Narracioni psikosocial i Adil Ollurit / Nga Rezart Palluqi

20150425195709147600

Narracioni psikosocial i Adil Ollurit

Letërsia e Ollurit prek tema psikosociale. Në disa raste ai mund të thellohej më shumë, sidomos në tregimin ku i zoti vret qenin e tij, ngaqë ky i fundit i kafshon foshnjën e sapolindur. Në këtë rast, Olluri mund të ishte thelluar edhe në botën e qenit, duke nxjerrë në pah arsyet përse qeni e bëri këtë? Shpesh, shkaku vjen prej të Zotit të tij, kur ai e trajton keq. Sidoqoftë me këtë tregim ai e ka bërë hapin e parë në drejtimin e duhur

 

 

 

rezart palluqi

Nga Rezart Palluqi

 

 

 

Nuk është e thënë që proza të jetë e mbështjellë prej një fabule për të qenë magjike. Gradacioni i lartë i përjetimit të ngjarjeve dhe rrjedhshmëria e gjuhës, pa sforcime, gjuhës ose fjalëve që dalin nga zemra, e bëjnë prozën jo vetëm të lexueshme, por edhe e letrarizojnë jetën tonë të përditshme. Këto dy veti ose vlera i ka edhe proza e shkurtër e shkrimtarit Adil Olluri. E kam fjalën për vëllimin e tij me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”. Tregimet janë shkruar me frymën fëmijërore, duke na sjellë sferën e familjes kosovare para, gjatë dhe mbas luftës së fundit në Kosovë.

Tregimi që më pëlqeu më shumë nga të gjithë ishte tregimi i babait. Ky tregim hapet me një fjali fenomenale, fjali që mund të përdoret shumë mirë edhe në një roman. “Sa i lehtë që qenke bërë baba”- thotë autori, teksa personazhi krahason peshën e trupit të babait të gjallë me peshën pupël të lehtë të kockave të tij të futura në një thes. Në këtë tregim përshkruhet, me një gjuhë shumë lirike, dashuria e prindit ndaj fëmijës së tij, dhe ngjarjet rrëqethëse kur fëmija përkrah nënës së tij, përjeton nga afër largimin e babait në trenin e luftës dhe kthimin e tij në një thes të vogël me eshtrat e tij.

Libri hapet me një tregim shumë filozofik dhe titull mjaft domethënës “Panairi i ëndrrave”, ku pasqyrohet individualizmi tragjik i njeriut, mbasi banorët e fshatit bisedojnë e i premtojnë njëri-tjetrit të mblidhen të gjithë në sheshin e fshatit për të zgjidhur problemet e mëdha që i prekin të gjithë, por në momentin final ata nuk bashkohen. Ëndrrat e tyre në vend që të treten në një kupë, ato fluturojnë me egoizëm veç e veç, derisa ato bëhen armike të njëra-tjetrës. Në tregimin “Letra e një ushtari” agresori, ushtari serb tenton të kontaktojë me viktimën. Forca e këtij tregimi magjik qëndron tek afeksioni që reflekton ushtari serb ndaj gruas kosovare. Ai shpreh keqardhje të madhe që s’arriti të njihet më mirë me kosovaren, sepse ai në fytyrën e saj kishte spikatur shumë dashuri, humanizëm; janë ato ndjenjat e bukura njerëzore, që nuk bazohen tek dashuria e simboleve të caktuara fetare, apo djepeve ideologjike. Ky tregim fluturon mbi Luftën, flatron mbi urrejtjen fqinjësore që shpërthen shpesh prej luftërave të marra. Të njëjtin mesazh se hasmëritë duhen hedhur mbrapa kurrizit dhe duhet bërë fqinjësi e mirë për hir të fëmijëve tanë, përpiqet ta përcjellë edhe tregimi tjetër “Dezertori”.

Letërsia e Ollurit prek tema psikosociale. Në disa raste ai mund të thellohej më shumë, sidomos në tregimin ku i zoti vret qenin e tij, ngaqë ky i fundit i kafshon foshnjën e sapolindur. Në këtë rast, Olluri mund të ishte thelluar edhe në botën e qenit, duke nxjerrë në pah arsyet përse qeni e bëri këtë? Shpesh, shkaku vjen prej të Zotit të tij, kur ai e trajton keq. Sidoqoftë me këtë tregim ai e ka bërë hapin e parë në drejtimin e duhur.
Nuk kam ndërmend të flas për çdo tregim, sepse këtë nuk do ta dëshironte as vetë lexuesi i ardhshëm i këtij libri.
Ushqimi i tregimeve të Adilit, siç e thashë më lart, janë përjetimet e tij fëmijërore në familje dhe përreth saj, shoqëria në tërësi, dhe kjo ndeshet edhe në tregimin që mban edhe titullin e këtij libri “Shumë rrugë dhe një rënie”, ku studenti mjaft i talentuar kosovar vetëvritet, ngaqë mediokrit, të paaftit, ia mbyllin dyert e suksesit të tij të merituar. Idiotët ia bllokojnë të gjitha shtigjet e jetës dinjitoze.

Stili i Adil Ollurit është modern. Një prej karakteristikave të tij është proza e rrafshët. Proza skematike krijon qëllimisht ulje-ngritjet piramidale. Pikat kulminante janë të paraplanifikuara, dhe kjo e dëmton prozën, e ngjiz me artificialitet të rrezikshëm, sepse e bën të pabesueshme. Ndërsa, proza e rrafshët nuk njeh hyrje, pra paranxehje, nxehje dhe në fund ftohjen ose mbylljen. Proza e rrafshët është e sinqertë dhe futet direkt në lojë. Jo më kot, në tregimet e Adilit loja narrative fillon qysh në rreshtin e parë dhe shtjellohet me të njëjtin ritëm, deri në rreshtin e fundit. Më ndodhi në shumë tregime, kur ato mbaruan pa e kuptuar. Thashë, hë? Mbaroi tregimi këtu? Kjo ndodh besoj, ngaqë ajo të përthith në vorbullën e saj. Këto veti e bëjnë atë të dallojë nga proza skematike. Unë jam përkrahës i zjarrtë i prozës së rrafshët, sepse aty sinqeriteti, spontantineti dhe rrjedhshmëria e gjuhës marrin frymë të plota, demonstrojnë me një natyrshmëri mahnitëse, ndërkohë që proza skematike është më delikate, e pambrojtur ndaj sistemeve diktatoriale ose kafshatave letrare të përtypura në laboratorët tiranikë. Ato parashikojnë shpërthimet e vullkaneve, ndërkohë që vullkanin as Zoti vetë nuk e parashikon dot.

Gjuha është origjinale, e pasur me fjalë të plota si: pauniformuar, pazhurmshëm, ose fjalë të përbëra shumë origjinale, si: beqarshtyrë, taksivozitësi, trupzhvilluar, grykëpërpjetë, hekurndryshkuri, shpinëzbuluarin, valixhembajtë e shumë të tjera. Kjo tregon se Adil Olluri ka punuar si një plug i palodhshëm, i cili ngulet thellë në tokën e gjuhës shqipe e nxjerr që andej thesare të reja.

Dëgjoj të më thonë: Je ndër të paktët shkrimtarë që e vlerëson prozën e mirë. Përse nuk do ta bëja unë këtë? Dikur kam thënë se shkrimtarët e vërtetë janë gjithmonë aleatë, ndërsa shkrimtarët e dobët janë grindavecë. Letërsia është një lum ku ka ujë për të gjithë. Rëndësi ka që ta gjesh lumin e përjetësisë, i cili shpesh ndodhet mbrapa pyllit të egër dhe shumë të thellë të jetës. Prej këtij vëllimi me tregime, duket sikur Adili e ka gjetur lumin e letërsisë së mirë prandaj edhe i uroj nga zemra një penë të mbarë drejt krijimeve të reja narrative

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s