MBLEDHËSI I KANOÇEVE / Nga (Hamdi) Erjon Muça

MBLEDHËSI I KANOÇEVE

 

 

erjon

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

E adhuroj detin e qytetit tim. Jo se ka ndonjë gjë më shumë se detet e tjerë, por vetëm ngaqë ai është i qytetit ku kam lindur, jam rritur me të dhe e dua….
Edhe këtë mëngjes, si gjithmonë kur kthehem tek ai, u ula tek bari i hotelit përballë shtëpisë sime, zyra një tavolinë larg zhurmës dhe prita kafenë duke vështruar dallgët.
Ato janë të mrekullueshme, sidomos tani në verë. Edhe në dimër i adhuroj, por në verë ato afrohen ngadalë në breg, lehtësishëm, si të ishin vajza nazelie. Puthin ëmbël, duke e shtyrë pak lart, rërën e larë: kështu e quajmë zhavorrin e imët që del mbi rërën e bregut.
Kështu ka qenë dikur, përpara se ethet e ndërtimit shkatërrues të mbështillnin shpirtin tonë prej modernistësh. Në breg të detit, dallgët ledhatare të mëngjesit verorë përkëdhelin sot copëza tullash, xhamash, lëkura bananesh hitiane, qese patatesh greke e italiane që tregtohen në të gjitha dyqanet e qytetit; lëvozhga vezësh, lëkura shalqinjsh, kanoçe alumini boshe dhe tamponë vaginalë të përdorur. Po pija kafenë e hidhur dhe po mendoja fjalën e urtë popullore: Çka të hedhësh në det do e gjesh në kripë.
” Mjer ne!”, thashë me vete dhe vështrimi më vajti tek ekrani i madh, të cilin pronari i lokalit e kish nxjerrë në verandë. Nuk ke se çfarë bën, është muaji i botërorit të futbollit dhe të paunët që në ditë normale kruajnë hundët ose topet, këtë muaj janë të zënë deri në dy pas mesnate. Mos qeshni me frazën e mësipërme, pasi të kurash hundët dhe topet me atë sinkronitet me të cilën e bëjnë ata është një ndërmarrje me të vërtetë e vështirë. Një herë ata kruajnë hundët me dorën e djathtë dhe topet me të majtën, e më pas hundët me të majtën dhe topet me të djathtën. Nuk e ndërpresin ndërmarrjen e tyre as kur flasin në telefon dhe me një sinkron mahnitës me të njëjtën dorë kruajnë një herë hundët dhe më pas topet. Ja vetëm duke e përshkruar m’u duk e lodhshme, pale ta bëj atë veprim. Me siguri që hutaq si jam do ngatërroja rregullin e kruajtjes dhe kjo do më shtynte të përvuaja një shterim nervor.
Në këtë mëngjes nuk kish ndeshje e megjithëkëtë, tv e transmetonte. Ishte një nga ata programet që transmetojnë vetëm lajme për 24 orë.
Qe diçka e rëndësishme ajo që kish ndodhur dy apo tri ditë më parë. Ishte lajmi i javës. Cilin kishin përjashtuar nga parlamenti, pasi ky kish folur në mbledhje të parlamentit për një darkë luksoze, nga ato të cilat ne vdekatarët e thjeshtë zor që e përjetojmë. Gjatë kësaj darke kishin fluturuar pjata, pirunë, madje edhe fjalë, të tipit; bushtër. Këtë fjalë e kishte përmendur ai tipi në foltoren e parlamentit dhe kryetari kish mbyllur seancën. Më pas kishin marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të atij parlamentari.
Pak më larg meje në një tavolinë, qenë ulur një grup kruajtësish dhe mes tyre kish nisur një debat i zjarrtë. Një pjesë mbronin atë tipin e një pjesë tjetër vendimin për shkarkimin e tij. Unë ngrita filxhanin dhe rrëkëlleva kafenë time të hidhur, akoma të ngrohtë. Njëri sy vijonte të ndiqte debatin e zjarrtë në tavolinën përballë, kurse tjetri, ndoshta i bezdisur nga ajo panoramë gati mesjetare, kërkoi të kundronte sërish bregun e pisët të detit tim të dashur. Atje kapi një siluetë njerëzore që lëvizte ngadalshëm, gati e lodhur. Ajo pamje shkoi në tru dhe ai i dha urdhër edhe syrit tjetër që të shikonte andej.
Ishte një burrë i vjetër, një qenie njerëzore e lodhur, me rroba të ndyta , mjekër të çrregullt të pisët, këpucë të grisura me një thes të vjetër mbi sup, duke u munduar të kapte kanoçet e boshatisur në breg të detit. Duhet të më falni për fjalën: të ndyta, por u ndikova.
Kush lexon dhe ka lexuar Kafkën mundohet dhe gjen situata kafkiane kudo. Në këtë shekull të ri, në vendin tonë plot kulturë e intelekte të shpërthyera menjëherë, ato janë të shumta. U ndikova ngaqë e kisha harruar që në shekullin e ri kishte mjaft situata migjeniane të cilat enden të injoruara nga të gjithë. Madje edhe unë pak para se të shihja atë siluetë të lodhur kisha nisur të mendoja për lajmin e javës. “Bënë mirë apo bën keq që e pezulluan?”
Ajo qenie njerëzore ndali dhe futi në thes një kanoçe të cilën ja rrëmbeu dallgëve. Ktheu kokën nga bari dhe u harrua pak çaste me sytë nga ekrani. Pa edhe kruajtësit, por ata as që e vunë re. Ata qenë ngërthyer në një debat tepër të zjarrtë, madje edhe okupuesit e një tavoline tjetër i qenë bashkuar debatit dhe ai tashmë kish marrë përmasa sureale. Edhe unë do kisha dashur t’i bashkohesha debatit, por ja që vëmendjen ma tërhoqi ajo siluetë e lodhur dhe e papërfillshme. Njëra pjesë e mendjes po e qortonte pjesën tjetër të mendjes time, që nuk mund të merrej me gjëra pa vlerë, ndërkohë që një debat jetësor po zhvillohej në dy tavolina jo shumë larg meje. Mesa duket ai e kuptoi që po bëhej i tepërt e pengues, ndaj me hap të ngadaltë ai nisi të largohej. Pesha e thesit i rëndonte mbi shpatulla, ndofta njëlloj si mosha, ose si injorimi. Kruajtësit vijonin të merreshin me problemin madhor të javës, ndërsa ai çapitej ngadalë.
Ai duhet të kuptonte se nuk ishte askushi. Një nga ata askushë të cilët mundohen të jetojnë mes verbërisë dhe shurdhërisë së të gjithëve. E pashë teksa mes një grumbulli plehrash mblidhte me shpejtësi, a thua se ndonjë tjetër do t’ia merrte kanoçet e vyera. Pasi rrëmoi edhe ca më në thellësi grumbullin me plehra, që njerëzit kishin hedhur në mes të trotuarit, me shije prej artisti ai u largua më tej, derisa nuk u duk më.
Kruajtësit po flisnin po për të njëjtin lajm dhe ekrani shfaqte po të njëjtën skenë ku binte në sy kollaria e shndritshme. Ajo kollare më kujtoi kanoçet që mblidhte ai njeri i gjorë.
Ai njeri ishte fare i pafat dhe i padobishëm. S’ bëhej kurrë lajm i ditës. Ndoshta do të bëhej lajm çasti, nëse padashur përfundonte nën rrotat e ndonjë makine. Vetëm atëherë ndokush do të thoshte: i shkreti! Për të tjerët ai ishte një hije e padukshme, një shprishësh veprash e arti, që njerëzit veshur me taka shumë të larta që zbresin nga makina luksoze, lënë vend e pavend edhe nëse ka kazanë plehrash.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s