qiell fluturoj, kur ka e s’ka re

Deri sa dashuria t’më mbajë pezull
E pavdekshme do të jem, s’ka dyshim
Kur ajo t’mërzitet e të rreshket
Do mbyll sytë, do tretem në agim

Pse kur agon e jo kur perëndon dielli
Natën, ikja është përherë më e lehtë
Shtrihesh në shtrat e i shqipton emrin
Dhe dashuria në ëndër ty të vjen

Jo, do të ndodhë në agim, jam e sigurtë
Do zgjohem dhe ajo s’do të jetë më pranë
Do ketë rreshtur së luftuari e së bërtituri
Perënditë xheloze, do ma kenë marrë.

 

 

 

MËSIMI I FUNDIT I ALEKSANDRIT

 

1.
Aleksandri në Indi, me pak ushtarë
Pa kalë, në shkretëtirë humbi, një ditë
S’gjente dot rrugën, për të dalë
Forcat i shteruan, shpresa i’u fik

2.


Djemve luftëtarë, trimave të tij
Për një pike ujë, buzët i qanin
Kishin veç plisin në atë diell të fortë
Rërë e nxehtë kudo, që të digjte xhanin

3.


“Ndalni ushtarë e mbani vesh
Një turfullimë kali dëgjohet, çuna
Ky është lajmëtari që këtej do na nxjerrë
Po s’pati humb, rrugën si ne, në duna”

4.


Lajmëtari ilir, kalit i zbret
Ka humbur rrugën dhe sjell një lajm të zi
Ushtria s’është më, armiqtë e prenë
Dhe ata bëjnë mire t’kthehen në Çamëri

5.


Si pasuri e fundme, një helmetë me ujë
Që veç Aleksandrit i përket
Ai është i drobitur dhe i sëmurë
Ai udhëheq ilirët, ai është mbret

6.


Po çami i mënçur ujin derdh
Para lajmëtarit të gjunjëzuar
“Ç’bëre o Lekë, vdekja na pret
Mezi ta solla mbi kalë kaluar”

7.


Luftëtarët e tij e shohin të çuditur
“Mbret, pse e derdhe ujin e pakët?”
“O të gjithë, o asnjë!” Leka përgjigjet
“Pak ujë s’na nxjerr nga situata!”

8.


“Jepini kripë kalit dhe e ndiqni me vrap
Vraponi pas tij, ai është shpresa juaj
Mos ktheni kokën mbrapa, unë ju ndjek pas
Ai do ju nxjerrë n’oaze të bleruar

9.


Dhe luftëtarët Aleksandrin e dëgjuan
Kali i etur në Hundëz i nxorri
Aleksandri vdiq, duke i lënë urata:
“Ilirë e camë, në këtë tokë, lulëzoni!”.

 

 

 

TEK MOLI TË PRES ÇDO DITË

 

Tek moli më the të të pres
Takimin e kemi fiksuar një ditë
S’ka gjë se kaluan shumë vjet
Shpresa nuk vdes miku im

Në stacione trenash të kërkova
Në metro, aeroporte me radhë
Afërditën, planetin e dashurisë
Të parin vizitova, është e qartë

Të mendosh që jeton në këtë botë
E mbase je fqinj, këtu pranë
Me bërryla jemi çikur sa herë
Po sytë i ke drejtuar matanë

Buzë lumejve, me siguri jemi parë
Në Vjosë, Bistricë e Bunë
Në të njëjtat rrëke jemi larë
Me ujë t’ëmbël, të kripur, me shkumë

Tek moli më the të të pres
Po s’u pamë, këtej pari, pa prit
Eshtë e fundit mundësi që na mbet
Ke humbur, është e qartë, miku im.

 

 

 

JETA RRJEDH PO NJËSOJ

 

A rrjedh jeta po njësoj
Me bufat, korbat e Zogut mbret
Të pasurit pasuri shtojnë
Të varfërit, që munden, ikin n’kurbet

Megjithatë prapë mjafton
Një shi i imët, nje erë deti
Pak bukë e kripë, një dhogë shtrati
Buzët që ngrohen me rreze dielli

Mjafton fare pak, për be mjafton
Që në sofër të shtrohen tërë pjatancat
Sa duken anijet në horizont
Të ndizet zjarri, të vihen tigankat

S’ka gjë se në krua, mushkat shkojnë
Ujin me llucë po e kapërxejmë
S’ka gjë se na shkelin me patkonj
Jeta njësoj rrjedh dhe i’a vlen

I duam këto të përpjeta të zgjatura
Këta xhelatë që me ne tallen
Mjafton që jetën ta lëkundim
Le të thyejnë çdo gjë, madje dhe varet.

 

 

 

TOKË MAGJIKE

 

Të përshëndes o tokë magjike
E lëvduar dhe e sharë
Nga gjashtëmilion shqipe
Dhe s’dihet sa tradhëtarë

Të puth atdhe i miteve
Zanash e kreshnikësh
S’të mungojnë korbat
Dhe aq më shumë petritët

Të përqafoj me dashuri
Dritë e jetë agimi
E brejtur nga intrigat
E bardhë nga vezullimi

Kur më del papandehur
Zëmra më rreh në gji
Kujtoj ata që vdiqën
Larg teje Shqipëri.

 

 

 

KTHEHUNI BLETË

 

Keni shkuar larg, ju bletë punëtore
Krahë lehta, kësulkuqe, mjaltë i kësaj toke
Sahatet e kohës i’au shkelën njëherë
Elefantët hileqarë, pa turp e pa nder

Janë qose elefantët
S’kanë mjekër për të ruar
Gënjehen, që pa sahatët
S’kemi nge, për t’i vështruar

S’i shohim siç janë, pa mjekër e pa flokë
Me trurin pa rrudha, të rëndë e gallof
S’i kuptokemi ne birbot, që veç shesin dëngla
Hiqen kapës flutrash, me poetike ëndra

Kur në fakt mbrapa krahëve, lidhen me krushqi
Me çakej, ujqër, dhelpra e të kanaleve mij
Vjedhin, shqyejnë e shkatërrojnë pa gajle fshatin
E bashkë, kur bie nata, ndajnë pa turp mallin

Bletë punëtore kthehuni në atdhe
Mos u druani nga elefantët, përlyer me dhe
Janë qose, s’kanë burrëri e presin nga fshati
Që të punojë për ta, derisa stomaku t’i plasi.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s