ZGJIMI I STATUJËS / Tregim nga Natasha Xhelili

 

ZGJIMI I STATUJËS

 

 

natasha Xhelili

Tregim nga Natasha Xhelili

 

 

Ajo ishte një dhomë e madhe me perde të trasha të modës së fundit, me mure të lyera me bojë të bardhë, me statuja të renditura me mbishkrime të ndryshme, me një qetësi të kobshme, me ëndrra të harruara skajeve të përpunimit të baltës, mermerit, bronzit, artit, jetës… ngjanin si një ushtri e uritur për pak ajër të pastër, për pak gjallëri mes tyre,  koloritet, mundësi për të shpëtuar nga ajo pamje e ngrirë, me fytyrën si një novelë ku duhej të lexohej gjithçka përfaqësonte çdo detaj i skalitur i saj.  Duhet të rrinin në të njëjtën dhomë edhe sendet me kuptime postmoderne edhe njerëzit simbole të marra që nga antikiteti i lashtë dhe legjendat e mitologjia. Mes tyre, Narcizi me fytyrën e përvuajtur nga dashuria e mohuar. Nga dashuria e pamundur me pasqyrimin e vet, i rrethuar nga të gjitha vajzat që përgjëroheshin për dashurinë e tij. Në çdo fytyrë kishte një lutje të veçantë, një premtim për lumturi, një vuajtje njerëzore që kërkonte shpëtim në fjalët e tij. Indiferenca e tij shekullore ndaj femrave dhe mallkimi i Afërditës që ra mbi të, e shoqëroi njerëzimin gjatë rritjes së tij. Libri i mitologjisë greke qëndronte mbi tavolinë dhe gjithçka që kishte lindur prej andej në atë dhomë të vogël kishte mundësinë të shpëtonte prej mallkimeve apo fatit të keq në “orën e lutjes së mirë” në fakt ajo zgjaste vetëm pak minuta, gjatë të cilave ishte e mundur të fitoje mbi armikun tënd duke ndjekur një rrugë të ndryshme të parashikuar nga fati yt. Në fillim ai e ndjeu veten si një pinok që po fitonte mishërimin e trupit të vet duke u shpirë nga gjithë ajo kohë që ngecte në çastin e formimit të tyre si një skulpturë. Ai doli prej statujës së vet por edhe gjithë vajzat përreth tij po ashtu. Ai u gjend i rrethuar prej tyre, i hutuar nga gjithë ajo bukuri femërore ndjellëse. I vështroi me radhë. Secila prej tyre kishte një mision të caktuar në skulpturë Ato ishin krijuar për ta bërë mirë detyrën e vet, për ta tërhequr djalin nga mallkimi dhe për ta bërë për vete me armët e tyre: bukurinë, brishtësinë, lajkën, tërheqjen fizike, kurthin, intrigën… Dhoma ndodhej në katin e dytë. Ai iu afrua derës  dhe duke e prekur te doreza ajo u hap vetë. Sa guxoi të dilte në korridor i doli para njëra nga vajzat statuja që e tërhoqi prej vetes pa mundur ta prekte trupin e tij me të sajin. Ai ecte pa ditur se ku po shkonte në krye të shkallëve e priste një vajzë tjetër . Ajo iu drejtua me fjalë të ngrohta të cilat sikur ranë në vesh të shurdhër zbriti shkallët duke dëgjuar disa zëra që vinin nga një sallë konferencash në katin e parë. Ajo zhurmësi e ftoi të ishte pjesë. Ishte si një zhurmë ujëvare  në një pyll të madh, e cila mund të të shuaj etjen, por edhe mund të ndjekësh rrjedhën e saj se ajo derdhet me siguri në det të hapur. Një statujë që mund të lëvizte nuk ishte një gjë e zakonshme. Të gjithë që ishin në sallë kthyen kokën të shtangur, po më e shtangur ishte statuja që pa kaq shumë njerëz së bashku, të ndryshëm nga ai, si për nga veshja, qëndrimi, shikimi,mënyra e përjetimit të ngjarjeve. Shekujt e zhvillimit mes tyre kishin krijuar një hendek të pakalueshëm. Kostumet, kollaret,fustanet gjithë ngjyra, lule e figura ishin të huaja për të. Nga koha e vet ai njihte vetëm të bardhën dhe aromën e njeriut të rritur në gjirin e natyrës, pa parfume të forta, gjithfarë livandosh, që nuk e lejonin gjurmimin e trupit njerëzor. Dikush në sallë bërtiti në hapat e tij të parë dhe rrëmuja e zhurmësia që erdhi më pas ishte e patregueshme, të gjithë iu drejtuan në përgjithësi hyrjes së emergjencës ku radha u bë e gjatë. Atje në fund të rreshtit ishte një vajzë që dukej si një sorkadhe e trembur. Ajo pasi e vështroi me kureshtje e frikë si të tjerët pati një moment kur iu duk sikur e njihte djaloshin Narciz. Vështrimi mes tyre ishte i etur, me qindra vjet histori në mes, me një ninullë të nëndheshme që i ftonte afër, me dëshirën për t’u prekur, për të qenë në krahët e njëri-tjetrit. Kornizat e kohës u zhdukën dhe papritur ai u drejtua nga ajo që e harroi pamjen e statujës lëvizëse, dukej sikur e kishte ftuar në vallëzim me ritmin e Afërditës që nuk po e përmbushte dot mallkimin e vet, fuqia e saj nuk po mbërrinte dot këtu. Më në fund u prekën duke bashkuar duart, gishtërinjtë e çdo dore gjetën një shok, gjetën një dyzim të vetin të kërkuar në hapësirën mitike të krijuar prej fantazisë së zhvilluar të njeriut antik. Nuk kishte më asnjë në sallë, po edhe sikur të kishte, ata ishin harruar në botën e tyre të ndërmjetme që nuk ngjante me historinë e tyre. Gjithnjë na mundon pyetja: a jemi unik në këtë botë? A e jetojmë këtë jetë vetëm njëherë apo kthehemi e rikthehemi duke bërë të njëjtat gabime? A ekziston katarsisi në botën e ndërmjetme ku gjendemi derisa të na jepet mundësia për t’u rimishëruar? A kemi mësuar nga gabimet tona të mëparshme, duke pasur mundësinë për t’u bërë më përsosur ne dhe bota ku jetojmë apo nuk i shpëtojmë dot fatit tonë të parashkruar duke jetuar të gjitha herët të njëjtën jetë me të njëjtët njerëz? A i ishte dhënë mundësia Narcizit të dashuronte apo kjo ishte hera e parë që i shpëtonte mallkimit? Nuk patën nevojë për fjalë e përbetime, u kuptuan me shikim. Ia mori fytyrën me duar (mund të prekte një fytyrë të dashur më në fund)dhe e afroi në dëshirën e vet. Ajo nuk kundërshtoi. Puthja e statujës nuk ishte e ftohtë ashtu si mund të mendohej. Zjarri i dashurisë së paarritshme ishte i gjallë brenda tij, ai ndezi zemrën e së panjohurës dhe krijoi një Afërditë në të. Ajo ia ktheu puthjen si gjënë e fundit në botë që mund të japë një njeri, një grua e dashuruar… Salla filloi të mbushej  përsëri. Turma kureshtare ishte e heshtur duke u bërë dëshmitare e çmitizimit të një legjende, e shfaqjes së hyjnive në tokë me pamje e vepra njerëzore. Një kohë e tërë po shkërmoqej aty në sytë e dëshmitarëve. Kamerat e sallës ishin të aktivizuara dhe disa prej tyre nënqeshën duke ditur që kishin një armë në dorë kundër kokëfortësisë njerëzore që do të thyhej pa frikë këtë herë. Askush nuk e kuptoi çfarë ndodhi. Ata i kthyen krahët njëri-tjetrit, ai në kërkim të diçkaje që nuk po e gjente, ajo drejt kohës së vet. Vajza  statujë që e priti te porta u ndie më e urryer se kurrë, ai as që e vështroi, nuk e kishte mendjen aty, te prania fantastike e saj. Narcizi u drejtua nga porta dhe turma kureshtare rendi pas tij e heshtur, megjithëse pëshpëritjet gëlonin më shumë se kurrë, vështroi bardhësinë e dritës, mendoi për fatin e vet që dergjej mallkimit të rikthyer. E ndjeu gurgullimën e ujit. Kjo statujë që përfaqësonte kohë të vogëlisë së njerëzimit i kishte ende të forta instinktet që kishin vdekur ngadalë me zhvillimin e shoqërisë. Aroma e ujit e thërriste bashkë me dëshirën për të parë dashurinë e vet për të cilën ishte ndëshkuar.  Pamja krenare që e shoqëronte gjatë mbërritjes e dlirësoi turmën, ajo e kuptoi, magjia e shkurtër kishte mbaruar ai po shkonte të vdiste pranë dashurisë së vet. Po ç’pati qielli që bubulliu, ç’patën zogjtë që heshtën cicërimën e flatrimin, ç’patën këngët e dashurisë që u zbehën? Narcizi po sheh fytyrën e vet në ujin e shatërvanit në qendër të qytetit. Një diell i përzishëm, male kryeulur, fusha që bëjnë buqeta, kandrra që marrin nektarin duke siguruar vazhdimësinë, yje që fshihen pas atij vështrimi të kobshëm të Narcizit mbi shëmbëlltyrën e vet. Nuk e kuptoi kohën kur disa nga turma që bënin përmbledhje  aktive të gjithë kësaj ore pirate mbërritur nga shekujt, e lëvizën dhe e vendosën në qendër të shatërvanit ashtu me fytyrë poshtë. Sa e vendosën e kuptuan se ai u ngurtësua përsëri, u bë përsëri ajo statuja që ishte në atë dhomë të errët. Kamerat e sallës nuk kishin incizuar asgjë. Po edhe aparatet që u përdorën nuk kishin asnjë foto. Gjithçka që ndodhi aty mund të transmetohej vetëm gojarisht, ashtu si mund të kalohen brez pas brezi vetëm legjendat e krijimet e tjera popullore. Rrugës do të fitonin shumë zbukurime e sajesa që do të krijonin një ngjarje postmoderne me përmasa mitologjike që do ta humbte nocionin e kohës…

 

One thought on “ZGJIMI I STATUJËS / Tregim nga Natasha Xhelili

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s