Skicë: NA MBLODHI MIKY YNË, HYSË HASA… / Nga: Murat Gecaj

Skicë:

NA MBLODHI MIKY YNË, HYSË HASA…

Nga: Murat Gecaj

 

 

Nr.1-Stampimi

 

Kishte rënë mbrëmja në kryeqytetin tonë, kur e dëgjova zilen e celularit tim. Shpejtova të përgjigjesha, por vura re që aty ishte i regjistruar një numër i panjohur për mua. Me këtë rast, m’u kujtua shprehja, që ua them dhe të tjerëve: “Hape telefonin ose celularin, se edhe po nuk e njohe njeriun, që të merr, nuk te bën gjë nga larg!”(ha,ha) Pra, kështu veprova edhe unë. Ndërkaq, më doli një zë shumë i njohur, por dhe që vinte nga afër. Pra, kuptova që miku im i dashur dhe kuksiani i mirë, Hysë Hasa nuk telefononte nga Filadelfia  e Amerikës, por kishte ardhur në Tiranë. Pasi u përshëndetëm, më ftoi në një takim për kafe të nesërmen, ku do të vinin edhe disa miq të tjerë të tij. Sigurisht, ishte kënaqësi për mua që të takoheshim pas një viti, të çmalleshim dhe të shkëmbenim informacione për njëri-tjetrin, si dhe familjet e të afërmit tanë.

Pra, mëngjesi i ditës së sotme, si për mua dhe ata miq të tjerë kuksianë, ishte i planifikuar për ta pirë një kafe me kolegun dhe mikun e përbashkët, Hysë Hasa. Tashmë, emri i tij është i njohur me disa libra, si për vendlindjen, por dhe për Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës. Si “sebepqari” që ishte, atë e gjetëm ndër të parët, që kishte ardhur në lokalin “Ulqini”, i cili ndodhet në qendër të kryeqytetit. Aty ishin edhe miqtë tjerë, Isa Halilaj,  Xhavit Biçaku  e Shefqet Hoxha dhe vazhduan të vinin me radhë: Fajzulla Gjabri, Mustafë Hoxha, Nezir Jata, Xhelal Mema, Beqir Shehu, Isuf Spahia, Shefqet Zelaj e Hamdi Shiraj. Ndërsa ata ishin pothuajse të gjithë mësues e drejtues veteranë të arsimit, nga qyteti e fshatrat e Kukësit, në atë takim unë isha i vetmi “përfaqësues” i Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Por, megjithatë, mendoj se kjo gjë ishte “e përligjur”, pasi rrethet tona bëjnë pjesë në një qark.

Siç është e kuptueshme, për raste të tillë, të gjithë u pyetëm me njëri-tjetrin. Temë e kuvendit tonë miqësor ishin edhe botimet tona. Se, për këtë gjë, secili kishte se çfarë të tregonte. Ndër botuesit prodhimtarë, përveç Hysë Hasës, janë edhe Isa Halilaj-“Mësues i merituar”, Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”,  Fejzulla Gjabri etj. Ky i fundit ma dha, me nënshkrim, librin e tij të ri, “Legjenda të Drinit të Zi”(Tiranë, 2015). Ndërsa unë pata kënaqësinë t’i dhuroja Hysës librin tim të ri,”Me shpirt atdhedashurie”(Tiranë, 2015). Në faqet e tij është edhe një shkrim i veçantë për librat e shkruar nga ky autor,”Me mallin për vendlindjen, e “shkurton” udhën, që nga Filadelfia”(fq.192-196).

Miku Hysë më solli përshëndetjet e përzemërta të disa miqëve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, si: Llazar Vero, Vlashi Fili,   Tajar Domi, Sadik Elshani etj. Por, me këtë rast, ai më bëri edhe dy “supriza” të këndshme. Kështu, ma dorëzoi dëshminë “Miku i Shoqatës Bijtë e Shqipes”, e cila është firmosur nga drejtuesit e saj, kryetari T.Domi_dhe sekretari V.Fili. Në të shkruhet: “Prof.Dr. Murat Gecaj, Tiranë-Shqipëri: Për disa vite me radhë, ka përhapur në shtyp dhe në mediat, brenda dhe jashtë Shqipërisë, përvojën dhe veprimtaritë e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, me artikujt e tij ose të dërguar nga Shoqata jonë”. Bashkë me këtë dëshmi, Hysa më dha librin kushtuar kësaj Shoqate, “Bjtë e Shqipes-Filadelfia, SHBA”, i cili ka 240 faqe. Ai përmban mjaft fortografi e, në përgjithësi, flet dhe e dokumenton mirë jetën e gjallë dhe veprimtaritë e bukura, atdhetare e kulturore, që organizojnë ata, gjatë tërë vitit.

…Minutat kaluan shpejt, me biseda të këndshme dhe, pse jo, me pak humor. Para se të ndaheshim, duke i uruar njëri-tjetrit shëndet të mirë, si për veten dhe familjet, ne bëmë një fotografi të përbashkët, të cilën po ia bashkëngjes kësaj skice modeste. Ndoshta, ajo nuk është aq cilësore, po për secilin nga ne 13 miqtë, që na mblodhi në atë takim për kafe Hysë Hasa, do të mbetet një kujtim i bukur dhe i paharruar.

Urojmë e shpresojmë që ne të shihemi përsëri dhe vetëm për të mira.

 

Tiranë, 10 prill 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s