LEXIM DHE STUDIM NDRYSHE I VEPRËS SË PJETËR BUDIT ( Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim monografik. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2015, f. 335. ) / Nga : Prof. dr. Zeqirja Neziri

LEXIM DHE STUDIM NDRYSHE I VEPRËS SË PJETËR BUDIT

 

( Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim monografik. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2015, f. 335. ) 

 

 

download

Nga : Prof. dr. Zeqirja Neziri

 

 

Anton Nikë Berisha është studiues i njohur dhe autor i shumë veprave teorike dhe aplikative në fushën e letërsisë shqipe. Këtë vit na befasoi me një studim të ri për Pjetër Budin, poetin dhe prozatorin e parë të mirëfilltë shqiptar.

Interesimi i tij i deritanishëm shkencor është i shtrirë kryesisht në tri fusha: të letërsisë gojore shqiptare, të letërsisë shqipe të shkruar të të gjitha periudhave, nga shkrimet e para e deri në ditët e sotme, dhe të letërsisë fetare (shqiptare dhe të letërsisë në përgjithësi). Ka botuar një varg studimesh monografike për autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe (Buzukun, De Radën, Fishtën, Z. Skiroin, Koliqin, Camajn, M. Krasniqin, Vetmon, A. Shkrelin) edhe studime të veçanta për çështje të ndryshme të letërsisë në përgjithësi e të letërsisë gojore, në veçanti, si dhe të përqasjeve të kësaj me letërsinë e shkruar.

Me këtë përgatitje të thelluar e të dëshmuar shkencore Anton Nikë Berisha vokacionin e studiuesit të mirëfilltë do ta shtrijë edhe në studimin e veprimtarisë letrare të Pjetër Budit.

Tri janë çështjet që ngrihen në këtë studim: (1) origjinaliteti i Pjetër Budit si autor i parë i prozës dhe i poezisë shqipe; (2) vendi i tij në periudhën e letërsisë shqipe të Pararilindjes kombëtare dhe (3) ballafaqimi dhe përafrimi intertekstual i veprës së Budit me letërsinë kishtare, me Shkrimin e Shenjtë dhe me letërsinë gojore shqiptare.

Mbështetur në titullin e këtij studimi vetëkuptohet se studiuesi A. N. Berisha objekt studimi ka dy veprimtaritë kryesore të Pjetër Budit: vjershërimin dhe prozën. Me thellimin e studimeve mbi këto dy veprimtari të Pjetër Budit saktësohen bindshëm shumë pikëpamje të mbetura pezull e që kanë shëtitur duke u përtypur nga njëri studiues te tjetri qe më shumë se një shekull.

 

Rivlerësimi i pikëpamjeve për Budin poet e prozator

 

Studimi nis me një fjalë hyrëse, të shoqëruar me lëndën që është e ndarë në katër kapituj: Tradita letrare shqipe para Budit, Mendime dhe vlerësime për veprën e Budit, Pjetër Budi poet dhe Pjetër Budi prozator. Në Fjalën hyrëse shpjegohen arsyet pse autori i studimit pas 27 vjetësh i kthehet përsëri leximit kritik e vlerësimit të mirëfilltë e të thelluar krijimtarisë së Pjetër Budit. Midis arsyeve kryesore që radhiten janë: studimi i veprës së Pjetër Budit ka ecur përpara dhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të fushave të ndryshme të dijes, ku janë rrahur çështje që lejojnë mundësinë e rivlerësimit të disa pikëpamjeve tanimë të vjetruara. Midis tjerash duhet përmendur botimin e shtuar e të plotësuar të krijimtarisë origjinale të Pjetër Budit të bërë nga Rexhep Ismajli në vitin 2006 dhe dy studime monografike mbi poezinë e tij (më 1995 dhe më 2002) si dhe një përmbledhje studimesh kushtuar veprës së këtij autori (2006), pa harruar këtu edhe tubimet e konferencat e ndryshme shkencore. Në drejtim të çuarjes përpara të studimeve budiane dhe sfidimit të studiuesve të veprimtarisë së tij, duhet përmendur sidomos punën e studiuesit të përkushtuar danez, Gunnar Svane, i cili në vitet 1985-1986 i tejshkroi dhe i shoqëroi me vëzhgime të vlefshme tri veprat e Budit Doktrina e krishterë, Pasqyra e të rrëfyerit dhe Rituali Roman, duke bërë edhe konkordancën e teksteve të tyre.

 

 

anton-nike-berisha

Prof. dr Anton Nikë Berisha

 

 

 

Në përvijim të traditës kombëtare shqiptare

 

Në kapitullin e parë Tradita letrare shqipe para Budit (të ndarë në dy nënkapituj) vështrohen çështje që kanë të bëjnë me shkrimin shqip që i ka paraprirë shkrimeve të Pjetër Budit. Aty shtrohen dy dukuri që lidhen njëra me traditën tonë gojore dhe tjetra me traditën e shkruar.

Me të dy këta nënkapituj dëshirohet të fuqizohet frymëzimi dhe mbështetja e Pjetër Budit në traditën kombëtare shqiptare, njëkohësisht të pikëzohet hipoteza se krijimi i tij poetik është dëshmi se ai, para se të ndjekë krijues të letërsive të huaja, si krijues, duhej të jetë formuar në traditën kombëtare shqiptare.

Në nënkapitullin rreth traditës gojore shtrohen e rrihen çështje të krijimit, të jetesës e të mënyrës së funksionimit të letërsisë gojore dhe të përkimeve të saj me letërsinë e shkruar. Përmenden dëshmi të këngëve të Skënderbeut, katër poezitë – këngët e përshpirtshme te Meshari i Buzukut për ta mbyllur me shënimet e Budit për gjamët e për ‘disa vajtime të viershuome’ (f. 29). Ky nënkapitull i shërben Anton Nikë Berishës për të shpjeguar njëkohësisht edhe çështjet që lidhen me krijimin dhe mbështetjen e Budit si poet e prozator, si dhe për të ndriçuar aspekte të reja të krijimtarisë poetike të tij në të dyja gjinitë.

Në nënpjesën e dytë Mendime dhe vlerësime për veprën e Budit merren në shqyrtim vlerësimet e studiuesve të shumtë në të dyja fushat e veprimtarisë së Budit: në aspektin gjuhësor dhe në atë letrar. Përmenden radhazi vlerësimet nga bashkëkohësit (Marin Bici) dhe nga pasuesit (Kuvendi i Arbënit); mandej Petrotta, Mikloshiçi, Dorsa, Skiroi. Hapësirë më e madhe u kushtohet vlerësimeve të studiuesve të shekullit XX, të cilët janë thelluar më tepër në studimin e vlerave gjuhësore (në fushën e leksikut e të gramatikës) të veprave të Pjetër Budit, si: Justin Rrota, Ndre Mjeda, Mario Roku, Injac Zamputi, Eqrem Çabej, Martin Camaj, Selman Riza, Kolë Ashta, Seit Mansaku, Gunar Svane, Rexhep Ismajli, Zija Xholi, Kolec Topalli. Në vijim sheshohet puna studimore e autorëve që janë marrë me studimin e poezisë së Budit, Zef Skiroi, Gjergj Fishta, Mahir Domi, Henrik Lacaj, Arshi Pipa, Sabri Hamiti, Isak Ahmeti, Zeqirja Neziri, Behar Gjoka, Zimo Krutaj dhe Anton Berishaj. Disa mendimeve të disa autorëve rreth poezisë së Berisha u kundërvihet.

Pas kësaj pasqyre të kontributeve që janë dhënë për studimin e veprës së Pjetër Budit në rrafshin gjuhësor dhe në atë letrar, A. N. Berisha nis vlerësimin e tij interpretativ e intertekstual të veprimtarisë poetike të Pjetër Budit në frymë të re dhe me një interpretim të ri e të ndryshëm nga të gjertanishmit. Një cilësi e veçanti e tij shkencërisht bindëse, e qëndrueshme dhe e lakmueshme për secilin studiues është se në metodologjinë e punës së tij shkencore para se të nisë thellimin e interpretimit të lëndës në shqyrtim sheshon punën paraprake të studiuesve të tjerë, si në rastin e studimit të veprës së Budit dhe tek pastaj shpalon pikëpamjet dhe vlerësimet e veta. Në këtë kontekst dy pjesët paraprake (Tradita letrare shqipe para Budit dhe Mendime dhe vlerësime për veprën e Budit) i shërbejnë për ta fuqizuar dhe pasuruar studimin e tij, i cili plotëson një zbrazëtirë të konsiderueshme që ndjehet në studimet budiane.

 

Besnik i trajtimit të temave biblike

 

Pjesa e tretë Pjetër Budi poet, e ndarë në 11 nëntituj, për objekt studimi ka vjershërimin e Pjetër Budit, me çka dëshmohet poeti i parë i mirëfilltë dhe themeluesi i vjershërimit shqiptar. E veçanta më e rëndësishme në këtë kapitull është se për herë të parë vepra poetike e Budit analizohet, ballafaqohet e përafrohet me kompetencë me tekstet biblike, si me Psalmet e me Letrat e Shën Palit, ashtu dhe me autorë të letërsisë e mendimtarë të jetës kishtare si të kohës, ashtu edhe të periudhave të tjera me të vetmin qëllim që të veçohet origjinalja e Budit.

Vëzhgime të përgjithshme – burimet kryesore të poezisë së Budit është nënkapitulli i parë i kësaj pjese në të cilën shtrohen çështje të lidhjeve të vjershërimit të Pjetër Budit me letërsinë evropiane të kohës. Antoni mbron pikëpamjen se për t’u vlerësuar mirëfilli letërsia e Budit studimi duhet të mbështetet ‘në kodin kulturor’ (f. 87), kur ai krijoi dhe veproi.

Autori i studimit mendon se tri janë burimet kryesore të frymëzimit e të formave letrare që i ndoq Pjetër Budi në vjershërimin e tij: (a) letërsia Antike; (b) letërsia e shenjtë – Bibla, në të cilën më tepër përputhje ka me psalmet e himnet, me Letrat e Shën Palit, me lavdet e lutjet, si dhe me lloje letrare të tjera të letërsisë kishtare dhe (c) tradita letrare gojore përmes urimeve, betimeve, mallkimeve, vajeve, gjëmëve, pa përjashtuar vargun e pasur të traditës kombëtare shqiptare (f. 96-99).

Kështu, duke veçuar dy përbërësit kryesorë të poezisë së Pjetër Budit: (a) perceptimin hyjnor të realitetit dhe të universit dhe (b) ndikimin në publikun më të gjerë, Berisha mbron pikëpamjen se Budi edhe në aspektin tematik edhe në atë stilor është në rrjedhë të letërsisë evropiane të kohës, pra letërsisë së Barokut. Pikëpamjet e tij rreth kësaj dukurie studiuesi i mbështetë duke e ballafaquar vjershërimin e Budit me letërsinë kishtare spanjolle, italiane e franceze të kohës.

Me këtë qëndrim ai i jep krah mendimit se krijimi i Budit duke u mbështetur në letërsinë e Kundërreformës katolike, i qëndroi besnik trajtimit tematik të temave kishtare që lidhen me Shkrimin e Shenjtë, Fjalën e Zotit. Kjo argumentohet me faktin se në fund të shekullit XVI dhe përgjatë shekullit XVII kisha jo vetëm kishte nën kontroll, por edhe mbronte e afirmonte artin (f. 88). Me zbërthimin e këtyre çështjeve çohet përpara ndriçimi i aspekteve që kanë të bëjnë me frymëzimin dhe modelet krijuese që ka ndjekur Budi.

 

Mbështetja dhe frymëzimi i Pjetër Budit

 

Në vijim jepen përgjigje në çështjen e frymëzimit të Budit, ku tërhiqet vëmendja se ai “nuk e fton muzën për frymëzim për t’i hartuar poezitë e veta, siç ndodh zakonisht me poetët, po u frymëzua nga »Tinëzot e ligjt (së) së tī« dhe »Posi thotë ndë Ligjt Plakë«” (f. 121). Sa i përket vargut popullor tetërrokësh Anton N. Berisha është i mendimit se Budi e përdori këtë varg, sepse me të përmbushen dy cilësi: këndimi dhe përvetësimi.

Duke u marrë me arsyet pse Pjetër Budi i shkroi poezitë, jepen dy vlerësime me interes: Budi “nuk i shkroi poezitë e tij për shkak të poezive vetë, si vlera tekstore dhe si mesazhe para së gjithash poetike […], po për shkak të qëllimit, të kumtit që sjellin e shprehin” (f. 123); dhe se “Poezia që krijon Budi […], s’ka si synim kryesor përligjjen e poezisë si art, po njohjen e qenësisë së Hyjit dhe e gëzimit dhe e dashurisë që Hyji shfaq vijimisht ndaj krijesës së vet, njeriut” (f. 125). Me këtë arsyetohet pikëpamja se poezia e Budit është poezi qëllimore, e angazhuar, utilitare dhe institucionale që të praktikohet sidomos në jetën liturgjike.

 

Budi krijues dhe rikrijues

 

Në kontekst të llojit letrar të vjershave të Budit Anton Nikë Berisha, pasi ka sheshuar qëndrimet e studiuesve të tjerë, që janë marrë me këtë çështje përqafon pikëpamjen e poemës së gjatë “të përbërë prej këngësh” (f. 100). Pra, sikur “dikush, kushtimisht, do të thoshte se Budi krijoi një lloj epi religjioz, që ka mbi 3000 vargje, atëherë mund të pohohej se kryepersonazhi i poemës është Hyji atë, Biri i tij, Jezu Krishti, Zoti konkret, i dukshëm dhe i prekshëm, dhe Shpirti i Shenjtë (Trinia e Shenjtë), ndërsa Adami, Eva, Noa, Shën Maria, Shën Magdalena etj. janë personazhet; janë degët e trungut (trupit) të personazhit kryesor dhe e plotësojnë atë, duke i dhënë madhështinë përkatëse” (f. 100-101). Në këtë kontekst A. N. Berisha thekson se poezia e Budit luan një rol të dyfishtë: përmbush synimet e autorit dhe dashurinë e tij ndaj marrësit, lexuesit të kësaj poezie (f. 112). Përgjithësisht poezinë e Budit, Berisha e konsideron si formë të mozaikut, ku “të gjitha pjesët njësohen dhe marrin vlerë të mirëfilltë brenda tërësisë” (f. 117). Kjo ndodh pse poezitë e tij ndjekin “modelet e Psalmeve, Këngës së këngëve dhe librave të tjerë të Biblës”.

Çështje tjetër e rëndësishme e vjershërimit të Budit që ngre studiuesi ynë është përsëritja e dukurive, fjalëve e shprehjeve si dhe dukuria e varianteve (variantitetit) që shpjegohen si pasojë e ndjekjes së traditës gojore epike. Mirëpo, ky parim poetik është i pranishëm edhe në Psalmet që do të thotë se në këtë drejtim Budi sa ndjek traditën kombëtare epike, po aq ndjek edhe traditën universale të përcjellë përmes Shkrimit të Shenjtë (f. 123).

Sa i përket raportit krijues, përkthyes, përshtatës, shumë i diskutueshëm në studimet budiane, A. N. Berisha është i prerë: “Budi nuk është as kopjues, as imitues i Shkrimit të Shenjtë, por është krijues dhe rikrijues mbi atë bazë; aty ka marrë nxitjen dhe frymëzimin; aty ka marrë thelbin e mesazhit të poezive të veta” (f. 103). Pra, “Budi i shqipton dukuritë e njohura në Bibël përmes vargjeve të krijuara nga ai, përmes tablove të shprehura nëpërmjet tekstit dhe gjuhës shqipe” (f. 103).

 

Dobishmëria si kategori estetike

 

Budi ka shkruar vjersha fetare. Këtu edhe qëndron karakteri utilitar institucional i vjershërimit të tij. Duke folur për anën praktike dhe funksionin e këngës në liturgjinë kishtare Anton N. Berisha konstaton “kënga, ngjizur me himnin dhe lavdin, nënkupton shqiptimin dhe njohjen e Hyjit, që përligjet thellësisht tek Budi” (f. 109). Shembujt biblikë të himneve, lutjeve e lavdeve, thekson Berisha, vërtetojnë origjinalitetin e Budit në shtjellimin e temave dhe në krijimin e vargjeve, sepse përmes interpretimit të këtyre llojeve letrare ai dëshmon dhe zbulon thelbin e poezisë dhe të mesazhit të poetikës së tij.

Në rrafshin intertekstual Anton N. Berisha sugjeron gjithashtu se “Në poezinë e Budit, siç ndodh dhe në Bibël, shqiptohet jeta konkrete dhe jeta e amshuar” (f. 129). Këto dallime janë dhënë për ta afirmuar rëndësinë e jetës qiellore. Duke i ballafaquar këto përkufizime me thëniet e papës Gjon Palit II, Nënës Tereze, papës Benediktit XVI e me librat e shenjtë studiuesi A. N. Berisha fuqizon lidhshmërinë intertekstuale të pranisë së tyre në vjershën Dita e gjyqit të Budit. Në analizën e saj ai thekson se “Budi i shqipton dukuritë e jetës në dy mënyra”: (a) përmes shqiptimit konkret (shembujve); ose (b) përmes ballafaqimit të rrëfimeve (f. 136).

Në nënkapitullin e pestë Pasojat e mëkatit dhe domosdoja e pendesës analizohen vjershat e Budit në kontekst të shqiptimit të mëkatit dhe të fuqizimit të pendesës për ta fituar amshueshmërinë. Është interesante analiza që i bëhet krahasimit që përdoret nga Budi për shmangie nga mëkati.

Nënkapitulli i gjashtë Shën Maria në shqiptimin poetik i kushtohet paraqitjes së amës së Krishtit në vjershat e Budit, e cila është e lidhur kryesisht “me aktin e kryqëzimit dhe me ngjalljen e birit të saj” (f. 150). Pasi përmend literaturën biblike për personalitetin e Shën Marisë kalohet në konkretizimin e figurës së saj nga Budi, i cili këtë figurë biblike të rëndësishme të besimit të krishterë e realizon përmes disa tablove përshkrimore. Duke ndriçuar këtë aspekt të përshkrimit në vjershërimin e Budit, A. N. Berisha thotë: “Budi dëshmohet krijues i madh kur e përfton tablonë e pamjes së jashtme të Krishtit të mbërthyer në kryq, të përgjakur, të gjymtuar dhe të shëmtuar fizikisht para nënës dhe të tjerëve” (f. 154).

 

Përkime të poezisë së Budit me Shkrimin e Shenjtë

 

Në të dyja vjershat (vjersha 16 e Doktrinës dhe vjersha e parë e Pasqyrës) kushtuar Shën Marisë në formë të lutjes, Anton N. Berisha vëren se përmes vetës së parë Budi “e shqipton Shën Marinë si nënë të Krishtit Zot dhe rëndësinë e shumëfishtë të saj në Mbretërinë qiellore” (f. 155). Budi kërkon ndihmë nga Nëna e Krishtit “që t’i shohë nevojat e tij dhe të arbëneshëve të tij, të ketë mëshirë për ta dhe […] t’ua falë mëkatet” (f. 157).

Në nënkapitullin e shtatë Përkime të poezisë së Budit me psalmet ndriçohen kryesisht aspekte intertekstuale të vjershave të Budit me këtë libër të Shkrimit të Shenjtë. Pasi flitet për funksionin dhe rëndësinë e psalmeve në jetën liturgjike studiuesi kalon në analizën e përkimeve të vjershave të Budit me Psalmet, në të cilat flitet për njeriun si krijesë e Hyjit, mandej për mëkatin dhe pasojat e tij dhe për pendesën.

Një përputhje të plotë midis teksteve biblike dhe vjershërimit të Budit A. N. Berisha e vëren edhe në funksionin e praktikimit e të pranimit të porosisë së vargjeve të tij (f. 124). Shembull konkret merret vjersha e parafundit e Doktrinës së Budit, ku ai i këshillon arbëneshët të këndojnë me zë “ata që dinë të këndojnë“, por edhe të “dëgjojnë ata që dinë të dëgjojnë“ (f. 124).

Një përkim të veçantë që studiuesi Berisha e zbulon midis Budit dhe Psalmeve është nderimi i madh i këngës. Budi kërkon që njeriu t’i këndojë Hyjit përherë, si veproi dhe ai që i këndoi “një këngë të re në gjuhën e tij shqipe, pikërisht për dashurinë ndaj Hyjit” (f. 172).

Mbështetur në kuptimin e vargut “Si kankë tue kënduom” A. N. Berisha shpjegon lidhshmërinë e ngushtë të funksionimit të tekstit të Budit me traditën gojore shqiptare (f. 208), për të konstatuar se “Me këtë Budi shpreh një nga dukuritë e qenësishme të kuptimit e të komunikimit të poezive të tij (f. 209).

Në vijim analizohet realizmi i poezisë së Budit përmes përsëritjeve, të cilat kanë lidhje të ngushtë me Psalmet, si dhe me letërsinë gojore shqiptare. Studiuesi ynë nënvizon se “përsëritjet i kanë dhënë psalmit bukurinë, ritmin, tingëllimin, e kanë bërë më gjallërik, më të përfillshëm dhe më njësues me mesazhin” (f. 173).

Në nënkapitullin e tetë Letrat e Shën Palit dhe poezia e Budit ballafaqohen mendimet e Shën Palit me vjershat e Budit, ku veçohet cilësia e formulimit të mendimeve dhe të përshkrimeve në mënyrë të veçantë (f. 180). Berisha konstaton se njësoj si Shën Pali edhe Budi shpesh i drejtohet Hyjit me lutje; njësoj i këshillon arbëneshët të shkojnë në kishë, të luten e ta lavdojnë Hyjin; të mos lakmojnë pasurinë materiale; t’i duan fqinjët dhe t’i ndihmojnë të varfrit dhe të luten për armikun. Përkime hasen edhe në rëndësinë e flijimit që të “gëzojnë jetën qiellore dhe ta shohin përherë fytyrën e Krijuesit” (f. 189) dhe ”të mos shoqërohen e të mos mbështeten tek disa barinj shpirtërorë të rrejshëm që janë mëkatarë dhe të patenzonë“ (f. 190).

 

Tablotë e rralla përshkrimore – koncepti krijues i Pjetër Budit

 

Nënkapitulli i nëntë Dëshmi poetike të mirëfillta në mënyrë të sintetizuar për objekt studimi ka “konceptin krijues” të Budit dhe mënyrën “e shtjellimit të tekstit e të lidhjes me Biblën dhe me literaturën liturgjike”. Aty konkretizohen disa nga vlerat dhe sistemi shprehës i Budit. Studiuesi A. N. Berisha thekson se Budi kujdeset për t’i thënë bukur fjalët e Zotit, duke i kushtuar “kujdes të dukshëm hartimit të vargut […], të cilësohen (vargjet) me rimë e ritëm, në mënyrë që të këndohen e të përvetësohen më lehtë, po edhe të bëjnë ndikim në marrësin”.

Në këtë pjesë të studimit jepen shembuj të disa tablove të rralla të hartuara nga Budi, në të cilat përshkruhen njerëzit mëkatarë. Madje zbulohet se Budi, ndonjëherë mesazhin e vet poetik e shqipton në formë të mallkimit, që në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me traditën gojore shqiptare (f. 195).

Gjithnjë duke pasur synim vlerësimin e artit origjinal të Pjetër Budit, A. N. Berisha thekson aftësinë dhe përshkushtimin e veçantë krijues të Budit kur shqipton ngjalljen e Krishtit “ku varri ndizet si flakë dhe drita hyjnore e shpërthen rrasën e gurit të vënë mbi varrin e Krishti” (f. 196). Kjo e tablo të ngjashme përshkrimore “dëshmojnë mirëfilli për rrafshin e lartë të tekstit poetik të Budit (f. 197).

Në nënkapitullin e dhjetë Testamenti shpirtëror poetik i Budit për arbënorët – shqiptarët vjershërimi i Pjetër Budit kundrohet si testament. Në këtë mënyrë interpretohet konkretisht vjersha XVII e “Doktrinës” titulluar “Për ndimët të gjithë kërshtenimit Arbënit”, ku interpretohen dy çështje të rëndësishme: (a) qenësia e mesazhit biblik drejtuar arbënorëve dhe (b) vlera artistike e poezisë së Budit.

Qëllimi i hartimit të kësaj poezie, konstaton Anton Nikë Berisha, është t’i këshillojë dhe t’i porositë arbënorët ta thellojnë besimin në Hyjin, mandej ta ndihmojnë dhe ta duan njëri – tjetrin; të mos lakmojnë të mirat materiale të jetës tokësore (f. 207). Ai i këshillon ata si ta lexojnë dhe si ta përdorin poezinë e tij, madje si të komunikojnë me të.

 

Lidhshmëria e ngushtë me letërsinë gojore shqiptare

 

Në nënkapitullin e fundit, të njëmbëdhjetin, Përkime të poezisë së Budit me poezinë tonë gojore jepet një ndihmesë e madhe dhe hedhet shumë dritë në interpretimin e vjershërimit të Budit, konkretisht të lidhshmërisë së saj me poezinë gojore shqiptare. Vjershërimi i Budit në letërsinë shqipe, sipas A. N. Berishës “paraqet fazën e kalimit prej këngëtimit, përkatësisht prej vargut gojor në varg të shkruar” dhe se Budi “hapi shtegun e një forme tjetër të transponimit e të transmetimit të krijimit letrar krijimin e poezisë dhe të vargut të shkruar” (f. 213).

Autori i studimit thekson se në kohën e Budit dallimi midis letërsisë gojore dhe asaj të shkruar është i pavërejtshëm: “Budi i shkroi vjershat në frymën dhe mbi bazën e poezisë sonë gojore, të cilat pastaj u shpërndanë dhe u pranuan nga priftërinjtë dhe besimtarët” (f. 215).

Për hartimin e poezive të Budit mbi këtë bazë veçohen dy çështje: (a) arsimimi dhe formimi i besimtarëve në frymën e traditës gojore, sepse “shumica e tyre nuk dinin shkrim – lexim” (f. 215) dhe (b) temat biblike u përpunuan në frymën e traditës letrare gojore shqiptare (f. 216).

Elementet e letërsisë gojore që Anton N. Berisha i veçon në vjershërimin e Budit janë:

  • tematikat biblike të njohura në traditën shqiptare përmes këngëve të përshpirtshme, të festave të motmotit e riteve, mandej gojëdhënave, Pjetër Budi ia “përshtati strukturës dhe frymës së vargut tonë gojor” (f.217);
  • Përkime e ngjasime më të dukshme paraqiten në strukturën e vargut, i cili realizohet në formë të frazeologjisë ose togfjalëshit deri te vargu i plotë;
  • Mbi të gjitha “ndër përbërësit e rëndësishëm të afrisë e të përkimit të vargut të Budit me vargun gojor është tetërrokëshi dhe theksat ritmikë”;
  • Përsëritja, e cila aq sa lidhet me tekstet biblike të Psalmeve, po aq lidhet edhe me traditën gojore shqiptare. Një pjesë e përsëritjeve të Budit, “janë të njëjta ose fort të ngjashme me vargje që i gjejmë në botimet e ndryshme me lloje të lirikës dhe të epikës shqiptare” (f. 223).
  • Shumë vargje kujtojnë vajtimet dhe elegjitë shqiptare;
  • Vargje të epikës gojore me tematikë historike, ose në këngët kreshnike e balada, sidomos hyrjet, si: “O, ij madhi zot fatmiri”, sikurse në këngët kreshnike: Lum për ty për Zotin të lumin.
  • Në vjershërimin e Budit hasen edhe lloje të tjera të letërsisë gojore, si: fjalë të urta, urime, shprehje përshëndetëse, sidomos mallkime, të cilat “i dhanë poezisë së këtij autori përmasën e mëvetësishme, origjinale” (f. 226).

 

Prozator i mirëfilltë i formuar në traditën gojore shqiptare

 

Pjesa e katërt Pjetër Budi prozator është e ndarë në gjashtë nënkapituj: Të tjerët për Budin prozator, Rrëfimi prozaik si mënyrë njohjeje dhe komunikimi, Natyra dhe qenësia e parathënieve dhe e pasthënieve, Mbi pasthëniet në Pasqyrën e të rrëfyerit dhe në Ritualin roman, Shembuj të prozës artistike të mirëfilltë dhe Dëshmi të prozës edhe në përkthimet.

Në të gjithë këta nënkapituj synimi i studiuesit është t’i zbulojë e t’i afirmojë aspektet e ndryshme të prozës së Budit me të cilat ai dëshmohet edhe prozator i mirëfilltë, i formuar në traditën gojore kombëtare shqiptare përmes të cilës i ka afirmuar temat biblike.

Këtij qëllimi i përgjigjet në fillim të këtij kapitulli, kur thekson se “deri më sot s’kemi një studim të mirëfilltë për prozën e Budit” (231). Pas vlerësimit të ndihmesës së studiuesve që janë marrë me prozën e Budit, si Mahir Domi, Kolë Ashta, Selman Riza, Eqrem Çabej, Rexhep Ismajli, Gunar Svane, Zija Xholi etj., Berisha i rreket punës të nxjerrë në dritë vlerat letrare të prozës së tij pikërisht në ato vërejtje e sugjerime anësore që i janë bërë prozave të tij. Antoni merret me studimin e mënyrës se si Pjetër Budi “i shtroi dhe i shprehu dukuritë”, pastaj “gjuhën dhe stilin që përdori”, si dhe “përsëritjet që janë përbërës i rëndësishëm dhe i qëllimtë i shtjellimit të tekstit, i shprehshmërisë, i komunikimit dhe i mundësisë së ndikimit në marrësin”.

Studiuesi i përkushtuar dhe i devotshëm i krijimtarisë së Budit, A. N. Berisha pasi shpjegon qëllimin e Budit pse i përktheu veprat Doktrinën, Pasqyrën e Ritualin “për ndimë të Patriesë e të gjuhusë sanë, qi u vduerrë ende po vdarrenë ma të shumënë e veçëse për letërë e për të mpsuom” (Parathënia e “Pasqyrës”), e thellon studimin e tij mbi prozën e Budit, përkatësisht merret me çështjen e origjinalitetit të veprës, të tekstit dhe të intertekstit, të ballafaqimit e të përafrimit të prozës së Budit me tekstet biblike, sidomos me Letrat e Shën Palit e të teologëve të tjerë. Ai shkruan se parathëniet kanë cilësinë e predikimeve dhe të kujtojnë, fjala vjen, predikimet e Shën Augustinit, me çka ndriçohen veçantitë dhe lidhshmëritë shprehëse të prozës së Budit me traditën liturgjike, në njërën anë, por duke e fuqizuar mënyrën e ndërtimit të shprehjes gjuhësore dëshmon formimin e Budit mbi themelet e prozës gojore shqiptare, në anën tjetër.

Studiuesi A. N. Berisha tekstet e parathënieve e të pasthënieve të Budit i konsideron ligjërata, predikime apo homeli të shkruara për priftërinjtë që “të përdoreshin në kishë gjatë meshës” pavarësisht gjatësisë së tyre që “i largojnë ato nga predikimet apo homelitë e mirëfillta në meshë“ (f. 241). Me këto dëshmohet se Budi ka njohuri të thella të literaturës teorike e praktike liturgjike, si dhe të Biblës. Gjithashtu kjo tregon se ai kishte një “shkathtësi në shqyrtimin dhe ndriçimin e një varg dukurish, jo vetëm të rrafshit doktrinar e teorik, por edhe të zbatimit të tyre në jetën konkrete” (f. 242).

Përveç kësaj, A. N. Berisha shpreh mendimin se prozat e Pjetër Budit “ndihmojnë të kuptohen më thellë edhe poezitë e hartuara nga ai e nga Pali prej Hasit” dhe “të sqarojnë qëllimin pse Budi ia hyri përkthimit në gjuhën shqipe” të tri veprave të përmendura (f. 242). Më tej konstatohet se “është vështirë të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsinë tonë të vjetër, e jo vetëm në të, që poezia dhe proza, po dhe veprat e përkthyera prej Budit, të përafrohen dhe të përplotësojnë njëra-tjetrën, jo vetëm për qëllimin e hartimit, të tematikës e të vlerave si tekste gjuhësore shprehëse, po dhe të komunikimit e të rëndësisë së ndikimit në marrësin e tyre” (f. 243).

 

Karakteri praktik i prozës së Budit

 

Në Parathënien e Doktrinës Budi përmend domosdonë e ruajtjes së gjuhës shqipe, por dhe për t’i prekur në sedër, në ndërgjegje, dhe për “t’i zgjuar nga gjumi dhe përtacia disa barinj shpirtërorë dhe besimtarë të krishterë katolikë, po dhe të gjithë bashkatdhetarët” (f. 255).

Berisha thekson se me parathëniet dhe pasthëniet e veta “Budi dëshmon jo vetëm aftësinë krijuese po dhe dijen e tij të gjerë e të thellë të Shkrimit të Shenjtë, të liturgjisë dhe të teologjisë në përgjithësi” (f. 261); ato “dëshmojnë mirëfilli mënyrën se si Budi i perceptonte dhe i vështronte dukuritë dhe si e shtjellonte tekstin, nga i cili dalin mesazhet përkatëse dhe përmbushte qëllimin si bari shpirtëror dhe si shkrimtar” (f. 261). Përmes tyre Budi theksonte “detyrat që shtroheshin para së gjithash para udhëheqësve fetarë, që mbanin përgjegjësinë kryesore për gjendjen e jetës së krishterë në Arbëri” (f. 262).

Për hartimin e këtyre teksteve Budi është mbështetur në “Ligjnë Plakë dhe Ligjnë të re”. Në mënyrë të veçantë në to Budi përmend rëndësinë e lutjes si njësim me dashurinë e Hyjit, e cila ndihmon dhe dashurinë midis njerëzve dhe kërkon nga priftërinjtë dhe besimtarët arbëneshë t’i përmbahen pendesës.. Në këtë pikë A. N. Berisha zbulon shumë pikëtakime me Letrat e Shën Palit.

Janë të rëndësishme edhe çështjet që ndriçohen në parathënie e në pasthënie e që “lidhen me përkushtimin fetar po dhe me rrjedha të ndryshme kulturore, si është, fjala vjen, hapja e shkollave dhe e kolegjeve për arbëneshë“ (f. 276).

Në prozat e veta Budi bën të ditur se gjithë punën dhe flijimet që bëri në përkthimin dhe botimin e librave i bëri “për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të vet arbëreshë dhe atdheut të tij, Arbërisë, e jo për lakmi e lavd të tij po »për ndimë të patriesë e të gjuhusë sanë«” (f. 276).

 

Proza origjinale në formën e tregimit personal

 

Dy nënkapitujt e fundit të pjesës Pjetër Budi prozator merren me ndriçimin e aspekteve origjinale të prozave të Budit. Pikëpamjet e tij studiuesi Berisha i mbështet në përmbajtjet dhe në mënyrën “e vështrimit të dukurive, veçantitë e shtjellimit dhe të të shprehurit”. Ai thotë se “në to vërehet një përpjekje e vijueshme e Budit që gjerat t’i thotë e t‘i shprehë sa më bukur, me një stil të ngritur e të rrjedhshëm” (f. 279). Më tej studiuesi ynë veçon se “në Parathënien e Doktrinës dhe të Pasqyrës mbizotërojnë të dhënat e ndryshme që sqarojnë qëllimin e përkthimit të veprave dhe hartimin e krijesave të tij origjinale, ndërsa në pasthënien e Doktrinës dhe të Ritualit përligjet aftësia dhe thellësia vëzhguese dhe interpretuese e Budit, por dhe prirja e prozatorit të njëmendët” dhe se “Disa prej këtyre krijesave të Budit si shtjellime – struktura tekstore – dëshmojnë nyjëtimin e të shprehurit, përkatësisht shumësinë kuptimore që del nga tekstet përkatëse, me çka cilësohet proza poetike” (f. 280).

Duke analizuar Parathënien e Doktrinës Berisha vëren “një shtjellim poetik të tekstit” me shprehje të bukura poetike të afërta me traditën e prozës gojore, mandej përshkrimet dramatike të Parathënies Pasqyrës, si është përshkrimi i takimit me një frat shqiptar në Romë; ose rrëfimet në formë të lutjes, si dhe disa shembuj të Pasthënies Pasqyrës, që janë të mbushura me “shprehje figurative e frazeologji që i japin rrëfimit sa veçanti aq dhe bukuri” (f. 287).

Pasthënien e Pasqyrës Antoni veçon disa proza origjinale të Budit, si ajo që ka për temë njeriun në gjendje të dehur, i cili ia shet shpirtin djallit (f. 292), ose ëndrrën e të riut për dënimin në ferr të pronarit të tij, që realizohet në mënyrë të shkallëzuar sipas tre urdhrave të Luçiferrit (f. 293-294).

Nga Pasthënia e Ritualit studiuesi sjell disa shembuj ku “vërehet mirëfilli se Budi e përdor rrëfimin poetik” për qëllime të caktuara “që lidheshin me gjendjen e fesë së krishterë ndër arbëneshë“. Kështu Budi “përfton një rrëfim të qetë e të rrjedhshëm, që ndërlidhet me jetën e përditshme, ku dhe mesazhi është i tillë, i rëndomtë“ (f. 296).

Mbështetur “në forcën e mesazhit poetik”, Budi me mjeshtëri të rrallë bën “zgjedhjen e fjalëve dhe shprehjet”, madje “përdoren fjali dhe periudha të gjata, që në shikim të parë duken të pavend dhe të mërzitshme”, por “në to ndihet një frymë e poezisë dhe e ritmit të saj […], para së gjithash të vargut të Psalmeve” (f. 299).

Është interesant sprova e studiuesit A. N. Berisha t’i shndërrojë në vargje disa nga pjesët e PasthëniesPasqyrës dhe të Ritualit (f. 300-302), të cilat për nga ritmi tingëllojnë sikur të jenë të shkruara në vargje.

Mbështetur në mendimin e studiuesit Gunar Svane se Pjetër Budi edhe gjatë përkthimit ka bërë shtesa të shumta studiuesi i vëmendshëm A. N. Berisha veçon fragmente të prozës origjinale (f. 304). Këto ‘ndërhyrje’ poetike të Budit Antoni i gjen te Rituali e te Pasqyra. Sidomos është i rëndësishëm përshkrimi poetik që i bën gjëmës shqiptare (f. 309-310). Gjithashtu te Pasqyra Antoni veçon 12 tregime të shkurtra të prozës, që afrohen me tregimet e që “lidhen me jetën konkrete të njerëzve, me brengat dhe me vështirësitë që i përcjellin ata në veprimet e përditshme” (f. 311). Mbështetur në krahasimet e Svanes, si dhe të interpretimit të vet, studiuesi Berisha mbron pikëpamjen se pjesë të veprave të Budit më parë se përkthime “janë hartuar nga vetë Budi dhe si të tilla e përligjin dhe e pasurojnë prozën e tij dhe prozën shqipe në fillimet e saj” (f. 318).

 

Monografi që e pasuron dhe e thellon fondin e studimeve tona

 

Duke i analizuar veprat e Budit dhe duke i ballafaquar ato para së gjithash me tekstet biblike, me të cilat veprimtaria e tij tërësisht përafrohet, Anton Nikë Berisha ka saktësuar e ndriçuar shumë vlera dhe qenësi dhe, rrjedhimisht me këtë, edhe shumë paqartësi që janë pasojë e studimit të njëanshëm të veprave origjinale dhe të përkthyera të Budit. Kësaj ia ka dalë në krye në mënyrë shembullore, prandaj studimi i tij monografik ka vlerë dhe rëndësi të veçantë e të qëndrueshme shkencore.

Botimi i këtij studimi, me çështjet që ngre dhe me rezultatet që arrin jo vetëm e pasuron fondin e studimeve të thelluara dhe ndriçon aspekte të anashkaluar mbi veprimtarinë poetike të këtij krijuesi të traditës, por edhe bëhet frymëzues për studime të reja, në kontekst të studimit të sotëm të letërsisë, sidomos të orientimit të mirëfilltë të studimeve jo vetëm budiane, por dhe të gjithë krijuesve të letërsisë shqiptare të periudhës së Pararilindjes kombëtare drejt një fryme krejtësisht tjetër e ndryshe nga që jemi mësuar të lexojmë deri tani.

 

Shkup, qershor 2015

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s