Cikel poezish “Dashuri, dhimbje, lule,natyre jetesore” / Nga : Vjollca Tiku Pasku

Cikel poezish “Dashuri, dhimbje, lule,natyre jetesore”

 

 

 

Vjollca Tiku Pasko

Nga Vjollca Tiku Pasku

 

 

 

PËR TY…

 

Sa herë kam rilindur nga fundi i honit që hedh jeta,

mbështjellë me qefinin e vuajtjes dhe pluhur dëshpërimi,

fjalët e tua të holluara si litar drite, më kanë ngritur,

të eci mes të gjallëve e fuqizuar me rrezatime besimi.

 

Nuk e di nëse ti je engjëlli mbrojtës i jetës sime,

apo reja që më jep shiun në Saharanë e ditëve të mia,

por di që më driton në errësirë si shkrepje vetëtime,

e më transformon si xixëllonjë në hapësira vetmie.

 

O gërshet margaritash vezulluese varur në gjoksin tim,

sa herë më pëshpërit në vesh, ti zbardhëllon mirësinë,

nuk di pse imazhi yt më ndrin këtë çast me përdëllim,

të them me zërin e jehonës “të dua” sa të kem frymën.

 

Nëse vdes e para, do të pres krahëhapur në përjetësi,

të kujtojmë shkulmat e ndjenjës së përgjakur në tokë,

se dashuria që i falemi ne, është e vetmja Perëndi

dhe në jetë e vdekje, ka veç një zemër qiellore të plotë..

 

 

 

 

DASHURI PA DISTANCË

 

Dielli im ndriçon ditët e mia, atje ku je ti,

Ku shkel tokën e butë dhe pranveron me qenien tënde,

qielli ku ndalon vështrimi yt

ndan retë e kërkon pingulen e diellit me ëndje.

Hëna me prerje të argjendtë,

pikon dritë e kthehet në lot malli të butë.

Ti vjen e më përkëdhel me petal trëndafili

në gjumin tim, dhe lehtësisht më puth.

Duke më lënë në buzë ëmbëlsinë e botës,

më përqafon si fije diellore

me nxehtësinë e mistershme,

dhe dy shpirtrat tanë lundrojnë

në viset e ëndrrave të hareshme.

Kur agu vjen i dashuruar e përpëlit sytë e bardhë,

ti më mbështjell të tërën në kraharorin tënd të artë,

të dy shpirtrat tanë që fjetën të lidhur bashkë,

zgjohen e ikin duke pritur përsëri natën me yje lartë.

 

 

 

 

RINGJALLENI DASHURINË

 

E vranë dashurinë,

e futën njëqind pashë në dhe,

arkivolin ia punuan xhindet e natës,

dhe ia gozhduan me brengat e të gjallëve.

 

E vranë dashurinë,

e qefinosen me vajet e rreme,

fronin e zemrës e rrëmbeu lakmia,

dhe spektrin pushteti gënjeshtar.

 

E vranë dashurinë,

I ftohtit përfshiu zemër e tokë,

ujërat ngritën dallgë e përpinë,

jetë, toka , shtëpi , gjënë e gjallë.

 

Zemra ime klith, mes zemrave të hekurta,

e dëgjuan malet e shkërmoqën shkëmbinjtë,

e dëgjuan detet e buçitën zërat e të mbyturve,

teksa njerzit janë tamposur me dyllin e të vdekurve.

 

O njerëz ndaloni! Ç’far bëni!

Ngarkomëni mbi supe , dhimbje, vuajtje, zi,

vritmëni ,le të flijohet jeta ime në duhet,

vetëm ringjalleni dashurinë.

 

 

 

 

ZEMËR ËNDRRE

 

Sikur të shndërrohesha në një shport trëndafilash,

gjithë parfumin e kuq erëmirë,

me frym ere ta shpërndaja e krahë bilbilash,

në këmbanëza të ëmbla dashurie,

ta lëshoja në drithërimë.

 

Sikur të shndërrohesha në vesë të kristaltë,

në kupë të hënës do të pija,

do bija lehtë në çdo petal,

në buzë lulesh do ta puthja poezinë.

 

Sikur të shëndrohesha në një flutur krahëartë,

në shkallën fosforeshente të ajrit të fluturoja,

në magji resh, në kube të qiellit të kaltër,

sekrete ëndrrash do të kurorëzoja.

 

Sikur të shëndrohesha në meteor,

në gji yjesh të shkrija, të rrëshkisnin

thërmija dritash, të ndiznin pishtarë

si dielli i ngrohtë, në jetën e acartë.

Ah sikur …sikur .. !

 

 

 

 

SHPRESËVENITUR

 

Prita, oh sa ditë të gjata dhe vite prita,

shpresova, oh sa horizonte shpresova ,

se një  dritëz  e bukur pranvere ,

do të  lulëzonte në   vendin tim.

 

Besova  me shpirt dhe ëndërrova

në  përgjumjet e hapësirave të  qiellit,

se ngjyra e kaltër kur ngre vështrimin,

do ngjyente  shpirtrat të shkëlqenin pranë  diellit.

 

U zhgënjeva oh sa u zhgënjeva,

nga lulet artificiale pa dritë , pa aromë ,

që lëshonin erëmime  false sallave luksoze,

me thirrjen tipike”rroftë  partia jonë ”.

 

Teksa stuhitë  e urisë  bridhnin në  tokë ,

fshikullonin trupa dhe ngashërenin sytë ,

teksa mërmërisnin “zonjë  më  fal diçka… ”.

dhe shpesh lutja mbetej thatë në fyt.

 

Dhimbja më endet në  shtëpinë  e shpirtit,

më  zhurit zemrën e ndrydh kraharorin,

kur  me mijëra jetë  u këputën rrugëve,

apo kripë së lëngët të Adriatikut me Jonin

 

Oh sa dëshiroj që  burimet e ujit të  ishin magjike,

e të  piheshin me ëndje nga gurmazet e etura,

dhe atje brenda thellë  labirinteve në  gjokse,

të  lahej zemra nga mëkatet dhe lakmitë  e fshehta.

 

 

 

 

PUSI I VJETËR

 

Kur shkoj në shtëpinë dykatëshe me çardak në fshatin tim jugor,

në cep të oborrit me gurë të prushëzuar nga rrezet e diellit të verës

pusi i vjetër ndërtuar nga gjyshi, prish reflekset e mantelit qiellor,

më shplodh, më jep kënaqësinë e freskisë së pendëve të erës.

 

Unë përkëdhel rrokatën e gurtë, që ndjell kujtimet e fëmijërisë,

e lëshoj çikrikun që kërkëllin britma gëzimi nga ndryshku i kohës,

litari godet me kovë paqen e lëngët të mbretërisë ujore të vetmisë,

të më sjellë puthjen e lagësht e rrëpira përqafimi nga barku i tokës.

 

Teksa e lë të qetohet në prehje, e shihem në pasqyrën e lëmuar,

më zbret nga qielli vegimi i gjyshit, që flet me gjuhën e ujit në valëzim,

“Kudo që të shkosh, kthehu në rrënjët e të parëve të tu me shpirt të gëzuar,

sepse malli eshtë ndjenja e lindur nga drita e engjëjve deri në amëshim…

 

 

 

 

LULE MARGARITA

 

Margaritë, romantike, e bukur plot jetë,

sot dua të shpalos lulëzimin tënd në poezi,

se ne të dyja ngjajmë nga shpirti i blertë,

ti si lule e të dashuruarve, ndërsa unë si njeri.

 

Lulëzon në çdo stinë, me petalbardhat e dritës,

dhe në zemër mban kurdoherë një diell të ri,

era të lidh fjongon e të ledhaton me puthjen e ditës,

kurse ti përkund trupin, vallëzon plot hijeshi.

 

Kur netët baritore të pëshpërisin një sekret,

dhe dita të vesh shkëlqimin, për ta treguar,

ti e ruan thënien si një pergamen të shenjtë,

deri sa të fishket petalja e fundit ngjyrëshkruar.

 

Nëpër lëndina, vajzat të këpusin me dëshirë,

të stolisin flokët me kurorat ëndërruese të nusërisë,

edhe pse ndonjëra të heq petalet erëmirë,

për të mësuar “më do apo s’më do”, lojën e vërtetësisë.

 

S’do doja kurrë të këpusja e të prishja bukurinë,

as të pyes ty për të fshehtat e purpurta të zemrës,

do të doja të pluskoja, si me buzët e bletës magjinë,

kur hap një lule dhe natyrës i fal ngjyrat e ëndrrës.

 

 

 

 

KU KA MËRGUAR DASHURIA?

 

Shëtis  në rrugët e vendlindjes time me hap të lehtë,

e shikoj njerëz me shpirtra të rëndë  të vranësuar si retë,

askund nuk dëgjoj një serenatë të ngrohtë dashurie,

as ndonjë kuqëlim në qiell ngjyer me bojë kënaqësie.

 

Teksa u ula duke qarë  pranë një pishe të lartë,

lotët më rrodhën me gjatësinë e lumit deri në Nartë,

më pyeti pisha me shqetësim ”Pse qan vajzë e pikëlluar”

I thashë“sepse nuk gjej dot dashurinë ku ka mërguar”

 

E kërkova në linjat e kuqe që prodhon zemra e ndjenjave,

nuk e gjeta,mungonte ekstrakti i ëmbël iëndrrave,

e kërkova në rrebeshet e zjarrta të puthjes së dashnorëve,

ishin predikime gënjeshtre në pasionin e stuhisë trupore.

 

E kërkova dhe pyeta çdo valë në detet e liqenet e vjetër,

ato përplasën qepallat trishtuar dhe ikën në bregun tjetër,

E kërkova edhe në arnat e nxehta të vullkaneve të tokës,

por nuk e gjeta,as në kraterin,e as në zemrën e botës.

 

Pisha e vjetër thithi dritën e qiellit e tha me psherëtim;

“Dashuria u fsheh nga sytë e njerëzisë me vetmohim,

kur ndjenjën e artë e zëvendësuan me hibriden para-seks.

dhe farëzat në vlagën e kraharorit të njomë i lanë të vdesë”

 

E thirra me shpirt ”Eja  dashuri shpresa e pranverës njerëzore,

vetëm rrezet e florinjta të lindjes tënde janë thesari i jetës tokësore!

 

 

 

 

KËNDO BILBIL !

 

poezi

Në degë të trëndafilit,

këndo bilbil, o më i bukuri zogjve!…

Zëri yt,

erë e detit lëmuar nga margaritarë,

kënga jote,

kristal i burimit përthithur nga dielli,

melodia jote

hyn në shpirt e zemër,

dhe në driadat e bukura të pemëve.

 

Puplat e tua,

frymë mëngjesi puthur nga trëndafilat,

flatrat e tua,

petalet e ngushta të hapësirës sëqiellit.

Nën gushë,

të shtrihet një horizont i vogël,

në bisht,

ke diellin që mbajnë akoma vetullat e muzgut

Gjithë veshja jote

është bërë nga mbreti i dizenjimit,

me dorën e vetë Krijuesit.

 

Këndo, o artist i natyrës së gjelbërt,

këngëtar lirik i agimit të bardhë,

dhe i netëve të majit që përhapin lulëzim,

të lutem, lermë vetëm një here

ta ngjyej penën me melodinë tënde,

vetëm për një mëngjes,

të ndihem si bilbil !…

 

 

 

 

LULE VJOLLCË

 

Gazmoj kur të shoh lule vjollcë tek çel,

pranverën ti e para për të lajmëruar,

me ngjyrën violet mugullon nëpër erë,

duke ndërruar fustanet me ylberin dashuruar.

 

Gjethet e tua përkëdhelin rrezet lehtë,

kërcelli i buzëqesh stinës së lulëzuar,

petalet me sytë e vijëzuar aq mprehtë,

lëshojnë tinguj aromash në ajrin e dyzuar.

 

Ti mban zgjimin e agimit nëpër petale,

vezullimet hënore në fletët e argjendta,

transparencën e qiellit në qeshjen lozonjare,

ndaj bukurinë e krijimit tënd, këtu e gdhenda.

 

Largohu vdekje.

Sa  herë  më  je  afruar  vdekje ,me sytë  boshë,

më pasë ke ikur, të marrësh  erzin  në të tjerë,

sa  dhimbje   ke  shkaktuar , e buzë  shkumëzuar  në lotë ,

sa  shtëpi  ke  rrafshuarr  e ka kënduar qyqia në ditë pa lerë.

 

Kur  ti  afrohesh  dielli shpërthen  në hi  të zi ,,

yjet pa  ngjyrë misteriozë zhduken  në  çast ,

perdja e kaltër e qiellit mbyll  siparin praptazi,

hënën e lë në zgrip errësire, mbërthyer si në kllap.

 

Me  tehun  vezullues  të kosës  prêt fytin  e  dritës

burimi  që rjedh  jetë , shter trishtë  në  çast,

bebëzat  e  syve fik , e  bien në lakoren  e slitës ,

fryma  shuhet  ngadalë ,në vorbull  e  ngrahmë.

 

Kapaku  i dheut hapet me lopatë, e ngrihet galumë,

dy  litarë gjarpërushë mbajnë peshën e presë tënde,

një zhurmë  e ftohtë e ti e mbështjell me mantel të ngurtë,

dhe  hijen  verdhacuke  që lë mbi  tokë , pi  me  ëndje.

 

Ndaj shpirti im udhëtar pi në  kristale drite dashurinë,

agimin  zemërbardhë kam  bashkëudhëtarë në zgjim,

puth  rrezëllimin e argjendë  të diellit e  gjithë kaltërsitë ,

pëpiqem  çdo çast të gdhënd më  të mirën me rreze lime.

 

Jeta  është një duartrokitje  buzësh  që ndron  ngjyrë,.

në  qerthullin  e familjes e në fshehtësinë e udhëve të gjata,

deri  sa  shamia vjollcë t’më mbulojë copën e ditës  në fytyrë,

të jetojmë në paqe  e shpresë, ti bëjmë ditët  e  begata.

 

V@.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s