Takimi në vilën Guy Savoy / Tregim nga Vladimir Myrtezai

Takimi në vilën Guy Savoy

 

 

Vladimir Myrtezai

Tregim nga Vladimir Myrtezai

 

 

Kron Gjikoka po shpejtonte hapat në një rrugë afër qendrës, diku pranë rrugës Saint Denis në Paris, me përpjekjen për të qenë në orën e caktuar për drekën me mikeshën e tij të rishtë Lucilett Antony. Qe një njohje kohë më parë, në një takim në Ministrinë e Jashtme në Paris, e më  pas në një projekt kulturor të librit në Frankfurt. Kron Gjikoka ishte shumë i njohur në qarqet letrare në Paris. Drekat me njerëz të ndryshëm i ishin shndërruar në stacione të rëndësishme, sepse i dukej si një udhëtim fantastik në raporte me njerëz të ndryshëm, ku tejkalonte caqe të mahnitshme ndjesore. Kroni kridhej restoranteve të Parisit si kurrë më parë, ku vetëkryhej në një lloj baritjeje si letërsi e gjallë, në prani afektesh që në të shumtë i shijonte si porta të hapura në përcjelljen e shumë gjërave, të cilat nuk se i provon dot në ambiente formale zyrtare.

Restorantet si modë e flamë virusale (e ku më shumë se në Paris…?) ishin oaza në qytetin e dashnorëve, si festë e të sjellurit në favor të bashkëjetesës (si një sëmundje e njohur) me të gjithë ata që e rrethonin në këtë akt të lashtë e të bashkuar rreth ngrënies. Një mënyrë për t’i shpëtuar vetmisë. Frutet e njëmendta në një drekë a darkë ishin bisedat, si kështjella të ndërvarjes njerëzore në një ind të butë, duke qepur me dorë afrinë, intimitetin, aromën, impaktin fizik dhe të tjera shtjella të tërheqjes natyrore, si një hapësirë e përbashkuar me ngrohtësi.

Kron Gjikoka kaloi diku në një rrugë dytësore, në shmang të rrugës qendrore, nga ku u zhvendos dhe ndjeu që pikëlimat e shiut u shpeshtuan. Nxitoi përsëri për në takimin me Lusin. Vuri re se po afrohej pranë Bar Margott pranë rrugës Bonapart, dhe u detyrua të devijonte, për të mos ndaluar te një mik i përhershëm, që e hapte dhe e mbyllte atë vend nën alkool e soditje të zgjatura femrash që merreshin me regji dhe artin e rrugës. Bëri një prapaktheu dhe u fut në të kundërt, pas një  portiku me skulptura baroke, diku në rrugën e Senës, sërish pranë rrugës Bonapart, dhe nga një rihyrje tunel doli sërish në rrugë disi shkurt, duke shmangur kafenenë  e njohur Margott. Mendoi se kish shkurtuar distancë, por e kishte zgjatur edhe më shumë largësinë e llogaritur, pasi u gjend në krah të kundërt të Senës, dhe i duhej të kaptonte krahun tjetër të lumit, nga ura qëndrore, dhe më pas të bënte dy-tre kapërcime rrugicash paralele për të qenë në takim në restorantin afër sheshit Daufin, fill e në restorantit e zgjedhur Guy Savoy, një viletë e njohur dhe emblematike në atë zonë. Kaloi njërin semafor, gjysmë harkun e dekoruar anash dhe më pas u gjend pothuaj pranë vendit të takimit, në anën tjetër të lumit Senë, ku i ra telefoni – ishte ajo, Lusi. Me zë në ngut i thërriste në panik nga ana tjetër e telefonit, pasi restoranti ishte i mbyllur. Kron Gjikoka u bë ca konfuz, por e kuptoi që Lusi nuk e kish marrë vesh mirë llojin e restorantit, duke qenë se bëhej fjalë për një viletë tipike gotike, intime si një shtëpizë, që frekuentohej nga klientë të posaçëm, dhe për një sy indiferent e pasiv restoranti dukej gjithnjë si i mbyllur, si nën hije e pa njeri. Kroni mbërriti me shpejtësi në vendin e takimit dhe, si për çudi, në të gjitha takimet që i kishte me shumë qejf dhe disi të karikuara më përpara, do ndodhte ndonjë keqkuptim jo i këndshëm. Konstatoi që Lusi gjendej e stakuar në një nga tavolinat qendrore në hyrje të lokalit. Ai e lau të gjithën pamjen me shikim. Iu duk shumë e vetmuar, me një hijezim të trishtë trupor, disi pikëllues, me kontraktimin e dukshëm të pritjes, që e bënte të dukej gati skulpturale. Krejt siç e pat menduar, disi të ngutur në dëshirë të parë e në një naivitet paditës, siç dhe janë të gjitha këto soj takimesh, me ngarkesa të projektuara në avancë. Iu afrua dhe e përfshiu nga beli e shpatullat e imëta. E mbajti pak më gjatë se zakonisht në kraharor. U ngatërrua disi në radhën e kalimit të kokës kur e qafoi, dhe si padashur ngatërroi radhën dhe iu desh ta puthte dy herë radhazi në një krah. I shkrepi ndjesia sikur e dhunoi disi, në një zell më të madh sesa duhej. Kishte emocion dhe nuk po kontrollohej natyrshëm në shkarjen e një kontakti të lehtë fizik, që nisi si gabim a si një ngërç në sjellje, gjë që e nervozoi për një moment dhe e bëri të tërhiqej duke pritur paqtë reagimin e saj. Vuri re se ajo ishte e pavëmendshme nga gjithë sa ai kish dyshuar; ishte e gjitha për të dhe as që po kuptonte se ç’ndodhi, por kishte ngut të fillonte me fjalët e para në atë boshllëk që u bë ceremonial, si një trazim fërgëllues. Fillloi të fliste gjëra të përgjithshme, pa lidhje. Gjithsesi, prania e një tonaliteti në të bardhë në atmosferën baroke e zbuste rrëmujën, si për çudi në një lloj ceremonie të kotë, sa për t’u nxehur, që të bënte të flisje si nën zë dhe të qëndroje korrekt. Ajo ishte veshur krejt në blu dhe me një vezullimë që më shumë ia jepte akti i takimit, një përndritje në sy edhe ngaqë restoranti konservonte një prani vetmimi të hatashëm e cytës, gati hormonal për nga ajri; shumë privat, disi sheshtë e pa volum.

Të gjitha këto sinjale sikur e shtonin dëshirën për ta mbushur hapësirën me një bisedë të shtruar, por edhe me frikën e zonave të ujshme, që rrëshqasin lirisht, pa kontroll.

Kroni kishte një përvojë fort spontane me femrat, saqë tanimë takimet e tij kishin humbur shpeshtësinë e gjahut të shpejtë e të koleksionimit si epilogë me shtrat. Gjendej në një zonë të lakmuar, ku më shumë se kaq ato ishin sublimi i përfytyrimeve të tij për të kuptuar caqe të holla, ku shëtiste në një puqje të lartë dhe inteligjente, e përzier edhe me nuhatjen tipike të provokimit në emër të provokimit. Lusi gjendej si e lulëzuar nga detaje të shpenguara, që atij i duheshin për ta shijuar deri në fund, në një lojë të disafishtë, se si zbresin përvojat në një rrafsh ku lakohen shumë gjëra të ndërmjetësuara nga pasioni, pëlqimet, tingulli, shuku epshor, veshja, ngjyra e kështu me radhë; elemente që i dukeshin si pasuri e shpirtit të tij, me të cilat modelonte atë që kish përballë.

Ndarja e zgjatur e të tilla tavolinave, me femra dhe njerëz që i kishte qejf, ishin kthyer në një ritual të minutave të tij, dhe në një cilësi që ai kish privilegjin ta ndante me pasion. Parë gjerazi, tavolinat do ishin kështjellat e tij të lakmisë, ku ai i sajonte si udhëtime pushtuese, ose si prani tharmesh të veçanta që prireshin të binjakëzoheshin në beteja të nëndheshme, mes arsyes dhe pasionit. Një hartë e imët e atyre zonave, që ai priste t’i përtërihej si një kuriozitet i humbur i jetës, ose si një pjalm i arsyes njerëzore, për të qenë në jetë e për ta jetuar atë si gëzim të purpurt.

Në fakt, Lusi ishte një femër në ritëm, me një qartësi të dukshme për të kaluar në harkun e bukurisë së saj si një femër suksesi, pasi në njëfarë mënyre ajo vinte si mungesë arsyeje, e mjaftë për të qenë një përplasje e tij, pikërisht për shumën e pse-ve që e bënin të pamundur atë arrati të saj. Kron Gjikokës iu fanit një arsye naive, që e bënte Lusin të krahasueshme me diç që kish të bënte me zanafillën, kur ai ishte fëmijë. Si për çudi, Lusi i përsillej në imagjinatë me stampat televizive të ëndërrimeve të para fëminore, e hajthme si një Hirushe, që i nanurisej si shpoti e lëvizjes kundër, jashtë çfarë pat paramenduar. Por, sadoqë e paarsyeshme, kjo përplasje, si për ironi, si lundrim i beftë, ndjehej që ishte në fillesa provokimesh dhe territoresh që kërkonin prani si shpjegime të zgjatura të vrojtimit, aq sa herazi i vetëpërktheheshin brenda si dobësi të hapura, kontradiktore e pa kushte. Dreka nisi si një udhëtim çastesh delikate, me peshk, pa prishur asgjë, duke shtuar një kënaqësi që po ndahej në dysh si një eksitim në ngjitje, ku çdo gjë dukej krejt perfekte dhe e magjishme. Kamerieri ishte e vetmja pengesë dhogë (nuk kish se si të ishte ndryshe…) që sillej në atmosferë sikur pengohej nga diçka, dhe kish një artikulim të dembelosur, si të konservuar ditë më parë e të fjetur në të. Qe një detaj që nuk se prishte punë, por dukej sikur qe për sy e faqe, dhe ishte i lodhur me parada të tilla të përditshme. Diku nga mesi i sallës u prish qetësia: mbërriti shpura e një ministri me dy-tre të huaj. Nuk se pati shumë zhurmë, përveç tringëllimës së thikave dhe pirunëve në një hapësirë të velatuar krejt në mug e në të bardhë. Kron Gjikoka  kuptoi që atë femër e kishte krejtësisht në qendër të ndjesive dhe po i jepte hapësirë shtruar, me provokime të lehta, që ai i kishte për zemër gjatë bisedave. Iu duk se diçka e qëndrueshme po shkaktohej nga brenda tij, një ndjesi për të mbajtur gjithçka nën kontroll. Mendoi se mund ta dominonte, që të afrohej shtruar e ngadalë, veçse me modelime të një forme të hapur. Ajo e ndiqte me ëndje, çlirët dhe e shpenguar, por njësh në ritmet e saj, që i feksej si afri shpirti. Në një çast gjatë bisedës, Kron Gjikoka vuri re që ajo u prek për një mik të përbashkët, për Zhylien Dominikun, shkrimtar, dhe u çudit që ajo femër me ego të fortë do gjendej në një njomështi, e dorëzuar lehtë, që, në fakt, e zbukuroi, pasi dukej (si çdo gjë që jepet) se i ngjante rënies së një kështjelle, e lodhur në qëndresa të gjata. Po vdiste nga qejfi që po zhvaste nga liritë e hapjes së saj të tilla shthurje ndjesish, që iu dukën si një pasuri e re. Nuk desh ta ngacmonte më tej, sepse mendoi që do i nevojitej përgjatë një natyrë si ajo që e kishte qejf, jo vetëm si marramendje e fantazisë së tij, apo si komplikim i bukur, ku nuk se kish përballë femra fluturake, në interes të cekët, por diç më të zgjatur, një realitet shumëplanësh, me një dorëzim të avashtë e jo të menjëhershëm.

Ashtu si padashur ndanë me radhë raunde të zgjatura mes peshkut, bisedave intime dhe kurioziteteve të përbashkëta. Brodhën të dy të mahnitur në të tilla rrugina. Si duket mes tyre kishte ende një flakë që lodronte parashikimet dhe vezullimet e gjërave të paprekura. Ajo ishte e lumtur, zbuluese dhe e viktimizuar, gjë që ndjehej në vëmendjen e tij; një vëmendje e komplikuar, e hollë dhe herazi e kërcyer pa shkak. Po e bënte të ndihej rehat. Me sa duket po i shtronte rrugën për të hyrë nga brenda tij, një gjë jo e thjeshtë. Luante hapur, si mjeshtër, pa lënduar me shaka të zmadhuara dhe fjalë qepëse. Në të rrallë takoi njerëz me të tilla hapje, si një shteg që nuk njihte barriera, përpos disa minutave të shkëputura si prerje akute, ku shumë shpejt  iu duk se mund ta humbiste. Në njëfarë mënyre e donte si siguri, si diçka të zgjedhur, ose si imazh i rëndësishëm. E përkryente, e bënte të realizuar ky fakt dhe pa mohuar se ishte shumë, po  shumë i dashur – dinte të dorëzohej. Iu duk një përjetim i vyer, që duhej konsumuar ngadalë, pa ngut, si histori e zgjedhur, që duhej të formohej e të rritej në fatin e vet.

Gjithnjë i kishin pëlqyer burrat me histori, me një patinë në lëkurën e tyre të pezullt, të rrethuar nga histori si enigma në qytet, që gjithnjë ndjeheshin më të bukur pa praninë e tyre si rrëfime tavolinash e thashethemesh njerëzore. U paraqit delikat, i përkorë dhe me aftësinë për të sheshuar biseda në cytjet e rrëmbyera. Ndjente një pengesë të lehtë, si ajër i pakuptimtë, që s’e lejonte t’i afrohej drejtpërdrejtë e ta përfshinte. Desh ta pushtonte, por pati frikë. Ishte i paparashikueshëm dhe nazik. E la veten ashtu në moskryerje të dëshirës së saj përvëluese, duke luajtur çlirët, siç i pëlqente atij; një modelim që e ndjente se po e tërhiqte.

Për Kronin ajo femër i ishte ngjitur në mish, pothuajse ndjehej si i prekur thellë. Një ndjesi e rrallëndodhur që e largoi me vetëdije, për ta shijuar edhe më gjatë si një ndjenjë që duhej marrë butë, nëndheshëm, e më pas duke e shembur ëmbël, ashtu siç dinte ai t’i shijonte të tilla ndjesi që e mbanin gjallë. Ishte një kapriço e papërkthyer, e arsyetuar si tingull ose zë i brendshëm, që ia vlente ta ndante me dikë, si befasi e vetvetes, apo thjesht si një aromë e pakthyeshme e hirit njerëzor.

Ndanë një peshk midis si një nga kënaqësitë e mëdha të udhëtimit të përditshëm. E braktisën vilën Guy Savoy duke ecur nëpër shi, të dy nën një çadër, cekur lehtazi dhe ethshëm, ende të matur e koshientë për sa ishin tashmë si dy kështjella të mbarsura me ngjarje. Çdo gjë ishte perfekte me mungesën e aktit, ende pa e shprishur gjithë këtë ngrehinë në erë, si e papushtueshme, që lind veçse në tavolina të tilla, që shkëmbehen në erë e shi gati përditë nën avullin e dëshirave të fshehura njerëzore.

U ndanë në udhëkryqin e tretë. E puthi sërish duke gabuar radhën e shkëmbimit ritual të kokës, dhe e fshiku me buzë ende pa e kuptuar se mund të merrte udhë ajo puthje, e tejlarguar si një kënaqësi e re e takimit të ardhshëm. Kron Gjikoka u trand gati i shembur në rrugë dhe nuk lëvizi. Kishte kohë që nuk i ndodhte një gjë e tillë. Në vend të viktimës së shkaktuar ndjeu një dyshim si i viktimizuar nga ajo çupëlinë e llastuar, e dalë nga filmat e fëminisë së hershme, gati qukëse. U përpoq ta harronte në çast me egërsinë e mjeshtrit në marrëdhënie këtë refleks të ditëve të pranverës, si një lajthitje e beftë që kish të bënte me ndryshimin e gjakut, e jo me një tjetër gjë që mund t’i ngjante me arratitë e tij të humbura në shpellime të reja, si një gjë e projektuar tashmë. Zbërtheu xhaketën dhe bëri udhë në drejtim të padituar, ashtu kot, si dikur, i dehur, vrastar i kohës, si pa arsye dhe vijoi…

Në sfond sa vinte e zvogëlohej vila Guy Savoy, një kllapi e ëmbël takimesh të përsëritura, që sa herë shkelte në atë prag i ngjallej nga një traumë e lehtë nga ato gjëra-çaste që shtresoheshin si histori të lehta e të shkueshme me ajër të freskët e aroma peshku psonisur me dafinë. Qeshi me veten. Nuk kish ndryshuar aspak; çdo gjë niste si në filim, e pandryshuar, në të njëjtin intensitet e vëmendje për të ndarë minutat e tij të vyera me çdo erë që frynte në drejtim të lumit ku pat fshehur ëndrrat e tij si të rilindura, pa u zprapsur, si një lojtar sojli.

Të gjitha kalimet në vilën Guy Savoy mbanin në test që Kron Gjikoka ishte ende në formë, gjallë dhe i provokuar, tërësisht hapur, si ditën e parë të zhvirgjërisë në jetë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s